17 shkurt 2010

Zak premton Championsin dhe më pas, lamtumirë!

Trajneri i Juves pranon: Sido që të shkojnë punët, do të mbetemi miq si më parë

Alberto Zakeroni ka arritur qëllimin për të rikthyer Juventusin tek fitorja, që në kampionat mungonte prej 40 ditësh. Suksesi 3-2 kundër Xhenoas i ka dhuruar tre pikë të çmuara dhe mbi të gjitha një lum polemikash për penalltinë, që i është dhënë Del Pieros nga arbitri Macoleni. Në lidhje me këtë trajneri bardhezi i ka idetë shumë të qarta: “Vetëm përsëritja e imazheve ka treguar se kontakti ka ndodhur jashtë zonës së rreptësisë, - ka thënë Zak.

-Në fushë askush nga lojtarët e Xhenoas, të Juves dhe aq më pak arbitri, që nuk ishte në një pozicion të mirë, nuk e ka vënë re këtë, ndaj të gjithë kemi qenë të sigurtë që ishte penallti. Por faulli ishte, Del Piero ka humbur ekuilibrin.

Gasperini ka folur për dinakëri? Po tërhiqte këmbën për t’u koordinuar, këtë Gasperini duhet ta dijë. Madje, Aleksi nuk ka kërkuar as penallti. Mourinjo polemist? Nuk dua të flasë për problemet që ka Juventusi, por e kuptoj se mendon për Interin. Nuk dua që ai të merret për atë që ndodh në fushën e skuadrës time. Ai drejton Interin, unë Juventusin dhe për atë që ka të bëjë me Juven merrem vetëm unë. Dhe deri në momentin që unë do të jem këtu askush nuk duhet të guxojë të ma prekë ekipin”.

Trajneri që ka fituar kampionatin italian me Milanin në vitin 1999 është shprehur i kënaqur për faktin se është kthyer të drejtojë një skuadër dhe ka vetëm një objektiv në mendje: “Kam qëndruar për tre vite pa punuar, edhe për faktin se nuk më pëlqen të dal në televizor dhe se nuk kam një menaxher, - ka shtuar Zakeroni. - Kam patur frikë se jam harruar nga të gjithë, por kam patur forcën për të pritur. Juvja ishte e qartë dhe kur ndodh kështu nuk ka asnjëherë probleme.

Më kërkuan të arrij një objektiv dhe është në dorën time të bëj të mundur që skuadra të sigurojë një vend në Championsin e ardhshëm. Nuk ka rëndësi nëse është një vend i tretë apo i katërt. Kontrata ime skadon më 30 qershor.

Por qëndrimi im është i ngjashëm me atë të një njeriu që ndodhet këtu për të qëndruar 20 vjet dhe lojtarët më trajtojnë sikur të isha unë ai që vendos se kush do të largohet apo do të qëndrojë në fundin e sezonit. Një rinovim i mundshëm? Nuk e di se cilat janë planet e klubit, gjithsesi unë nuk pres asgjë. Në fundin e sezonit secili do të bëjë vlerësimet e veta dhe më pas do të jemi miq si më parë”, ka thënë Zakeroni.