23 shkurt 2010

Futbolli Shqiptare ne Grande Juve

Shulku: Moti i keq? Skënderbeu të gjejë fushë

Në rajonin juglindor të Shqipërisë, ku shtrihet edhe qyteti i Korçës, moti vazhdon të jetë i keq, me reshje të shiut dhe dëborës, dhe askush nuk siguron për këtë të enjte dhe të dielën që vjen (data të përcaktuara për dy ndeshjet e prapambetura të Skënderbeut).
Fusha e Korçës e detyroi një herë sektorin e garave të shtyjë datat e superiores, por kjo s’mund të ndodhë sërish. “Shpresojmë të mos jetë situatë e rëndë, për të mos luajtur sërish. Superiorja u shty një herë dhe nuk mund të gjejmë data për ta shtyrë prapë. Skënderbeu, nëse nuk ka fushë, ta gjejë në një vend tjetër. Kampionati nuk mund të rrijë peng i një skuadre,” - është shprehur shefi i sektorit të garave, Ilir Shulku.

Komisioni i verifikimit, sot lista përfundimtare

Komisioni i Verifikimit i Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore do të vendosë sot për tri klubet që kishin përplasje të dokumentacionit për emrin e kandidatit për anëtar të KE-së dhe delegatit. Ky komision u kishte lënë tri ditë kohë Partizanit, Tepelenës dhe Tomorit për të sheshuar mosmarrëveshjet. Sot do të merret vendimi përfundimtar për kandidaturën apo delegatin që do të pranohet për këto klube.

Martini: Vllaznia la dy pikë në Ersekë

Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, mendon që ekipi mund të kishte marrë fitoren me Gramozin
Në Ersekë skuadra që ai drejton ka luajtur përgjithësisht mirë. Madje opinioni i përgjithshëm është se Vllaznia ka lënë dy pikë në këtë ndeshje. Pavarësisht kësaj, trajneri Edi Martini, më shumë se për gjithçka tjetër, është i kënaqur për vazhdimësinë e rezultateve pozitive që po tregon skuadra e tij. Duke folur në lidhje me takimin e fundit ndaj Gramozit, numri një i pankinës shkodrane do të thoshte: “Që para ndeshjes e kam deklaruar në mënyrë të prerë që nga Erseka Vllaznia nuk do të kthehej pa pikë. Këtë e bazoja te gjendja e skuadrës, tek elementi që kam në dispozicion dhe te përvoja e tyre.
Në fakt, ashtu siç shkoi ndeshja, edhe duhej ta kishim fituar takimin, sepse në pjesën e parë, përveçse shënuam një gol, mund të kishim shënuar edhe ndonjë tjetër dhe do ta kishim mbyllur ndeshjen që në 45 minutat e para. Në të dytën, ndërkohë, pësuam gol shpejt dhe kjo u dha zemër vendasve që ushtruan më tepër presion në kërkim të fitores. Edhe në këtë pjesë loje patëm dy mundësi të mira, sidomos ajo e Balës, që shmangu edhe portierin dhe goditi vetëm rrjetën e jashtme, por sërish nuk realizuam.
Në përfundim të gjithë kësaj pasqyre të ndeshjes, mund të them se barazimi ishte rezultati më i drejtë, megjithatë ne meritonim diçka më tepër, sepse e administruam më mirë lojën.” Skuadra shkodrane, në fakt, përveçse gaboi përpara portës kundërshtare në disa momente, edhe pësoi gol në mënyrë krejt të lehtë.
Portieri dhe mbrojtja nuk arritën ta largonin siç duhet topin nga zona, edhe për shkak të baltës së madhe dhe për pasojë e pësoi. Megjithatë, edhe barazimi nuk është keq, sepse në fund të fundit i dha një pikë Vllaznisë dhe njëkohësisht kjo ishte e katërta ndeshje radhazi që ajo nuk humbet. Këtë fakt evidenton edhe trajneri Martini, që thotë: “Barazimi ndaj Gramozit, në pamje të parë, nuk është se na rregulloi shumë punë, por, nga ana tjetër, konfirmoi edhe një herë momentin e mirë që po kalojmë.
Kjo ishte ndeshja e katërt radhazi që nuk humbasim, me dy fitore dhe dy barazime. Një ecuri e tillë tregon se Vllaznia po i lë një herë e mirë prapa problemet që ka patur dhe po krijon vazhdimësi në rezultatet e saj. Eshtë kjo ajo që i ka munguar kësaj skuadre më përpara dhe tashmë gradualisht po ia rikthejmë. Te lojtarët është rritur besimi dhe kjo është shumë pozitive. Megjithatë, Vllaznia është ende në një pozicion jo të mirë në renditje dhe, për këtë arsye, duhet të shtrëngohemi sërish për të bërë më të mirën në çdo ndeshje.”

