14 shkurt 2010

Zakeroni: Mungon besimi te forcat tona

Trajneri i Juventusit duket se ka gjetur problemin kryesor të skuadrës së tij

Juventusi ka akoma probleme, por po përmirësohet. Ky është “buletini mjeksor” i “Zonjës”, bërë i ditur nga Alberto Zakeroni në prag të ndeshjes delikate që bardhezinjtë do të zhvillojnë kundër Xhenoas. “Skuadra duhet të ketë më shumë besim në vetvete, - ka thënë trajneri bardhezi. - Kemi nevojë për mbështetjen e rezultateve”.

Një mbrojtje për grupin (”Nuk ka fërkime, ambienti është i bashkuar”) dhe një për Amaurin: “Nuk shënon për fajin e të gjithëve”. Zakeroni ka saktësuar se vështirësitë e hamendësuara brenda ekipit kanë lidhje me rezultatet e marra në fushën e lojës: “Ekipi vjen nga një seri rezultatesh negative, që ndikojnë edhe në humroin e lojtarëve”.

Prova e radhës do të jetë sfida me Xhenoan, skuadra e Xhian Piero Gasperinit, i cili shpesh përflitet si pasardhësi i mundshëm i Zakeronit në drejtim të Juventusit: “Do të luajmë kundër një kundërshtari që nuk e kemi frikë, por që e respektojmë shumë, sepse ka një trajner të aftë. Unë personalisht, do t’ia kisha dhënë atij çmimin “Stoli i artë”, - ka thënë Zakeroni. - Xhenoa zhvillon një lojë të bukur, ka lojtarë cilësorë. Por, unë jam i bindur se kam në dispozicion një skuadër shumë kompetitive. Por derisa kjo bindje nuk do të futet edhe në kokën e lojtarëve, nuk do të arrijmë të ndryshojmë ritmin. Kur kjo të ndodhë do të jemi në gjndje të ndëshkojmë kundërshtarët”. Në lidhje me skemën: “Moduli është elastik, - ka thënë Zak.

- Dëgjoj të flitet për një mbrojtje me tre lojtarë, por në të vërtetë kjo varet nga situatat. Në disa momente mbrohemi me pesë lojtarë, në momente të tjera me katër. Diferencën e bën interpretimi që lojtarët i bëjnë ndeshjes”. Dhe disa nga interpretuesit zhgënjejnë prej disa kohësh; si Amauri, për shembull. Por, për të ekziston një mbrojtje: “Një repart bën atë që repartet e tjera i lejojnë të bëjë, - ka thënë trajneri i Juves. - Amauri ka kaluar te bardhezinjtë duke treguar cilësi të rëndësishme dhe tani ka nevojë për ndihmën e të tjerëve.

Gjithsesi, ka një karakteristikë të rëndësishme: edhe kur nuk shënon, ekipi nuk luan asnjëherë me dhjetë lojtarë, sepse ai përpiqet ta ndihmojë në të gjitha mënyrat”. Ndërkohë, bashkë me të dëmtuarit e tjerë, Zakeroni shumë shpejt do të ketë në dispozicion edhe Iakuintën: “Jemi duke punuar për ta rikthyer në formën e tij më të mirë. Ka shumë dëshirë për të luajtur, por është e qartë se pasi ka qëndruar i ndalur për një kohë të gjatë, do të ketë disa probleme në fillim”, ka përfunduar Zakeroni.