04 shkurt 2010

Del Boske i hap derën Gutit…!

Trajneri i kampionëve të Europës mund ta grumbullojë mesfushorin e Realit në Kupën e Botës
Visente del Boske, trajner i Spanjës, beson se veterani i Real Madridit, Guti, ka të gjitha mundësitë që të jetë i pranishëm në ndeshjet e Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut. Trajneri spanjoll ka pohuar se Anglinë dhe Brazilin i sheh si rivalët kryesorë për Botëror.
Disa njerëz kanë bërë thirrje që Guti të përfshihet në përfaqsësuese dhe 33-vjeçari i tregoi vlerat e tij me një aksion të veçantë, kur me thembër pason topin për Benzemanë në fitoren 3-1 kundër Deportivo La Korunjas në fundjavë.
Ky ishte përfundimisht sinjali se ai është kthyer në formë, pasi la pas një periudhë të vështirë në “Bernabeu”. Ai për pak mund ta kishte lënë skuadrën para një muaji e gjysmë, pasi u la jashtë skuadës për rreth dy muaj, kur qarkullonin zëra se ishte zënë me trajnerin Pelegrini.
Skuadrat angleze të Premier Ligës, si Totenham dhe Bolton janë përfolur si destinacioni i mundshëm i mesfushorit që ka luajtur gjatë tërë karrrierës së tij te Reali. Guti nuk ka luajtur me përfaqësuesen spanjolle që prej vitit 2005, por Del Boske insiston duke thënë se mund ta grumbullojë për në Kupën e Botës.
Del Boske ka thënë: “Nëse do të mund të zgjidhnim një skuadër çdo javë, Guti do të ishte aty. Guti luajti mirë në “Riazor”. Ai ka karakteristika të ndryshme, vizion të mirë dhe teknikë të kënaqshme”, ka thënë trajneri i Spanjës. “Ai nuk është thjesht i mirë teknikisht, por edhe fizikisht. Guti ka një talent të madh dhe aftësi të jashtëzakonshme fizike. Ai është lojtar i shpejtë dhe i fuqishëm përveçse teknik dhe i zgjuar.
Fytyra e tij nuk e tregon moshën e tij dhe në fakt ai është shumë i fortë. Para dy javësh, ata donin ta shisnin Gutin, nuk e di ku, kurse tani do të jetë në përfaqësuese”, ka shtuar ai. Spanja është kualifikuar në vend të parë në grupin e vet, duke i fituar të dhjeta ndeshjet. Kampionët e Evropës janë sigurisht favoritë për titullin dhe Del Boske mendon se dy janë skuadrat që mund t’i konsiderojë si rivalët më të fortë: Anglia dhe Brazili.
“Anglia ka forcë fizike, aftësi teknike dhe janë shumë kompetitivë”, ka thënë trajneri spanjoll. “Unë mendoj se kemi një skuadër të madhe. Në kampionatin e fundit evropian Anglia nuk mori pjesë, por mësoi shumë. Anglia bën stil të veçantë loje me lojtarë si Frank Lampard dhe Stiven Xherrard. Brazili ka një skuadër të fortë fizikisht. Çdo skuadër që mund të ketë Dani Alveshin si rezervë, nuk mund të jetë e keqe.”