14 shkurt 2010

Leonardo: Kundër Mançesterit si me Udinezen

Trajneri kuqezi është shprehur optimist në pritje të sfidës së Championsit me “Djajtë e kuq”
“Ky është mentaliteti i duhur për t’u përballur me Mançester Junajtid”, ka thënë trajneri i Milanit, pas fitores 3-2 të arritur kundër Udinezes. Kështu, fitoria ndaj Udienzes ka rikthyer buzëqeshjen në shtëpinë e Milanit. Pikërisht atë që kërkonte Leonardo në prag të këtij takimi. Një fitore e vuajtur ajo e Milanit, por e kërkuar deri në fund, edhe pse në përfundim të sfidës, trajneri kuqezi duhet të bëjë llogaritë me fatin e keq: dëmtimet e Tiago Silvës dhe Mansinit.
PERGJIGJE POZITIVE - Leonardo ka preferuar t’i marrë gjërat me radhë: janë edhe katër ditë nga sfida europiane dhe rikuperimi është i mundshëm. “Duhet të shohim, - ka thënë në lidhje me Tiago Silvën, - nuk duket një gjë serioze”. Në anën tjetër, Leo, ka marrë përgjigje shumë pozitive nga paraqitja që ka bërë skuadra kundër Udinezes. “Besoj se notat pozitive në këtë ndeshje janë të shumta: e para është fitoria. Një sukses jo i lehtë, i arritur.
Në fakt, në disa momente ka qenë një sfidë e vështirë, sepse dëshira jonë e madhe për të fituar, ka bërë që të gabojmë. Kemi pësuar golin e parë, kur duheshin dy sekonda para përfundimit të pjesës së parë. Por në pjesën e dytë kemi shkuar në 3-1. Jam i kënaqur për Huntelarin që ka shënuar dy gola, për Ronaldinjon që ka luajtur mirë, për Paton që është kthyer nga dëmtimi dhe ka zhvilluar një ndeshje të mirë dhe që ka shënuar, për Gatuzon që nuk ka luajtur shumë ndeshje dhe qëndrimi i tij ka qenë i shkëlqyer”. Pra, ka ardhur një paraqitje e mirë nga kuqezinjtë të premten në mbrëmje, në pritje të sfidës së të martës kundër Mançesterit.
SUPER MILAN - Do të duhet një paraqitje perfekte për të mposhtur “Djajtë e kuq”. Përsëritja e natës së magjishme të tre viteve më parë, kur Milani ka fituar 3-0 për të fluturuar më pas në finalen e Athinës, praktikisht është e pamundur të imagjinohet, por gjithsesi do të duhet të zbresë në fushën e lojës një super-Milan. Kështu, do të jetë thelbësore të gjehet ekuilibri i duhur në mbrojtje, pasi gabimet në rastin e kundërsulmeve të Udinezes kanë qenë të shumta. Kur mendon për Runin shqetësimi është më i madh. “Kjo ka të bëjë me atë që thashë më sipër: kur ke shumë dëshirë për të fituar egziston një farë ankthi dhe më pas gjërat e vogla të duken gabime të mëdha. Ne kishim nevojë për një paraqitje të mirë dhe për një fitore dhe ia kemi dalë mbanë”, ka thënë Leonardo.
TRADITA - Me pak fjalë, trajneri kuqezi nuk e ka humbur optimizmin dhe tri pikët e fituara e kanë qetësuar. “Kjo është përgjigjja më pozitive. Skuadra ka treguar se është e përqendruar. E ka nisur takimin me dëshirën për të fituar me çdo kusht. Diferencën e bën pikërisht ky mentalitet, që kundër Udinezes ka qenë i pranishëm që në fillim, edhe kundër Mançesterit duhet të bëjmë të njëjtën gjë”. Edhe precedentët ndihmojnë, për këtë është i bindur Adriano Galiani, që gjithashtu ka kërkuar edhe ndihmën e publikut. “Të martën në stadium nuk do të ketë asnjë vend bosh.