Gota e parë e Zakerionit si trajner i Juventusit ka qenë gjysmë e mbushur: nga debutimi i tij në drejtim të bardhezinjve, tekniku ka marrë mbi të gjitha gjërat pozitive: “Juvja ka treguar dëshirë për të fituar dhe ne do të përmirësohemi me kalimin e javëve, - ka thënë trajneri. - Ka shumë zemërim që duhet ta nxjerrim jashtë. Skuadra kërkon rezultatin, por e bën këtë në mënyrë të paqartë. Ka shumë punë për të bërë, por kemi një organikë aq të bollshme sa që kemi mundësinë për të fituar.
Kjo për ne do të thotë të shkojmë në zonën Champions”. Në lidhje me ndeshjen: “Kemi bërë disa gabime. - ka nënvizuar Zakeroni. - Në gjysmën e parë të orës nuk kemi shfrytëzuar lojën nga krahët, është e vështirë të çash mbrojtjen kundështare në rrugë qendrore. Ndeshjet fitohen dhe humben në mesfushë. Ne kemi elementë të mirë në këtë repart, por duhet të përmirësohemi”.