03 shkurt 2010

Flesh Lajme nga Kategoris Superiore ne GrandeJuve

Muça debaton ashpër me argjentinasin Del Monte

Dje në stërvitjen e Dinamos ka pasur tension, por pa kaluar në sherr mes palëve
Edhe pse ndeshja e javës së 19-të përballë Skënderbeut ka kaluar pa probleme për dinamovitët, duket se përpara sfidës së radhës në Ersekë, ku kundërshtar do të jetë Gramozi i Agim Canajt, në radhët e bluve ka tension. Dje, gjatë seancës stërvitore, trajneri Shkëlqim Muça ka pasur një debat me mbrojtësin e majtë, Nikolas Del Monte. Gjithçka ka nisur pas një detyre taktike, që kryepankina blu i ka urdhëruar futbollistit argjentinas.
Një mosëmarrëveshje gjuhe midis palëve, apo kokëfortësi e nr.8 të bluve, ka ndezur gjakrat. Trajneri Muça, i revoltuar me lojtarin, e ka urdhëruar të dalë nga fusha e blertë, ndërkohë që Del Monte tepër i mërzitur është larguar nga fusha stërvitore, ku edhe pse stafi i bluve ka tentuar ta përmbajë, mëngjarashi është parë duke lotuar dhe ka lënë stërvitjen në mes. Kujtojmë që për herë të parë në ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut, Del Monte e ka nisur sfidën nga pankina, pasi gjithnjë ka qenë një titullar i Dinamos. E pranishme në stërvitjen e djeshme të Dinamos, për disa minuta, ka qenë edhe presidenca blu.

Fushaj paralajmëron kuqeblutë: S’ju fal më!

Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, ka bërë gati ndëshkimet në rast se ekipi dështon sërish
Presidenti i klubit shkodran ka vendosur të mos durojë më. Zhgënjimi me Laçin e ka mërzitur së tepërmi dhe prandaj dje ka paralajmëruar skuadrën se tani e tutje nuk do ta falë më. Prandaj ka paralajmëruar se në të ardhmen, në rast se përsëriten po ato gabime, masat do të jenë të rënda, duke përjashtuar, pezulluar apo dërguar lojtarët të stërviten me ekipin e të rinjve. Ky paralajmërim i presidentit Fushaj ka ardhur dje në takimin që ka pasur me skuadrën.
Në orën 14.30, në zyrën e sekretarit të klubit kanë qenë të mbledhur të gjithë. Presidenti Fushaj, sekretari Medja, drejtori organizativ Shaba dhe bashkë me ta e gjithë skuadra, futbollistë e trajnerë. Kuptohet, arsyeja kryesore e këtij takimi ka qenë analizimi i humbjes së fundit me Laçin, e cila është konsideruar e pashpjegueshme nga të gjithë. Kjo analizë është zhvilluar edhe duke parë kasetën filmike të ndeshjes. Vëmendja më e madhe ka qenë e përqendruar te 20 minutat e fundit të kësaj ndeshjeje, aty ku kuqeblutë u shthurën totalisht, duke pësuar dy golat dhe duke humbur ndeshjen.
Trajneri Martini, duke analizuar gabimet e bëra të futbollisëtve të tij, ka lëshuar jo pak kritika për mënyrën e lëshimit të lojës. Sakaq, numri një i klubit shkodran ka qenë i ashpër në fjalën e tij para futbollistëve. Për të nuk është aspak normale që të humbet një ndeshje e tillë brenda në Shkodër. Vetë sportistët ndërkohë nuk kanë pasur një arsye reale për të shpjeguar shthurjen në 20 minutat e fundit të këtij takimi.
Analiza ka zgjatur dy orë dhe në përfundim të saj është presidenti Valter Fushaj që, duke folur për mediat në lidhje me këtë mbledhje, ka thënë: “Ka qenë një mbledhje e dytë me ekipin, sepse një ditë më parë jemi mbledhur me stafin për të analizuar humbjen me Laçin. Në analizën me ekipin, natyrisht pamë gabimet e bëra dhe diskutuam për lëshimin e lojës në minutat e fundit, çka ishte e pafalshme për ne. Duke qenë kështu, pasi u konsultova edhe me stafin, menduam që në të mirë të skuadrës për t’i dhënë edhe një shans. Por kjo do të jetë hera e fundit që do të toleroj.
Nëse këto rezultate përsëriten, atëherë do të vijnë përjashtimet, pezullimet apo dhe do të kalojmë lojtarë të veçantë të stërviten me ekipin e të rinjve.” Ndërkohë, duke iu përgjigjur pyetjes se si e shikon të ardhmen, Fushaj është përgjigjur: “Në kampionat tashmë kemi shumë probleme dhe qëllimi kryesor do të jetë të kapim mesin e renditjes, ndërkohë që në kupë pastaj do të pretendojmë deri në fund, por kuptohet që nuk do të jetë e lehtë, sepse ka edhe skuadra tjera.” Në këtë mënyrë humbja e pësuar me Laçin ka kaluar pa ndëshkime financiare, por këtë herë vetëm me një paralajmërim, sepse në të ardhmen, nëse gjërat nuk ndryshojnë, punët do të jenë më keq për kuqeblutë e Vllaznisë.

