12 tetor 2010

Dunga këshillon Juventusin: Merr Neimarin!

Ish-trajneri i Brazilit beson se “Zonja” do të ishte skuadra e duhur për talentin e Santosit

Një telefonatë mikut të tij Roberto Baxhio, presidenti i sektorit teknik të Italisë dhe një vizitë në Koverçiano për të paraqitur dokumentacionin e nevojshëm për të marrë pjesë te Masteri. Karlos Dunga është gati të hapë një kapitull të ri në karrierën futbollistike. “Këlyshi” ëndërron një skuadër europiane. “Kërkoj një projekt ambicioz”.

Primera Divizion, Seria A, Bundesliga: nuk ka preferenca. “Dua të ndërtoj dhe të fitoj”. Futbolli italian mbetet territori i tij i preferuar. “Në Brazil, - ka shpjeguar Dunga, - flitet shpesh për kalimin e mundshëm të Neimar te Juventusi. Do të ishte një goditje e madhe. Talenti i Santosit ka një dribling vrasës, një shpejtësi të papërmbajtshme dhe të gjitha cilësitë për t’u bërë një yll. Dikush e ka krahasuar që tani me Pelen.

Nuk duhet të ekzagjerojmë, por Neimar i ka të gjitha cilësitë e duhura për t’u bërë një lojtar i madh”. Por futbolli italian nuk është aspak i lehtë. “Me të rinjtë duhet të kesh durim. Juventusi është një klub i rëndësishëm, di si trajtojë talentet. Neimar është shumë i ri. Por ka debutuar dhe ka shënuar me kombëtaren”.

Te bardhezinjtë do të gjente Felipe Melon. “Del Neri po i jep besim. Me të drejtë. Zhgënjimi në Botëror e ka ndihmuar të rritet. Felipe e ka kuptuar se nuk mund të kthehet çdo ndeshje në një luftë. Juventusi ka investuar te ky lojtar, nëse ka forcën për ta mbrojtur nuk do të pendohet”. Milani i ri shpreson të aktivizojë në të ardhmen një skuadër me katër yje.

“Me një kampion si Pirlo që organizon lojën mund të bësh gjithçka. Edhe të luash me katër sulmues”, ka thënë ish-trajneri i Brazilit. Në lidhje me Ronaldinjon, që ka vendosur të qëndrojë te Milani. “Kush është mësuar të fitojë nuk mund të kënaqet me një vitrinë të dorës së dytë. Dinjo duhet të ndihmojë Milanin të kthehet në majë të botës.

Çfarë i duhet kuqezinjve për të kaluar Interin? Shpërthimi i Patos. Eshtë një fenomen. Por është i fuqishëm dhe delikat si një Ferrari”. Dunga më pas ka folur edhe për Robinjon. “E kam mbrojtur në momente të vështira. Dhe ka patur shumë. Robinjo për të luajtur si kampion duhet të argëtohet, duhet të gjejë një “shtëpi”. Milani mund të jetë i ngjashëm me Santosin. Mund të bëhet shtëpia e tij. Robinjo i vërtetë është një lojtar që shënon shumë gola”.

Hulio Sezar, Maikon dhe Lusio po kërkojnë të ndërrojnë faqe pas zhgënjimit në Botëror. “Benitez duhet të jetë i qetë, brazilianët e tij nuk do ta tradhëtojnë. Interi mund të rifitojë Championsin”, ka shtuar Dunga, që në fund ka folur edhe për talentin e Lacios, Hernanes: “Kam besuar gjithmonë tek ai. Sipas mendimit tim ka karakteristikat për të luajtur si Pirlo”.