Vilareali shkarkon Valverden, ndërsa Valadolidi ndërpret bashkëpunimin me Medilibarin
Vilareali ka konfirmuar në postin e trajnerit, Huan Karlos Garridon, i cili do të zëvendësojë Ernesto Valverde, të shkarkuar vetëm pak orë pas humbjes në shtëpi ndaj Osasunës. Garrido ka drejtuar ekipin e dytë të Vilarealit dhe do të jetë në krye të “nëndetëses” deri në muajin qershor, atëherë kur do të vendoset me qetësi emri i trajnerit të ri të Vilarealit. Danezi Majkëll Laudrup është në krye të listës. Garrido, pas 12 vitesh punë në klubin e verdhë, mori drejtimin e Vilarealit “B” dy sezone më parë, duke e ngjitur këtë ekip në vendet e para të kategorisë së dytë spanjolle.
Ai e ka nisur menjëherë punën me skuadrën e parë, pasi Ernesto Valverde u paraqit për të përshëndetur për herën e fundit lojtarët e tij. Valverde tha: “Erdha t’i them mirupafshim skuadrës. Eshtë një situatë e pazakontë dhe e vështirë për mua. Klubi vendosi që nuk duhet të vazhdoja punën me Vilarealin dhe më vjen shumë keq.
Unë erdha këtu me shumë dëshirë për të bërë një punë të mirë, por që në fillim gjërat nuk shkuan ashtu si shpresoja. Falënderoj presidentin që më ka mbështetur në momentet më të vështira, në fillim të sezonit.” Vilareali ka humbur vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit, ku përfshihet edhe barazimi 0-0 me Barcelonën në “Kamp Nou”, por Valverde ka paguar çmimin për fillimin e dobët të sezonit dhe për eliminimin nga Kupa e Mbretit, ndaj Selta Vigos. Ai shtoi: “Nuk kemi luajtur mirë në dy-tri ndeshjet e fundit dhe eliminimi nga kupa ndikoi jo pak në imazhin tonë.
Gjithashtu, ndaj Osasunës nuk ishim mirë dhe mund të them vetëm se marr përsipër gjithë përgjegjësinë dhe pranoj vendimin e klubit.” 24 orë pas shkarkimit të Valverdes, një tjetër klub spanjoll, Valadolidi, ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Hoze Luis Medilibar. Drejtuesit e klubit e morën këtë vendim pasi Valadolidi barazoi me Almerian dhe gjendet vetëm një pikë mbi rënien nga kategoria. Valadolidi ka fituar vetëm tri nga 31 ndeshjet e fundit në kampionat.
Lajmin e shkarkimit e bëri të ditur presidenti i klubit, Karlos Suarez, i cili tha: “Hoze Medilibari nuk është më trajneri ynë. Ky është një vendim i dhimbshëm, sidomos në aspektin njerëzor, sepse po flasim për një profesionist të vërtetë që do të jetë gjithmonë i mirëpritur në stadiumi “Zorila”.”
Ashtu si në rastin e Vilarealit, edhe Valadolidi do të drejtohet nga trajneri i ekipit rezervë, Angel Onesimo Sançez, deri në fund të sezonit. 48-vjeçari Medilibar kishte që në vitin 2006 në stolin e Valadolidit dhe ishte i vetmi që e kishte mbajtur këtë ekip për dy sezone me radhë në kategorinë e parë. Ai bëhet trajneri i shtatë që e humb vendin e punës gjatë këtij kampionati, pas Valverdes (Vilareal), Resinos (Atletiko Madrid), Mandias (Santander), Toralit (Saragoza), Hugo Sançezit (Almeria) dhe Zigandas (Kserezit).