Shkodranët, të plotë me Tiranën

Ndeshja e kësaj jave me Tiranën konsiderohet shumë e vështirë për shkodranët. Gjëja më e mirë për ata është se në këtë ndeshje do të jenë me përbërje të plotë. Kthehen nga skualifikimi Belisha, Leci dhe Rajoviç dhe kësisoj trajneri Martini do ta ketë më të lehtë ndërtimin e formacionit. Megjithatë, më i rëndësishëm për momentin është ndryshimi i situatës nga ana psikologjike, sepse futbollistët janë shumë të rënë. Puna e nisur dje pasdite ka konsistuar pikërisht në këtë drejtim, për të kthyer humorin në skuadër.

Katër donatorë mund të marrin Skënderbeun

Irfan Hysenbelliu, Agim Zeqo, Zamir Mane dhe Lulzim Sallaku mund të jenë ortakët e rinj
Sot, në orën 10.00 të paradites, në bibliotekën e qytetit të Korçës, është thirrur një mbledhje e jashtëzakonshme e këshillit bashkiak, në lidhje me skuadrën e futbollit. Gjendja e vështirë që është duke kaluar skuadra korçare ka detyruar kryetarin e këtij këshilli, Gjergji Pëndavinji, që të thërrasë të gjithë këshilltarët për të diskutuar dhe për të vendosur se çfarë do të bëhet me skuadrën në javët në vijim. Në fakt, sot në këtë mbledhje të jashtëzakonshme priten dëbate të ashpra, ndërkohë që nuk dihet se cila do të jetë pjesëmarrja e këshilltarëve.
Madje burime pranë kësaj mbledhjeje bëjnë me dije se ka shumë mundësi që shoqata e klubit të futbollit “Skënderbeu” të ndryshojë, ku të paktën dje janë foluar katër emra të tjerë biznesmenësh të cilët ka shumë gjasa që të marrin përsipër Skënderbeun. Bëhet fjalë për Irfan Hysenbelliun, Agim Zeqo, Zamir Mane dhe Lulzim Sollaku, të katër biznesmenë që kanë shprehur dëshirën që ta ndihmojnë financiarisht skuadrën korçare. Por dje, para këtij mbledhjeje i ka paraprirë mbledhja e asamblesë së klubit dhe tashmë duket se gjërat janë acaruar në Korçë. Për ditën e sotme janë lajmëruar të gjitha mediat, ndërkohë që mund të themi me bindje se kanë filluar “krisjet” te Skënderbeu.

Mujdragiç: Ky Shkumbin, edhe më i fortë

Mbrojtësi boshnjak Ahmed Mujdragiç tregon forcën e ekipit pas blerjeve të janarit
Mbrojtësi i Shkumbinit, Ahmed Mujdragiç, në çdo takim mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit. Ai i qëndroi besnik Shkumbinit, duke qenë nga të parët që nënshkroi vazhdimin e kontratës, duke refuzuar disa oferta. 23 vjeçari boshnjak, që më parë ka luajtur me Novi Pazarin, cilësohet si një nga mbrojtësit më të mirë të qendrës në kampionat.
Mujdragiç ka ndikuar jo pak në afrimin e boshnjakëve në ekip, si Feruzoviç, sidomos të sulmuesit të talentuar Altin Grboviç, që shënoi në takimin e parë me Vllazninë dhe mori një 11 metërsh me Flamurtarin javën e kaluar. “Me përforcimet e janarit, ekipi është rritur, duke e nisur mbarë 2010 n me fitoren ndaj Flamurtarit. Janë fitore që e ngjitën ekipin në vendin e katërt,” - shprehet mbrojtësi boshnjak i Shkumbinit. Duke folur për fitoren me Flamurtarin, ai ka pohuar se nuk ishte një rastësi, pasi përballja me një ekip të motivuar nuk është pak. Për të pati rëdësi fitorja e fundit se u fitua ndaj ekipit që eliminoi Shkumbinin në gjysmëfinalen e kupës sezonin e kaluar, duke i qëndruar akoma mendimit se Shkumbini nuk e meritonte.
“Fitorja ishte më se e merituar, pasi Shkumbini dominoi në pjesën më të madhe të lojës. Pas golit të avantazhit Shkumbini u tërhoq pak, por pa u kthyer në mbrojtje, duke luajtur në kundërsulm,” - shton më tej Mujdragiç. Ai mendon se ekipi është në gjendje të mirë dhe këtë do ta tregojë edhe në ndeshjet në transfertë, ku ndonjëherë tregon mosbesim dhe jo me mentalitetin e duhur për fitore.
“Ndeshja me Laçin na vë përballë një kundërshtari të fortë, sidomos në fushën e vet, që vjen me një moral të lartë pas fitores me Vllazninë. Por ne i kemi mundësitë të luajmë lirshëm dhe të tregojmë vlerat tona,” - përfundon Ahmed Mujdragiç.

