20 shkurt 2010

Barça pa Ksavin, Reali vazhdon “gjuetinë”

Organizatori mungon në ndeshjen e kryesuesve ndaj Santanderit. “Merengesit” presin Vilarealin
Barcelona kryesuese nuk do të ketë “esencën” e skuadrës, organizatorin Ksavi për ndeshjen e sotme ndaj Santanderit, ku katalanasit kërkojnë me çdo kush rikthimin te fitorja. 30-vjeçari ka pësuar një tërheqje muskulare gjatë ndeshjes së fundit, ku Barça u mund 2-1 ndaj Atletikos së Madridit, dhe do të mungojë për dy javë.
Ksavi kishte qenë i pranishëm në të 22 ndeshjet e luajtura në këtë kampionat. Humbja e parë e Barcelonës në fundjavën e kaluar i dha mundësinë Realit të Madridit ta ngushtonte në dy pikë diferencën me kreun. “Ksavi është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Eshtë ai që kontrollon ritmin e lojës, - tha mesfushori Serxhio Buskets, i cili do ta zëvendësojë.
- Ai është esenca e skuadrës së Barcelonës. Shpresojmë që mos ta ndjejmë aq shumë mungesën e tij.” Ksavi ka pasur probleme muskulare, ashtu si Jaja Ture, Dmitri Çigrinskij, Daniel Alvesh dhe Seidu Keita, të padisponueshmit e tjerë sëbashku me Erik Adidalin. Gjithsesi kampionët rigjejnë shërbimet e dy qendërmbrojtësve të skualifikuar Rafael Markez dhe Zherard Pike. Skuadra e Guardiolës do të ndeshet me Shtutgartin, në mesjavë për Ligën e Kampioneve.
Kënaqësia e Realit për rrëshqitjen e Barcelonës zgjati shumë pak, sepse “merengesit” pavarësisht se hapën kampionatin spanoll, vunë në dyshim vazhdimësinë në Champions, teksa u mundën 1-0 nga Lioni, ditën e mërkurë, për 1/8-t e finaleve.
Skuadra e Pelegrinit, që nesër do të presë Vilarealin, ka qenë vetëm një hije e largët e asaj që i ka fituar të gjitha ndeshjet e luajtura në “Santiago Bernabeu” gjatë këtij kampionati. “Ndeshja ndaj Vilarealit është shumë e rëndësishme, sepse ky ekip po përmirësohet dita-ditës, - tha mbrojtësi i Reali,t Alvaro Arbeloa.
- Pastaj, ne duhet t’u rikthehemi fitoreve pas humbjes në Lion.” Vilareali pritej të ishte në garë për një vend në Kupat e Europës, por aktualisht renditet në vendin e dhjetë. Huan Karlos Garrido ka zëvendësuar trajnerin Ernesto Valverde.
Garrido ka qenë një nxënës i Manuel Pelegrinit, trajnerit aktual të Real Madridit. Të enjten, Vilareali barazoi 2-2 me Volfsburgun për 1/8-t e finaleve të Ligës së Europës. “Nëndetësja e Verdhë” është 14 pikë larg Valencias së vendit të tretë, e cila pret Getafen, ditën e hënë. Majorka e vendit të pestë do të ndeshet me Seviljen e vendit të katërt në “Ono Estadi”, atje ku asnjë skuadër udhëtuese nuk ka fituar në këtë sezon.
Granero, mesfushori i Real Madridit, ka deklaruar se futbollistët janë totalisht në krah të trajnerit Manuel Pelegrini, i cili është kritikuar pas humbjes së Realit në Lion për Ligën e Kampioneve. “Ne kemi një trajner që e di atë që bën. Të gjithë besojmë se puna e tij do të na çojë te suksesi dhe nuk duam të punojmë me dikë tjetër,” - tha Esteban Granero.
Van der Vart, mesfushori holandez i Realit të Madridit, është stërvitur rregullisht me skuadrën dhe do të grumbullohet nga trajneri Manuel Pelegrini, për ndeshjen e nesërme ndaj Vilarealit. Mesfushorët Guti dhe Drente janë stërvitur në palestër, sëbashku me mbrojtësit Metzelder, dhe janë në dyshim për ndeshjen ndaj “nëndetëses së verdhë”.
Diego Lopez, portieri i Vilarealit, mendon se humbja e Realit në Lion mund të ndikojë në dy mënyra. “E para është negativja: do të jenë nervozë dhe ne mund të përfitojmë. E dyta është e rrezikshme për ne, sepse mund të jenë të vendosur të bëjnë autokritikën me çdo kusht,” - tha portieri i tretë i kombëtares spanjolle gjatë një konference për shtyp.
Atletiko e Madridit duhet të harrojë fitoren 2-1 ndaj Barcelonës në javën e kaluar dhe të përqendrohet maksimalisht te sfida e nesërme ndaj Almerias, tha mesfushori Raul Garisa. “Ne kemi mundur ekipin më të fortë në botë, por besimi i tepruar mund të jetë i dëmshëm, -u shpreh ai. - Almeria është një skuadër e fortë, që është përmirësuar ndeshjet e fundit.”