23 shkurt 2010

Zakeroni zgjedh Del Pieron si lider!

Trajneri vlerëson lojën e kapitenit bardhezi dhe Diegon e këshillon: Duhet të përshtatet akoma

Pasi arriti fitoren e tretë në një javë në Bolonjë, Alberto Zakeroni, ka dashur të lavdërojë Juventusin e tij si dhe brazilianin Diego gjithnjë e më shumë protagonist me lojën e tij. “Jemi në rrugë të drejtë, edhe pse duke u stërvitur jo vetëm për kampionatin, por edhe për Ligën e Europës, nuk është e lehtë. Diego, - vazhdon trajneri bardhezi, - është një fantazist i jashtëzakonshëm, duhet vetëm të përshtatet me kampionatin italian”.

Zakeroni hedh një vështrim drejt së ardhmes: “Do të qëndroj këtu deri në fund të sezonit, pastaj të shohim. Herë të tjera kam pasur një kontratë 2-vjeçare dhe pastaj nuk kam qëndruar shumë në botën e futbollit, ndaj me këtë sport nuk i dihet asnjëherë… Marrëdhënia ime me Juven në momentin e firmës ishte e qartë, kisha vetëm dëshirë të kthehesha të drejtoja një ekip. Amauri e Del Piero? “Është shumë mirë, - shton ai për brazilianin, - edhe pse është pak i lodhur nga që ka luajtur shumë. Aleksi?

Të sulmosh imazhin e Del Pieros është si një blasfemi, kur shënon një 11-metërsh është normale të shfrysh tensionin e një jave. Aleksi është i shkëlqyer dhe e ka marrë për dore skuadrën si një kapiten i vërtetë”. Në fund, trajneri juventin vlerëson edhe punën e gjyqtarëve pas ankesave të disa ekipeve italiane, me në krye Interin: “Duhet të ulim tonet, pa gjyqtarë nuk luajmë dot, më vjen mirë për Taljaventon. Nuk dukej një ndeshje futbolli ajo mes Interit e Sampit të shtunën, edhe moviola i dha të drejtë për gjithçka gjyqtarit”.