Shkodranët: Shtyrja e kampionatit, jo mirë për ne

Shtyrja me të paktën një javë e ndeshjeve të kampionatit nuk është pritur aq mirë në kampin shkodran. Vllaznia është duke kaluar një moment shumë të mirë në këto ndeshjet e fundit dhe, për rrjedhojë, drejtuesit e saj do të kishin dëshirë që kampionati të vazhdonte të luhej me rregullsinë e kalendarit. Por kjo nuk është në dorën e tyre, sepse kanë vendosur kushtet atmosferike dhe mosluajtja e dy ndeshjeve në Korçë sikur e ka bërë lëmsh kampionatin.
Duke qenë kështu, të shtunën Vllaznia nuk do të luajë ndeshjen e saj të radhës. “Nëse do të ishte në dorën tonë, nuk do të kishim dëshiruar që kampionati të shtyhej, sepse Vllaznia po kalon një moment të mirë dhe, për pasojë, do të kishim dëshirë të luanim rregullisht. Por meqë janë faktorë të tjerë që e kanë bërë të detyrueshme këtë gjë, në njëfarë mënyre e ka një të mirë. Me fillimin e marsit, shpresoj se edhe kushtet atmosferike do të përmirësohen dhe do të luajmë në fusha më të mira,” - ka pohuar trajneri Martini.

Lika: Nuk u zgjidh gjithçka me këtë fitore

Trajneri i Apolonisë kërkon nga të tijtë të mos e ulin tempin, përkundrazi, të luajnë fort
Fierakët kanë arritur një nga fitoret më të bukura dhe mbresëlënëse në këtë kampionat. Apolonia ka shpartalluar 3 0, as më pak e as më shumë, por Dinamon kryesuese.
Pas javës së shtatë, kur fierakët fitonin me të njëjtat shifra përballë Gramozit. Blutë kanë ardhur me trumbetimin dhe “zhurmën” e skuadrës që ka vendosur bindshëm “diktatin” e saj në këtë sezon të superligës, por në fushën e lojës dinamovitët duket se nuk kanë pasur motivimin e duhur. “Të dirigjuar” nga kapiteni Mladen Brkiç, që ka qenë në superformë, Apolonia ka interpretuar në mënyrë virtuoze në tapetin e blertë dhe ka impresionuar sportdashësit e saj të shumtë. Dhe rezultati nuk ka vonuar të vijë.
Pas dy golave të kapitenit Brkiç, do të ishte Mone ai që do të mendonte për t’i dhënë kësaj ndeshjeje shifra historike. I tillë është futbolli, shpërblyes atëherë kur në fushë vë shpirtin dhe zemrën për t’i dhënë skuadrës fitoren, duke mos e marrë parasysh nivelin e kundërshtarit, qoftë kjo edhe kryesuesja e evenimentit.
Trajneri Lika ka qenë i kënaqur pas kësaj ndeshjeje, pasi skuadra e tij është rikthyer te fitorja, rezultat që i mungonte që nga java XV. “Ka qenë një ndeshje e fituar në të gjitha drejtimet nga skuadra jonë, ka deklaruar trajneri i Apolonisë. Nuk është vetëm rezultati, por ekipi ka zhvilluar një nga lojërat e tij më të mira, sidomos në pjesën e dytë. Isha i sigurt se me Dinamon, ashtu si ndodh në përgjithësi me kundërshtarët e fortë, Apolonia do të tregonte nga vlerat e saj më të mira dhe nuk kam dalë i zhgënjyer.
Kjo ndeshje na ka treguar të gjithëve se ç’është në gjendje të bëjë Apolonia në ditën e saj. Të gjithë futbollistët kanë luajtur shumë të motivuar dhe kanë qenë në lartësinë e duhur në zbatimin e detyrave të ngarkuara. Ka qenë një fitore me mjaft vlera, sidomos në vazhdimësinë e kampionatit.” Por nga ana tjetër, numri një i stolit fierak nuk harron që të apelojë në drejtim të skuadrës së tij, duke kërkuar që futbollistët të mos bien në eufori, por të qëndrojnë me këmbë në tokë. “Ka qenë vetëm një ndeshje dhe kjo nuk mjafton.
Ne nuk mund të jemi të qetë dhe nuk mund ta ulim tempin tonë, pasi një gjë të tillë nuk na e lejon pozita që kemi në renditje. Duhet të jemi realistë që kemi edhe 11 ndeshje shumë të vështira përpara, në të cilat ne duhet të japim më të mirën tonë dhe të luajmë ashtu si kemi bërë dhe me Dinamon. Në fund le të bëjmë bilancet pastaj, tani na duhet vetëm të ulim kokat dhe të përgatitemi me seriozitet, për të mundësuar gjatë fazës së tretë një ngjitje të pritshme të Apolonisë, sepse kjo skuadër e meriton me atë që ka bërë gjatë këtij sezoni,” është shprehur midis të tjerave trajneri i Apolonisë, Hasan Lika.

