04 shkurt 2010

Rauli kërkon garanci për statusin!

Kapiteni i Realit është vënë në dilemë, pasi ka humbur vendin e titullarit
Legjenda e Real Madridit do të kërkojë garanci në lidhje me statusin e tij në klub, para se të vendosë për të ardhmen e tij. Sulmuesi i njohur është një ikonë për pasuesit e Realit, pasi ka hyrë në historinë e këtij klubi me rekordet e tij.
Ai e ka kaluar tërë karrierën e tij te ky klub, që është klubi i vendlindjes së tij, duke qenë gjatë gjithë kohës titullar. Ai i ka rezistuar me sukses ofertave që e ftonin të largohej nga Spanja. Raul ka qenë burim i vazhdueshëm golash për klubin e tij gjatë kësaj kohe. Por ai tashmë nuk është titullar dhe e sheh shpesh veten duke e nisur ndeshjen nga bankina.
Ai megjithatë këmbëngul se është i lumtur të qëndrojë te Reali për momentin, duke pohuar se do të vijë koha kur do të vendosë për të ardhmen. Lojtari 32-vjeçar ka pohuar se situata e tij aktuale nuk është ideale, sidomos për një njeri që ka pasur karrierë aq të shkëlqyer, por ai e ka pranuar faktin se do të vinte një ditë kur nuk do të ishte më në qendër të vëmendjes. “Nuk është situatë ideale të jesh në bankinë. Për 15 vjet kam fituar praktikisht gjithçka dhe në tre muajt e fundit kam luajtur më pak. Herët a vonë do të vinte ky moment.”