13 shkurt 2010

Lumë golash në Shkodër, Vllaznia mund Skënderbeun 3-2

Sot u luajtën dy ndeshje nga java e 21-të e Superligës. Vllaznia fitoi me vështirësi në shtëpi ndaj Skënderbeut. Kastrioti barazon me Apoloninë, dje Laçi-Flamurtari 3-2.
Vllaznia ka fituar një ndeshje me gola dhe emocione të shumta ndaj Skënderbeut, me rezultatin 3-2. Të parët kaluan në epërsi miqtë nga Korça, që në minutën e 7-të, me anë të Malindit, ndërkohë që “flakë për flakë”, në minutën e 8-të, ka barazuar Belisha për vendasit. Dy gola të shpejtë, që kanë parathënë një ndeshje me plot emocione dhe luftë të fortë sportive.

Dhe kështu ka rezultuar, sepse golit të dytë të Vllaznisë, të shënuar nga Haxhibuliç në minutën e 54-t, i është kundërpërgjigjur menjëherë, pas katër minutash, Roshi, që ka barazuar përkohësisht shifrat në 2-2. Minuta e 62-të ka vendosur fatin e 90 minutave të ndeshjes së “Loro Boriçit”, teksa Shtubina ka shënuar golin e tretë dhe të fitores për Vllazninë.

Barazim i çmuar i Apolonisë në Krujë ndaj Kastriotit vendas. I pari ka shënuar Bërkic, duke i kaluar në epërsi fierakët, ndërkohë që ka barazuar Abazaj për vendasit. Rezultati 1-1 ka qenë edhe ai përfundimtar, që ka lënë më të kënaqur fierakët, të cilët luanin në transfertë dhe vinin pas një momenti jo të mirë.

Të dielën, sipas kalendarit, do të luhen dy ndeshje të tjera të javës së 21-të të Superligës. Sfida e Peqinit pritet me interes, nëse do të luhet, për shkak të kushteve të rënduara atmosferike, sepse Shkumbini nuk lëshon në shtëpi. Por, edhe Tiranës i duhet një rezultat pozitiv, sepse ka zhgënjyer në dy ndeshjet e fundit, kampionat dhe Kupë, ndaj duhet të bëjë autokritikë. Kurse Teuta udhëton drejt Ersekës për t’u përballur me Gramozin. Kryendeshja e javës së 21-të do të luhet të hënën në “Qemal Stafa” midis Dinamos kryesuese dhe Besës ndjekëse.

KATEGORIA SUPERIORE
Java e 21-të
(12.02.2010)
LAÇI-FLAMURTARI 3-2
Shënues: Kaja 2′, Veliaj 6′, Tanushi 29’ / Memelli 27’, Grami 42’

(13.02.2010)
VLLAZNIA - SKËNDERBEU 3-2
Shënues: Belisha 8’, Haxhibuliç 54’, Shtubina 62’ / Malindi 7’, Roshi 58’

KASTRIOTI - APOLONIA 1-1
Shënues: Abazaj 32’ / Bërkiç 18’

(14.02.2010)
SHKUMBINI - TIRANA
TEUTA - GRAMOZI

(15.02.2010)
DINAMO - BESA