Zeqo i bindur: Skënderbeu do të shpëtojë!

Presidenti i korçarëve deklaron se kampionati është i gjatë dhe se skuadra e tij do të qëndrojë
“Jo më kot ndodhem në krye të Skënderbeut si president dhe së bashku me donatorët e tjerë që jemi këtu në Korçë, për vetëm qëllimin që ta shpëtojmë Skënderbeun. Dhe unë bashkë me të tjerët jam i bindur që kemi për ta arritur një gjë të tillë dhe, sido që të rrjedhin ngarjet, Skënderbeu ka për të qenë edhe sezonin tjetër në superligë.” Me këto fjalë është shprehur nga Korça presidenti Agim Zeqo, që duket se bashku me gjithë donatorët e tjerë është duke bërë të pamundurën që Skënderbeu të jetë ndryshe deri në fund të kësaj superlige.
Madje dora e presidencës së re ndihet fare qartë edhe në skuadër, atje ku të gjithë futbollistët, duke shtuar edhe ata që kanë mbërritur ditët e fundit, janë më optimistë që kanë për ta shpëtuar këtë Skënderbe. “Ashtu si edhe në biznesin tim, dua që edhe në futboll të jem i suksesshëm dhe pa diskutim që do të jem. Të gjithë që po financojnë te Skënderbeu janë njerëz të nderuar, që kanë arritur suksese në fushat e tyre, dhe s’ka se si të ndodhë ndryshe edhe te Skënderbeu.
Jam i bindur me 100% që kemi për të shpëtuar dhe mos harroni se kemi edhe jo pak, por 13 ndeshje për të luajtur deri në fund, pra janë 39 pikë në lojë. Pas bisedave që kam pasur me stafin teknik dhe me futbollistët, të gjithë janë të gatshëm të japin më se 100% dhe këtë keni për ta parë. Unë e kam thënë qysh në fillim se në këtë sezon do të shpëtojmë dhe mot keni për të parë një Skënderbe që do të pretendojë titullin dhe këtë e deklaroj me bindjen më të thellë. Skënderbeu e meriton të jetë në superligë dhe vetëm këtu e ka vendin.
Tani jemi duke menduar vetëm për dy ndeshjet e radhës, me Shkumbinin dhe më pas me Teutën dhe besojmë se do t’i kalojmë me sukses,” ka deklaruar presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo. Tashmë korçarët janë duke menduar vetëm për këto dy ndeshje dhe dje Skënderbeu ka zhvilluar stërvitjen e radhës në fushën e fshatit Rëmbec, pasi në stadium do të luhet vetëm ditën e ndeshjes, në mënyrë që fusha të ruhet dhe të mos ketë probleme për takimin e radhës.

Të enjten me Teutën, të dielën ndaj Shkumbinit

Përfundimisht, dje është njoftuar edhe klubi juglindor në lidhje me data e zhvillimit të dy ndeshjeve të prapambetura. Në këtë mënyrë, ditën e enjte, pra më 25 shkurt, do të luhet ndeshja e parë e prapambetur mes Skënderbeut dhe Teutës, ndërkohë që disa ditë më vonë, pikërisht ditën e diel, më 28 shkurt, do të zhvillohet edhe ndeshja tjetër Skënderbeu Shkumbini.

