23 shkurt 2010

Shtyhet edhe Kupa, tri çerekfinale më 10 mars

Terrenet e rënduara nga reshjet e shumta të shiut dhe dëborës në juglindje të vendit kanë prishur edhe kalendarin e Kupës së Shqipërisë. Çerekfinalet e kupës duhet të përfundonin këtë të mërkurë, por e verteta është se vetëm në çiftin Tirana-Besa do të kemi një të kualifikuar.
Shkumbini-Dinamo, e shtyrë për shkak të terrenit të rënduar, do të luhet nesër, ndërsa Gramozi-Teuta të dielën, në të njëjtën ditë kur luhet Skënderbeu-Shkumbini për kampionat. Tri ndeshjet e kthimit çerekfinale të kupës do të luhen më 10 mars, në mesjavë, datë që ishte përcaktuar për gjysmëfinalet e para të kupës (gjysmëfinalet do të luhen një javë më pas dhe ndeshjet e kthimit sërish pas një jave).