Ashtu siç pritej, drejtuesit e Kosovës së Vushtrrisë i kanë liruar nëntë futbollistë nga ekipi, tek të cilët nuk llogaritin në vazhdim të sezonit.
Klubi vushtrrias ka liruar Xhavit Mehmeti, Bekim Musliu e Alban Hoxha (pritet t’i bashkohen Ulpianës), Armend Zabërgja e Florim Sokoli (që do të luajnë me Trepçën ’89), Emin Rama (në Flamurtar ose Ballkan) si dhe Festim Istrefi, Kujtim Pantina e Faruk Zeneli.
Sipas nënkryetarit të klubit bardh e kaltër Basri Asllani, arsyet e lirimit të tyre janë të ndryshme.
“Arsyet ishin të ndryshme: kishte prej tyre që ishin të vjetër, disa nuk ishin të rregullt në stërvitje, me disa nuk ishim të kënaqur dhe kishte prej tyre që kërkuan të largoheshin”, tha Asllani.
Çështja e trajnerit mbetet pezull
Edhe pse pritej që të hënën të zyrtarizohej emri i trajneri të ri, kjo çështje ka mbetur pezull. Nënkryetari Asllani tregon se në parim kanë arritur marrëveshje me trajnerin Besnik Kollari.
”Kemi arritur marrëveshje me Besnik Kollarin për një vit e gjysmë, me mundësi vazhdimi edhe për një vit. Po presim vetëm që ai të lirohet nga Prishtina, ku ka obligime pasi është trajner i të rinjve dhe më pas ta zyrtarizojmë këtë kalim”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Besnik Kollari i ka thënë Gazetës Express se ende asgjë nuk ka konkrete rreth angazhimit të tij në Kosovën e (V), për të cilin klub ka një simpati pasi aty ka filluar karrierën si futbollist dhe si trajner.