Fitorja e Partizanit lë vend edhe për kritika

Tripikëshi me Adën ka qenë i dyti radhazi për të kuqtë, por stafi kërkon më shumë nga ekipi
Të shtunën, të kuqtë e trajnerit Skerdi Bejzade morën maksimumin, ku fitorja 2-0 me Adën ishte e dyta radhazi. Ndaj velipojakëve Partizani kishte synim vetëm tripikëshin, pasi, sipas drejtuesve, është koha që ekipi të rikuperojë sa më shumë pikë dhe të afrohet me rivalët.
Suksesi i së shtunës e ka rrituar akoma më tepër moralin në kampin e kuq, por për stafin drejtues, si dhe vetë lojtarët, nuk ka kohë për të festuar, pasi Partizani fitoi vetëm finalen e radhës dhe të tjera e presin. Të besuarit e trajnerit Bejzade e zgjidhën shumë shpejt fatin e takimit me Adën, por në total skuadra shfaqi edhe disa mangësi, të cilat dje janë kritikuar në analizën që i është bërë ndeshjes.
Pas dy golave të shpejtë, që u shënuan nga Kapaj në minutën e katërt dhe Karapici në të njëmbëdhjetën, skuadra sikur kaloi në vetëkënaqësi dhe shpërdoroi disa raste për shënim. Nëse të kuqtë do të kishin qenë më konkret fitorja e pjesës së parë do të kishte qenë më e thellë. Në pjesën e dytë skuadra u tërhoq vetvetiu dhe gjendja fizike filloi të bjerë, por vazhdoi edhe shpërdorimi i rasteve për shënim.
Para fillimit të seancës stërvitore të pasdites së djeshme trajneri Skerdi Bejzade e ka mbledhur grupin në mesin e fushës, ku ka bërë “skanerin” e përballjes me Adën. Fillimisht njëshi i pankinës së kuqe i ka falënderuar lojtarët për fitoren, por nuk i ka kursyer kritikat për mënyrën se si skuadra u shpreh në fushën e lojës.
Trajneri Bejzade ka qenë konkret në kritikat e tij, pasi ka specifikuar gabimet që bënë lojtarët dhe ka kërkuar nga ata që në vijimësi t’i minimizojnë këto të meta. Partizanit i duhet të grumbullojë sa më shumë pikë për të realizuar objektivin përfundimtar, rikthimin në kategorinë superiore. Pas barazimit me Bylisin, të kuqtë kanë ardhur duke i rritur parametrat e tyre, gjë e cila shprehet me dy fitore, katër gola të shënuar dhe asnjë i pësuar.
Me këtë mënyrë pune, trajneri Bejzade kërkon ta mbajë ekipin me “këmbë në tokë”, pasi pozicioni në tabelë mbetet jo i favorshëm, prandaj te Partizani nuk ka vend për festë, por vetëm për përkushtim maksimal. Për “demat” çdo tripikësh i inkasuar ka vlerë nëse pasohet nga një tjetër, kështu që në Lezhë Partizani do të kërkojë maksimumin.

