12 tetor 2010

Del Piero midis rekordit dhe lamtumirës nga Juvja

Rinovimi i kontratës po vonon, ndërsa një gol i duhet kapitenit bardhezi për të kapur Bonipertin

Eshtë e kotë ta zgjasim. Përshtypja është se ky mund të jetë me të vërtet sezoni i fundit i Del Pieros me bardhezinjtë, të paktën si lojtar. Kontrata është drejt skadencës, drejtuesit janë të rinj, skuadra po rinovohet, projekti është i qartë, dhe të themi të drejtën edhe bindës: në këtë moment sinjalet për një rinovim midis kapitenit dhe “Zonjës” janë të dobëta. Dhe sigurisht nuk do të jetë Del Piero, simboli i kësaj skuadre, që do të bëjë “presion” për të zgjatur bashkëpunimin.

Në moshën 36-vjeçare, Aleks e di mirë se duhet të mendojë për të tashmen, ndoshta duke u argëtuar, siç po bën, duke ngritur dyshime për faktin se kush do ta marrë vendimin e fundit. Më pas, pas disa muajsh do të bëjë llogaritë e tij: të vazhdojë të dhurojë magji te një skuadër tjetër, apo t’i dedikohet menjëherë karrierës si drejtues?

ME SHUME SE BONIPERTI - Pikërisht, sepse jeta e dytë e Del Pieros do të jetë gjithsesi e gjitha juventine. Zyra në klubin bardhezi është bërë gati që tani, një rrugë gjithnjë dhe më e ngjashme me atë të Xhianpiero Bonipertit, simboli tjetër bardhezi, njeriu që akoma mban një rekord që nuk është i Del Pieros. Ndoshta edhe për pak kohë, duke parë se Alesandros i mungon vetëm një gol për të kapur të madhin Boniperti në kreun e renditjes së golashënuesve më të mirë të historisë së Juves në kampionat:

177 gola kundër 178. Sulmi i radhës është programuar për të dielën më 17 tetor, stadiumi “Olimpiko”, Juventus-Leçe. Del Piero do të jetë, gjithmonë i pranishëm në dymbëdhjetë ndeshjet e këtij sezoni, por akoma pa asnjë gol në kampionat (të gjithë në Ligën e Europës tre golat e bërë deri tani). Goli i fundit në Serinë A ka ardhur më 9 maj të 2010-ës, ku ndër të tjera Parma ka fituar në Torino 3-2. Domethënë, edhe një hap i vetëm dhe më pas në aspektin e statistikave do të jetë vetëm Alesandro Del Piero.

AKUILANI - “Nuk mendoj se tani është e drejtë të flasim për titullin në kampionat, - ka thënë ndërkohë Akuilani. - Duhet të tregojmë vlerat tona në kampionat, ndeshje mbas ndeshjeje, dhe më pas të shikojmë se ku kemi arritur. Sipas mendimit tim nuk jemi akoma për vendin e parë, ndoshta pak më mbrapa. Juventusi po rritet dhe unë bashkë me shokët e mi të skuadrës. Do të duhet akoma kohë për të parë rezultate konkrte. Por kemi bërë disa hapa të vegjël përpara. Kombëtarja? Eshtë një objektiv i imi, për ta rimarrë duhet të luaj me vazhdimësi te Juvja. Dhe përsa i takon të ardhmes time, negociatat e ardhshme të Juves me Liverpulin do të jenë një moment thelbësor për karrierën time, sido që të përfundojnë”, ka thënë mesfushori bardhezi.

MERKATO - Në orët e fundit drejtuesit juventinë kanë filluar të mendojnë për merkaton e janarit. Me përjashtim të rasteve të mëdha që mund të paraqiten (ndiqen nga afër situatat e Benzemasë dhe Kasanos), nuk janë parashikuar investime të rëndësishme në repartin e sulmit. Këto janë lënë për në merkaton e verës. Ndërsa, në janar pritet të vijë një mbrojtës i krahut të djathtë: në krye të listës janë milanistët Bonera dhe Antonini, më e shtrenjtë rruga që të çon te Glen Xhonson. Për sa i takon mbrojtësve qendrorë, do të ndërhyhet në merkato vetëm nëse rekuperimi i Rinaudos do të rezultojë më i komplikuar nga sa ishte parashikuar në fillim.

Del Piero i qetë rreth kontratës së re

Alessandro del Piero vazhdon të jetë i qetë rreth situatës së kontratës së tij te Juventusi.

Marrëveshja e tij aktuale me Juven skadon në fund të këtij sezoni dhe nëse nuk arrihet një marrëveshje e re, ai mund të largohet drejt ligës amerikane të futbollit.

“Me gjithë sinqeritetin, jam i qetë rreth gjithë këtij rasti të kontratës time dhe rreth të ardhmes. Nuk kam ndërmend të heq dorë, por vërtet në këtë moment e ardhmja ime është vetëm një problem i dorës së dytë. Tash dua të fitoj”.

“Sa i takon pjesës së mbetur, ne duhet të lëmë kohë që gjërat të piqen, pa i shpejtuar ata. Nuk kam menduar se çfarë do të bëj pasi të pensionohem, pasi jam ende tepër i ngarkuar në fushë”, ka thënë Del Piero gjatë një bisede me fansa në Facebook.