20 shkurt 2010

Volfsburgu, kampionët flasin për “mbijetesë”

“Ujqërit” nuk fitojnë prej 12 ndeshjesh dhe kanë zbritur në vendin e 12-të. Sot sfida me Hanoverin
Për Volfsburgun kampion tani ekziston rreziku real i rënies nga kategoria pasi kjo skuadër ka 12 ndeshje që nuk fiton, rekordi më negativ nga një skuadër kampione. Volfsburgu do të përpiqet të bëjë kthesë që me ndeshjen e nesërme kundër Shalkes, ndeshja e tretë radhazi kundër një skuadre të kreut.
Kryesuesit e Bajer Leverkusenit, që nuk njohin humbje që prej 22 ndeshjesh në kampionat, luajnë kundër Verder Bremenit të vendit të gjashtë, ndërsa Bajerni i Mynihut, fitimitar në 13 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, luan kundër Nuremburgut sot. Volfsburgu ka rënë në vendin e 12-të me 25 pikë në 22 ndeshje dhe është vetëm tetë pikë para Hanoverit, që është në vend të 16-të dhe është në vendin e skuadrës që luan në “play off” për të mos rënë nga kategoria.
Trajneri Armin Veh u shkarkua muajin që shkoi dhe është zëvendësuar nga Lorenz Gunter Kostner, që do ta mbajë këtë detyrë deri në fund të sezonit, të paktën kështu i kanë thënë atij. “Ende nuk jemi në rrezik të madh, por na duhen të paktën tri fitore në 12 ndeshjet e ardhshme”, ka thënë menaxheri i përgjithshëm i këtij klubi, Diter Hënes për “Bild”. Organizatori, Zvjezdan Misimoviç, ishte më i hapur: “Ne jemi duke luftuar për të mos rënë nga kategoria”, tha ai për gazetën “Welt”.
Nuremburgu ka qenë skuadra e fundit kampione në fuqi që ka rënë nga kategoria, pasi në sezonin 1968/69 ra një kategori më poshtë, pasi një sezon më parë fitoi titullin kampion në Bundesligë. Hera e fundit kur një skuadër kampione ka qenë në një renditje kaq të keqe ka qenë në sezonin 1974/75, kur Bajerni i Mynihut me lojtarë si Sep Majer, Franc Bekenbauer dhe Gerd Myler ishte në vend të 14-të. Ecuria e keqe e Volfsburgut ka përkuar me rënien e formës së sulmuesit brazilian Grafite, që vjet ishte lojtari më i mirë në Bundesligë, por edhe me dëmtimin e portierit Diego Benalio.
Dy javë më parë ata u mundën 3 1 nga Bajerni, ndeshje që vjet e fituan 5 1. Javën që shkoi u mundën 2 1 nga Leverkuseni, ku portieri rezervë Andre Lenz e dhuroi golin e parë dhe më pas bëri një autogol. Shalke, që drejtohet nga Feliks Magat, që e çoi Volfsburgun drejt titullit vjet, do të shpresojë të përfitojë nga situata dhe të afrohet më shumë me kryesuesit. Në krye të tabelës së renditjes, Leverkusen dhe Bajern kanë nga 48 pikë.