Rikthehet Buna, mungojnë Pinari dhe Maho

Java stërvitore në funksion të ndeshjes së radhës me Besëlidhjen ka nisur me dy seanca stërvitore, ku paradite të kuqtë janë përgatitur nga Kodrat e Liqenit, ndërsa pasdite në ambientet e ish-klubit. Kjo javë nuk e ka gjetur të plotë grupin, megjithëse dje është bashkuar me ekipin mesfushori Qazim Buna, i cili mungon që nga sfida me Bylisin. Dje, për arsye dëmtimesh, kanë munguar kapiteni Luan Pinari dhe sulmuesi Rezart Maho.
Të dy lojtarët kanë sakrifikuar në takimin me Adën, pasi për shumë minuta kanë luajtur të dëmtuar. Maho u lëndua që në minutën e tetë në momentin kur u përplas me portierin e Adës, ndërhyrja e të cilit u ndëshkua me karton të kuq. Dëmtimi i Pinarit nuk është problematik dhe kapiteni pritet t’i bashkohet grupit shumë shpejt. Ndërsa Maho ka dëmtuar kaviljen dhe pas ekzaminimeve, stafi mjekësor ka planifikuar një program riaftësues dhe shpresohet që sulmuesi të rikuperohet në kohë për transferëtn e Lezhës.
Shkurt - Artan Karapici, me golin që i shënoi Adës, e çon në tetë numrin e golave të shënuar dhe vazhdon të jetë golashënuesi më i mirë i Partizanit. Ndërsa Mariglen Kapaj ka shënuar golin e parë sezonal me të kuqtë, kur dihet që ka zhvilluar vetëm dy ndeshje.
- Mbrojtësi Raimond Shala është një mungesë e sigurt për kryeqytetasit në përballjen me Besëlidhjen, pasi ndaj Adës shtatlarti fierak u ndëshkua me karton të kuq. Mungesa e Shalës do të sjellë një konfigurim tjetër të repartit difensiv.
- Edhe për sot është planifikuar që futbollistët të kryejnë dy seanca stërvitore, ku paradite do të merret ngarkesë në sallë force, ndërsa pasdite përgatitjet do të vijojnë në terren.
Humbja me Elbasanin nuk i ka shuar shpresat e liqenorëve për 4-shen e parë
Pogradeci nuk dorëzohet, sheh përpara
Nuk ka mundur ta vazhdojë serinë e rezultateve pozitive të fazës së dytë edhe në Elbasan ekipi i Pogradecit. Liqenorët janë mundur 2-0 në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”, por kjo nuk është ndonjë tragjedi, sepse humbjen e parë të 2010-ës atyre ua ka shkaktuar Elbasani, që pretendon superligën këtë sezon.
Ishte një javë, ku Pogradeci mund të kishte përfituar, por kuptohet që në Elbasan ishte mjaft e vështirë për të marrë pikë. Gjithsesi, pozitat e ekipit të drejtuar nga trajneri Ylli Çekiçi nuk kanë ndryshuar, sepse edhe rivalët e pograecarëve për një vend në 4-shen e parë, Ada edhe Kamza, janë mundur këtë javë, por afrohet Partizani, që është një rrezik për vendin e 4-t.
Pavarësisht humbjes të së shtunës që shkoi, pogradecarët nuk janë dekurajuar për objektivin që kanë, pasi ka edhe shumë ndeshje përpara. Ata kanë lënë pas gjithçka që ndodhi në “Ruzhdi Bizhuta” dhe e kanë përqendruar vëmendjen te ndeshja e radhës. Pogradeci pret Lushnjën këtë të shtunë, një tjetër kandidat për ngjitjen direkt në superligë.
Në këtë situatë, Pogradecit nuk i lejohet të lërë të tjera pikë, për më tepër që kjo konsiderohet një ndeshje brenda, pavarësisht se do të luhet në Korçë. Lushnja merr kështu rëndësinë e një finaleje për ekipin liqenor, që do të përpiqet të bëjë kthesën. Stafi teknik, me trajnerin Ylli Çekiçi në krye, ka në dispozicion kohën e mjaftueshme për të rregulluar ato gjëra, që nuk shkuan si duhet në ndeshjen me Elbasanin. Pogradeci, me kontigjentin që ka, i ka mundësitë për të fituar me Lushnjën, për të shpresuar më tej ngjitjen e të paktën një shkalle në tabelën e renditjes, gjë që do të mundësonte pjesëmarrjen e tij në “play-off”.

