Fantazisti brazilian ka pranuar se Juventusi duhet të punojë akoma më shumë për t’u ringritur
Ka pasur momente të mbushura nga një heshtje shurdhuese në “Olimpikon” e mbushur me zemërim për strategët e Juventusit aktual dhe me nostalgji për skuadrën e viteve të kaluara. Ndeshja e parë e bardhezinjve, pas largimit të Ferrarës, nuk ka bindur. Janë munduar të bëjnë detyrën, pa kurajo dhe fantazi. Më shumë duket se kemi të bëjmë me një bllokim psikologjik sesa apatik.
Goli i dytë i kapitenit në këtë kampionat dhe i 170-ti në total në Serinë A, ku ndaj Lacios u ka shënuar 9 herë, nuk mjaftoi për të evituar irritimin e tifozëve bardhezinj. Më keq se kaq nuk mund të fillonte revolucioni i dimrit për bardhezinjtë. Kapiteni meriton një duartrokitje për sinqeritetin që ka treguar, te ka komentuar episodin e penalltisë: “Nëse do të më takonte mua të vendosja, do ta kisha dhënë penalltinë, por nëse një penallti e tillë do të jepej kundra skuadrës time, do të zemërohesha”.
Braziliani ka provuar të kërkojë aspektin pozitiv të ndeshjes me Lacion: “Luajtëm më mirë se Lacio, por ky është futbolli. Lacio barazoi, pavarësisht se, pati vetëm 2-3 raste. Ne bëmë gjithçka të mundur për të marrë fitoren, por mesa duket duhet të përmirësohemi akoma”. Juventini ka shkuar drejt e në thelb të problemit: “Nga njëra anë është një pozitive që krijuam shumë raste, por është e nevojshme të shënojmë më shumë, jo vetëm të shkojmë deri te zona e kundërshtarit.
Duhet të vazhdojmë të stërvitemi, tani kemi një javë kohë për t’u përgatitur. Më pas do të mendojmë për ndeshjen e radhës”, ka thënë Diego. Eshtë e natyrshme që kjo nuk u mjafton tifozëve, edhe pse braziliani është i bindur se ndryshimi i trajnerit ka shërbyer për të zgjuar ekipin: “Qëndrimi i skuadrës ka qenë më i mirë se në të kaluarën, por për të fituar nuk mjafton kjo, as vetëm të luash mirë, siç kemi bërë kundër Lacios”.
Në lidhje me këtë, Diego ka zbuluar edhe këshillat që i ka dhënë trajneri: “Zakeroni më ka kërkuar të lëviz shumë, për të pasur gjithmonë topin në zotërim. Dhe është pikërisht kjo që jam përpjekur të bëj në këtë takim”. Braziliani nuk shqetësohet nga atmosfera e tifozëve: “Protestat e tifozëve më demoralizojnë? Nuk është një problem. Tifozët mund të më kritikojnë, por unë jam këtu për të bërë profesionistin dhe për t’u stërvitur në maksimum”, ka përfunduar Diego.