Shefki Kuqi mendon se skuadra e tij Swansea City mund ta përfundojë sezonin në Top 6 skuadrat e Championship. Mirëpo, ai e pranon se Swans i nevojiten minimumi 75 pikë, për ta arritur këtë objektiv.
Kuqi, i cili me Ipswich Town dy herë kishte shkuar deri në play-off, por që kishte dështuar të ngritej në Premierligë, beson se paraqitjet e mira të Swanseas, mund ta shpërblejnë këtë skuadër në fund të sezonit.
Swanseas i nevojiten edhe 22 pikë, në 14 ndeshjet e mbetura në Championship, për të shkuar në garat shtesë. Në bazë të statistikave, në 10 sezonet e fundit, ekipeve u është dashur një mesatare prej 72.4 pikësh, për ta mbërri play-offin.
“Mendoj se 75 ose 76 pikë do të na garantonin neve një vend në play-off, kështu që ne duhet të punojmë ende për ta arritur këtë. Kjo është ligë e fortë dhe gjithçka mund të ndodh. Ju mund të shikoni se diferenca në mes të ekipeve të pjesës së epërme dhe te poshtme të tabelës është mjaft e vogël. Sipas meje, nuk nevojiten më shumë pikë për ta arritur play-offin, ngase tashmë është shumë ngushtë, çdokush po e mposht çdokënd”, theksoi Kuqi, i cili shtoi se ende nuk dihet se cilat skuadra do të përfundojnë në play-off dhe cilat në dy pozitat e para, që shkojnë direkt në Premierligë.
“Puna jonë është që të punojmë fort dhe të mundohemi të nxjerrim sa më shumë pikë që mundemi nga çdo ndeshje që do ta zhvillojmë”, shtoi ai.
33 vjeçarit i vjen keq që Swansea nuk mundi t’i mposhtte Plymouthin e Newcastlen, por thotë se ekipi luajti mirë kundër Derby County. Paraqitjet e mira me Swansean mund të bëjnë që selektori finlandez, Stuart Baxter, ta ftojë atë për miqësoren me Maltën.