Kamza, përjashtohen 9 lojtarë

Presidenti Naim Qarri ka vepruar me “dorë të hekurt” pas humbjes në Lushnjë
Humbja me Lushnjën duket ka sjellë pasoja të rënda te Kamza, pasi dje, 9 lojtarë të saj janë përjashtuar nga skuadra. Drejtuesit, në veçanti presidenti Naim Qarri, kanë mbetur shumë të pakënaqur, ndaj dhe është vepruar kështu.
Këtë sezon presidenti Qarri ka shpenzuar miliona, që skuadra e tij të zërë një nga dy vendet e para, por me humbjen e pësuar në Lushnjë duket se ky objektiv është pothuajse i pamundur, edhe pse asgjë nuk është mbyllur. Dje, ashtu si ishte parashikuar, është zhvilluar edhe analiza, ku kanë qenë të pranishëm presidenti Naim Qarri, shefi i klubit, Albert Bana, Perlat Musta, i cili do të bëjë edhe rolin e trajnerit, si dhe zëvendësi i tij, Bashkim Doku.
Analiza ka qenë me tone të ashpra dhe presidenti Qarri ka përjashtuar 9 lojtarë, të cilë kishin ardhur gjatë merkatos së janarit. Emrat nuk bëhen të ditur, por lojtarët e konsideruar të panevojshëm për vazhdimin e garës, ishin marrë nga ish-trajneri Agustin Kola. Jo vetëm kaq, por me tone të ashpra presidenti Qarri ka folur edhe ndaj titullarëve të skuadrës, të cilët duket se deri më tani nuk janë duke e justifikuar investimin e presidencës.
Në fund, lojtarët janë ndërgjegjësuar, madje kanë marrë përsipër edhe fajet e tyre për humbjen në Lushnjë, duke premtuar reflektimin në sfidën e radhës me Elbasanin. Ndërkohë, Perlat Musta dje ka drejtuar seancën stërvitore së bashku me Bashkim Dokun, nën mbikqyrjen e shefit të klubit, Albert Bana.
Tashmë vëmendja është përqendruar te ndeshja e radhës me Elbasanin, ndërkohë që presidenti Naim Qarri, për “Sportin shqiptar”, ka thënë: “Kam investuar miliona këtë vit vetëm që Kamza të renditet në dy vendet e para. Deri më tani jam i zhgënjyer, madje kam larguar edhe disa lojtarë si të panevojshëm, ndërkohë që kam vendosur edhe masa për lojtarët titullarë, prej të cilëve dua urgjentisht kthesën në sfidën me Elbasanin.
Ne si drejtues nuk kemi nevojë për lojtarë që ecin, por për ata që bëjnë sakrifica në fushën e lojës dhe marrin edhe rezultate. Nuk më duket e udhës, kur lë pikë brenda me Pogrdecin apo mundesh me Lushnjën. Ndaj me Elbasanin pres më të mirën nga lojtarët, sepse Kamza ka në përbërje emra që kanë dalë edhe kampionë pak vite më parë, ndaj ata duhet të tregojnë veten në fushën e lojës. Në rast të kundërt do të ketë masa akoma më të ashpra, nëse nuk fitojmë me Elbasanin.”

Hoxha akuzon: Drejtuesit po e shkatërrojnë Sopotin!

Sikur të mos mjaftonte situata e rëndë, e krijuar që fazën e parë, nga Sopoti është larguar edhe ish-kapiteni Alfred Hoxha. Ky futbollist thekson për “Sportin shqiptar” se e keqja e Sopotit qëndron te drejtuesit e tij, duke akuzuar hapur drejtorin teknik Gugu dhe kryebashkiakun Godo. “Bashkë me shumë lojtarë të tjerë, siç janë Kola, Bahiti, Rama dhe Dushku, këmbëngulëm që Sopoti të ngjitej në kategorinë e parë. Ne nuk jemi njerëz anti Sopot, siç janë sot drejtuesit e tij.
E akuzoj publikisht shefin aktual për favorizimin e ekipit të tij të “zemrës”, Elbasanin, në ndeshjen e fazës së parë. Shtyrja e ndeshjes, mosorganizimi dhe mosinteresimi pas saj, e penalizuan më rëndë se mungesa e financave Sopotin. Ky është rast i përsëritur, sepse edhe në vitin 2001 ndeshja e “play-off”-it u zhvillua atje ku e urdhëruan “të infiltruarin” Gugu.
Personalisht, i kam kërkuar kryebashkiakut dhe ish-tranjerit të bëhej analizë për çdo ndeshje, por fjalët e mia i ka marrë era, ashtu siç po e merr tani ekipin dhe nuk dihet nga do ta përplasë, në grupin e veriut apo të jugut. Më vjen keq që për momentin nuk mund të kontribuoj për mbijetesën. Gjithashtu, nuk dua të marr pjesë në shkatërrimin e tij.
Në këtë gjendje kritike, kërkesa e shefit të klubit në këshillin bashkiak ishte për dyer dhe dritare për zyrën e tij të vjetër,” - shprehet Hoxha, i cili më tej u bën thirrje tifozëve librazhdas të kontribuojnë për shpëtimin e ekipit sa nuk është vonë: “Dua që tifozët e vërtetë të Sopotit, që nuk janë të paktë, të mos e lënë ekipin në duart e matrapazëve, por të njerëzve që kanë dhënë për sportin dhe nuk e pranojnë këtë gjendje. Ekipi është në një situatë të mjerueshme dhe të pashpresë.
Askush nuk mban përgjegjësi për këtë “krim”, që po i bëhet qytetit. Ka edhe nga ata njerëz, si Jovan Gugu, që akuzojnë lojtarët për trukim ndeshjesh, duke hequr përgjegjësinë nga vetja. Ai dhe ndonjë tjetër pseudospecialist nuk e kanë dashur Sopotin kurrë më shumë se unë,” përfundon Alfred Hoxha, shumë i indinjuar në lidhje me atë që po ndodh me Sopotin.

