13 shkurt 2010

Zakeroni bën psikologun: Na duhet vetëbesim

Në prag të ndeshjes delikate me Xhenovan në shtëpi, trajneri Alberto Zakeroni kërkon nga lojtarët të kenë më tepër besim në aftësitë e tyre.

“Duhet të rritim vetëbesimin. Po rritemi, por kemi nevojë për rezultate që do të na japin më tepër kurajë”, theksoi Zakeroni në konferencën për shtyp pasditen e sotme. Sipas tij, ekipi nuk vuan nga loja e dobët, por për shkak të mungesës së rezultateve. Më tej trajneri bardhezi shtoi se nuk ka frikë nga kundërshtari i nesërm, por gjithsesi e respekton.

“Ata luajnë një futboll të bukur, kanë shumë lojtarë cilësorë. Por duke parë vlerat e lojtarëve të mi, nuk i trembem kundërshtarit. Kemi futbollistë të mirë dhe së bashku formojnë një grup që mund të bëjë gjëra të mëdha. Por nëse këtë nuk e fiksojmë në kokë, është e vështirë”, nënvizoi Alberto Zakeroni.