03 shkurt 2010

Shqipëria humbet një vend në renditjen e FIFA-s

Kombëtarja kuqezi pozicionohet në vendin e 97-të në renditjen e FIFA-s për muajin janar, duke humbur një vend në krahasimme muajin e kaluar. 336 pikë ka skuadra e drejtuar nga Josip Kuzhe, aq sa kishte në fund të dhjetorit 2009. Ajo që bie në sy është se para Shqipërisë në renditje janë kombëtare modeste, si Moldavia, Haiti, Omani apo Guinea, duke lënë pas emra si Tailanda, Gambia, Siria apo Kepi i Gjelbër. Edhe kombëtaret fqinje ndodhen shumë më lart (Maqedonia e 64-ta, Mali i Zi i 72-ti, Serbia e 19-ta dhe Greqia e 12-ta).
Përsa i përket “Të mëdhenjve”, asgjë nuk ka ndryshuar në krahasim me muajin e kaluar. Kështu, vazhdon të kryesojë Spanja me 1627 pikë, e ndjekur nga Brazili me 1568 dhe Hollanda me 1288. Surpriza e këtij muaji është Egjipti, i saposhpallur kampion i Afrikës, që ka arritur të futet në dhjetë më të mirat.