Alimehmeti, i bindur për suksesin e Elbasanit

Pavarësisht rezervave për lojën, trajneri e ka vlerësuar shumë të rëndësishme fitoren me Pogradecin
Elbasani nuk ka bërë lojën, që trajneri i tij i ri, Krenar Alimehmeti, kishte menduar para ndeshjes me Pogradecin, por e rëndësishme është fitorja. Numri 1 i stolit verdheblu priste një paraqitje më entuziaste të të tijve, ndaj dhe ka rezerva, sepse Pogradeci rrezikoi disa herë të barazonte.
Normalisht, dora e trajnerit të ri do të duket me kalimin e javëve dhe ndeshja me Pogradecin ishte më tepër një njohje e skuadrës për të. Alimehmeti ka përmendur pas ndeshjes punën e mirë të trajnerit Dosti, duke thënë se fitorja me Pogradecin i takon edhe atij: “Mund të them fjalët më të mira për punën e trajnerit Dosti, i cili është pjesë e fitores.
Vetëm një jave në krye të skuadrës, nuk mund të bëja shumë ndryshime. Tripikëshi me Pogradecin është mjaft i rëndësishëm për Elbasanin në këtë moment, kur synohet ngjitja direkte në superligë,” - u shpreh trajneri i verdhebluve, i cili, gjatë ndeshjes ka qëndruar gjithë kohën në këmbë, duke dhënë udhëzime për lojtarët, madje edhe i nervozuar.
“E përjetova shumë ndeshjen e parë, pasi rikthehesha në Elbasan pas më shumë se dy vitesh. Doja një paraqitje sa më të mirë të skuadrës para tifozëve të zjarrtë elbasanas. Por kuptova qe nuk isha i vetmi i emocionuar, pasi edhe lojtarët nuk luajtën aq mirë sa mendonim, për shkak të ngarkesës së madhe psikologjike.
Luhej kundër një rivali, që po kalonte një moment të mirë, ndërkohë që na duhej të fitonim patjetër, pasi një gabim do të na kushtonte shumë. Kjo bëri që skuadra të mos ishte e zhdërvjellët në veprimet e saj. Duhet ta pranoj se nuk është ky potenciali i Elbasanit, që e ritheksoj se luajti nën trysni. Na takon të rregullojmë sa më shpejt disa gjëra para ndeshjes së radhës me Kamzën,” - ka pohuar trajneri Krenar Alimehmeti.
Në fund ai shpreh bindjen se do ta arrijë objektivin, duke parë cilësinë e grupit që ka në dispozicion: “Nuk jam i shqetësuar për vazhdimin e kampionatit. Vërtet kemi një kalendar shumë të vështirë, por, me sa kam parë gjatë javës stërvitore, them se kemi një skuadër cilësore, që më bën shumë optimist. Mendoj se jemi në pozita të mira për ta arritur objektivin final, që është kalimi në superligë. Tani na mbetet që të punojmë shumë në stërvitje,” - përfundoi trajneri i Elbasanit, Krenar Alimehmeti.

Portieri Mançevski shqetëson verdheblutë

Një problem serioz pas ndeshjes me Pogradecin është dëmtimi i portierit maqedonas, Mançevski. “Gardiani” i portës së Elbasanit, i ardhur në skuadër gjatë merkatos së dimrit, ka pësuar një tërheqje në pjesën e dytë dhe, pavarësisht se ka tentuar ta përfundojë ndeshjen, është zëvendësuar në minutën e 86-të. Gjendja e tij e shqetëson jo pak stafin teknik, sepse portieri rrezikon të mos luajë në Kamzë.
Në fakt, Mançevski, i cili tregoi vlera me Pogradecin, nuk ka luajtur me minutazh të plotë, pasi në Lezhë u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 30-të dhe me Sopotin qëndroi pushim. Stafi mjekësor do të shohë gjendjen do të shohë në fundjavë gjendjen e portierit, por shanset janë të pajta që ai të jetë në fushë.

