19 shkurt 2010

Zgjedhjet në FSHF, Halili-Vata binomi kundër Dukës

Dje ka qenë afati i fundit i depozitimit të kandidaturave. Rudi Vata dhe Refik Halili, zyrtarisht kandidatë

Armand Duka nuk do të jetë i vetëm në garë për kolltukun e presidentit të FSHF-së. Nëse deri dy ditë më parë ishte kandidatura e vetme zyrtare, dje dy emrat të tjerë, mjaft të njohur për publikun shqiptar, kanë marrë iniciativën për ta hedhur nga “froni”. Refik Halili, president i Tiranës, si dhe Rudi Vata, ish-futbollist i kombëtares, aktualisht menaxher i FIFA-s, kanë hedhur hapin final, pasi janë propozuar si kandidatë zyrtarë për president.

Paraditen e djeshme, në sekretarinë e federatës ka mbërritur një zarf që “fshihte” kandidaturën e Refik Halilit, i propozuar nga klubi i Tiranës. Ndërsa Rudi Vata është propozuar pasdite nga disa anëtarë të FSHF-së, me në krye Bylisin. Dje ishte afati i fundit, kështu që të gjitha palët kanë dalë hapur, duke e nisur zyrtarisht garën.

Sipas zërave në ambientet sportive, mësohet se ka një aleancë mes Halilit dhe Vatës për të mposhtur Dukën. Sipas statutit të FSHF-së, për zgjedhjen e presidentit në raundin e parë duhen 2/3 e votave. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk e arrin që në fillim këtë shumicë të cilësuar, është i nevojshëm raundi i dytë, ku mjaftojnë 50% plus një votë për t’u shpallur president.

Refik Halili dhe Rudi Vata mësohet se janë gati të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të bërë gjithçka kundër Dukës. Kjo është arsyeja pse kanë kandiduar të dy. Sepse Armand Dukës (sikurse çdo kandidati tjetër) do t’i duhen 45 vota të delegatëve për të fituar që në raundin e parë. Aleanca Halili-Vata shpreson ta mposhtë Dukën në raundin e dytë.

Njëri prej tyre do të mbështetë tjetrin në rast balotazhi me Armand Dukën. Sot Federata Shqiptare e Futbollit duhet zyrtarizojë të gjitha kandidaturat, për president dhe anëtarë të komitetit ekzekutiv, pasi ka skaduar afati i depozitimit të kandidaturave. 18 shkurti ishte dita e fundit (20 ditë para zgjedhjeve) propozimit të kandidatëve nga anëtarët e FSHF-së.
Adi Metaliu

65 delegatë me të drejtë votë

Të drejtën e votës në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore e kanë 65 delegatë, që përfaqësojnë klubet shqiptare të kategorisë superiore, kategorisë së parë, kategorisë së dytë, Shoqatën e Futbollit Amator, Shoqatën e Mjekësisë Sportive, Shoqatën e Gjyqtarëve dhe Shoqatën e Trajnerëve. Çdo klub futbolli ka të drejtën të një vote, pra të përfaqësohet vetëm nga një delegat (në zgjedhjet e kaluara klubet e superiores kishin dy delegatë).

Futbolli i Sallës ka një delegat. Çdo rajon (8 rajone gjithsej) i Futbollit Amator ka një delegat, Shoqata e Mjekësisë Sportive 1 delegat, Shoqata e Trajnerëve 1 delegat, Shoqata e Gjyqtarëve një delegat. Gjithsej janë 65 delegatë, që me votën e dytë do të zgjedhin strukturat drejtuese të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Kategoria superiore: 12 skuadra, 12 delegatë
Kategoria e parë: 16 skuadra, 16 delegatë
Kategoria e dytë: 25 skuadra, 25 delegatë
Futbolli i Sallës: 1 delegat
Futbolli Amator: 8 rajone, 8 delegatë
Shoqata e Mjekësisë Spor. 1 delegat
Shoqata e Trajnerëve: 1 delegat
Shoqata e Gjyqtarëve: 1 delegat
Gjithsej: 65 delegatë

Disa bashki kanë sjellë propozimet e tyre, ndërsa presidentët e së njëjtës skuadër kandidaturë me vete

Kaos në disa klube, kanë sjellë më shumë se një propozim

Poltika shqiptare ende nuk ka e zgjidhur çështjen e kutive (të hapen ose jo), ndërsa në futboll problemi është që në gjenezën e zgjedhjeve, te propozimi i kandidatëve për strukturat drejtuese. Ditët e fundit në sekretarinë e Federatës Shqiptare të Futbollit shumë klube kanë sjellë propozimet e tyre. Deri këtu nuk ka asgjë të pazakontë.

Por jo kur një klub sjell dy propozime. Sipas statutit, një anëtar i FSHF-së ka të drejtë të propozojë vetëm një kandidaturë, ndërsa një pjesë e klubeve shqiptare (të paktën 4-5 anëtarë) kanë sjellë disa kandidatura. Problemi nuk qëndron në mosnjohjen e rregullores, por në faktin që gara zgjedhore ka nisur më parë brenda klubeve, për të përcaktuar të drejtën propozimit dhe votës.

Pjesa më e madhe e klubeve shqiptare janë në pronësi të bashkive, por janë afruar edhe sponsorë. Kush e ka të drejtën e votës dhe porpozimit, përfaqësuesi i bashkisë apo i donatorit?

Klubet shqiptare pas viteve ‘90 kanë funksionuar dhe funksionojnë në mënyrë krejt amatore. Nuk shumë raste nuk ka rregullore të brendshme apo statute që të përcaktojnë qartë detyrat dhe detyrimet e gjithsecilit brenda klubit.

Më rastin e zgjedhjeve në FSHF, ndërhyrjet e shumta nga aktorë që kandidojnë për poste drejtuese kanë sjellë përçarjen e klubeve. Përfaqësuesit e bashkisë dhe sponsorët e skuadrave shpesh nuk janë në një mendje, ose thënë ndryshe nuk u përputhen interesat. Mjafton të marrim një shembull për të ilustruar më mirë atë që po ndodh me disa skuadra të kampionatit shqiptar (përjashto superioren).

Përfaqësuesit e Bashkisë së Cërrikut kanë propozuar një kandidat të tyrin për anëtaë të komitetit ekzekutiv, ndërsa presidenti Gentian Gjoka ka dërguar emrin e një personi tjetër. Ky problem nuk ekziston vetëm te Turbina. Cilin propozim do të pranojë FSHF-ja? Sekretari i përgjithshëm Eduard Prodani nuk ndodhte në Shqipëri për të dhënë një përgjigje të saktë. Gjithsesi, institucioni i futbollit në vend njeh vetëm vulën e klubit.