04 shkurt 2010

Spanja kryeson renditjen e FIFA-s, Egjipti i dhjeti

Spanja ka ruajtur vendin e parë në renditjen botërore të FIFA-s, të bërë publike dje, ndërkohë që kampionët e Afrikës, Egjipti, janë ngjitur në vendin e dhjetë. SHBA-të janë në vendin e 14-të, duke u prirë skuadrave të zonës CONCACAF. Meksiko ishte në vend të 17-të. Spanja pasohej nga Brazili dhe Holanda. Kampionia e botës, Italia, është e katërta, ndërsa Portugalia në vend të pestë. Argjentina ka ruajtur vendin e tetë, e pasuar nga Anglia.
Egjipti ka zënë vendin e dhjetë, pasi fitoi Kupën e Afrikës dhe ngjiti 14 vende, duke spostuar nga vendi i dhjetë Kroacinë. Egjipti kishte zënë më parë vendin e 15-të, në janar të vitit 2009. Nigeria ka zënë vendin më të lartë të arritur ndonjëherë nga një skuadër afrikane, duke u renditur në vend të pestë, në prill të vitit 1994 dhe ishte futur në dhjetëshen e parë në vitin 2006.
Nigeria, që shkoi deri në gjysmëfinale në Kupën e Afrikës 2010, u ngjit shtatë vende deri në vendin e 15-të, ndërsa Gana ngjiti po aq vende dhe shkoi në vendin e 27-të. Kameruni ra gjashtë vende në të 22-tin. Australia është skuadra e renditur më lart nga skuadrat aziatike, në vendin e 23-të, rënie me dy vende, kurse Japonia është në vendin e 40-të, ka ngjitje prej tre vendesh. Zelanda e Re, pjesëmarrëse në Kupën e Botës nga Oqeania, u ngjit tre vende në të 79-tin.