Bilishti Sporti, notën 10 për ndeshjet brenda

Më së fundi, bilishtarët kanë luajtur një ndeshje brenda, duke regjistruar fitoren e parë të vitit 2010. Në fakt, ata e zhvilluan në fushën e Pojanit ndeshjen me Luftëtarin, por përsëri e kanë bërë detyrën. Një fitore me vuajtje për bilishtarët, për vetë faktin se goli i dytë është shënuar në shtesë.
Sidoqoftë, kjo skuadër meriton notën 10 për ndeshjet në fushën e saj, ku ka marrë thuajse maksimumin. Bilisht Sporti ka mundur edhe Bylisin kryesues në shtëpi, ndërsa me Lushnjën ka barazuar, për të mos llogaritur kundërshtarë më të dobët, që kanë dalë të mundur nga fusha e tij.
Duke ditur që kjo skuadër nuk ka zhvilluar ndeshjet me Skraparin dhe Partizanin, të dyja ndeshje brenda, mundësia për t’u ngjitur në renditje është e madhe. Kështu, vendi i 9-të, me pikë të barabarta me Luftëtarin, duket i përkohshëm për bilishtarët.
Nuk ende një njoftim zyrtar për datat e ndeshjeve të prapambetura, edhe pse flitet se me Skraparin mund të luhet këtë të mërkurë. Presidenti Spartak Meraku është i kënaqur nga fitorja me Luftëtarin: “Nuk është çudi që fituam, thjesht bëmë detyrën në shtëpi. E kemi vërtetuar se në fushën tonë nuk falim dhe këtë do ta bëjmë gjatë gjithë kampionatit.
Jo pak, por 8 skuadra kanë dalë të mundura nga Bilishti, ku ne luajmë me shpirt të lartë gare. Pavarësisht se me Luftëtarin u gjendëm në disavantazh, e përmbysëm rezultatin. Kjo fitore na bën më të qetë në arritjen e objektivit dhe them se në dy ndeshjet e prapambetura do të marrim maksimumin,”- tha mes të tjerash presidenti i bilishtarëve, Spartak Meraku.

Xhixha: Luftëtari, i pafat dhe i dënuar

Mund të themi pa frikë se Luftëtarim po e shoqëron tashmë “sindroma e Titanikut”. Edhe në ndeshjen me Bilisht Sportin kaloi në epërsi me golin e Xhixhës, por humbi në fund, sepse pësoi fillimisht një gol të dyshimtë dhe më pas një gol të dytë në minutën e 94 t. Kështu, rezulton që edhe sezonin 2010 2011 ky ekip do të luajë në kategorinë e parë. Në dekadën e fundit Luftëtari ka luajtur në superligë vetëm në sezonet 2001 2002 dhe 2006 2007, pra në vetëm 20%, që është shumë pak për këtë ekip me disa tradita dhe me kontribut real në futbollin kombëtar.
Në ndeshjen e fundit, krahas humbjes, edhe kartonët e verdhë nuk munguan. Dritan Xhixha, autori i golit të nderit, që erdhi te Luftëtari në fazën e dytë dhe u bë golashënuesi i tij i 8 të, shprehet: “Për mendimin tim, Luftëtari nuk ndodhet në pozicionin që i takon, sepse ka humbur jo pak pikë për mungesë fati, për gjykime të disfavorshme, por, natyrisht, edhe për gabime të tij, gjëra që u panë edhe në ndeshjen e fundit me Bilisht Sportin.
Për këtë të vjen keq, por, duke qenë se asgjë nga ato që ndodhën nuk mund të ndryshojë, nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të shikojmë çfarë mund të përmirësojmë në ndeshjet e mbetura, duke filluar me të radhës, atë me Burrelin. Them se, duke luajtur lirshëm, nuk ka arsye që të mos fitojmë 3 pikët. Kuptohet që kjo mund të bëhet, nëse nuk përsërisim lojën si me Memaliajn. Sikundër përmenda, Luftëtari nuk është aq i dobët sa tregojnë rezultatet e tij, prandaj dhe besoj se në fushën tonë këtë radhë do të arrijmë të fitojmë.”