Kaçi: Të ngjallim shpirtin luftarak

Mesfushori i Apolonisë, Albert Kaçi, kërkon korrigjimin e menjëhershëm sa nuk është vonë
Ka qenë një nga futbollistët e Apolonisë që është parë më shumë në fushë në ndeshjen kundër Besës. Ai nuk ka qenë “kopje” e lojës së skuadrës së tij, por është përpjekur për të ndezur disa shkëndija në lojën e bardhëjeshilëve. Bëhet fjalë për mesfushorin shkodran të Apolonisë, Albert Kaçi, i cili ka qenë një nga të paktët e vetëm që nuk është pajtuar asnjëherë me apatinë me të cilën ka luajtur Apolonia.
I pozicionuar si gjithmonë në krahun e majtë të mesfushës fierake, Kaçi nuk heziton të ndërmarrë shpesh edhe aksione sulmuese, duke qenë se e njeh mirë edhe rrugën e rrjetës dhe jo rrallë në kampionate të mëparshme është dalluar si goleador.
Por në ndeshjen e fundit me Besën, Kaçi ka mbetur i pagojë me paraqitjen totale të skuadrës së tij, por duke mos u diferencuar prej saj dhe duke pranuar edhe përgjegjësinë e tij në këtë rast. Në të vërtetë, kjo është filantropi sportive, që askush më mirë se një futbollist si Kaçi nuk mund ta bënte. “Ka qenë një ndeshje jo e mirë nga ana jonë dhe për këtë kemi të gjithë përgjegjësi.
Nuk kemi qenë as afër niveleve tona, nuk kemi mundur ta kontrollojmë Besën dhe ajo ka vendosur diktatin e saj në fushë. Jemi dënuar nga dy gola të shënuar në pjesën e parë, që vendosën gjithë fatin e ndeshjes, ndërsa nuk arritëm të reagojmë në lartësinë e duhur. Për nga mënyra se si luajtëm ne, humbja ka qenë e merituar, por një rezultat i tillë është i papranueshëm për synimet tona, pavarësisht se kishim përballë një skuadër si Besa, me shumë pretendime.
Duhet të nxjerrim mësime të qarta dhe të korrigjohemi, pasi do të luajmë një transfertë shumë të vështirë me Flamurtarin, ekip që lufton për mbijetesën dhe ka të shtrenjtë çdo pikë. Duhet të gjejmë sa më shpejt vetveten dhe të ngjallim shpirtin tonë luftarak, gjë që nuk ka qenë shumë e theksuar në këto dy ndeshjet e fundit,” ka thënë midis të tjerave zëvendëskapiteni i Apolonisë, Albert Kaçi.
Skuadra fierake ka nevojë për të rigjetur besimin në vetvete dhe për të luftuar kundër demoralizmit që ka ardhur si rrjedhojë e dy humbjeve të fundit. Prova me Flamurtarin do të jetë më shumë se një ndeshje transferte për bardhëjeshilët. Fierakët janë në sfidë të hapur me golat dhe pikët e munguara në ndeshjet e fundit.

Tifozët fierakë nuk dorëzohen nga humbjet

Pretendohet të lihet pas humbja me Besën, por ajo ka lënë vragë të pashlyeshme dhe shije të hidhur te tifozëria fierake. Sportdashësit e Apolonisë janë të pakompromis në raste të tilla, pasi ata nuk mund të falin, mbi të gjitha shfaqje të një inekzistence totale të ekipit në fushë.
Por, pavarësisht indinjatës së shkaktuar nga zhgënjimi që kanë pësuar prej paraqitjes së Apolonisë, ata janë sërish të gatshëm për ta ndjekur ekipin e tyre kudo, edhe në transfertë, duke bërë maksimumin e mundshëm për skuadrën, në mënyrë që ta ndihmojnë për t’u kthyer te rezultatet pozitive.
Kjo është një shenjë e qartë besnikërie e sportdashësve të zjarrtë fierakë, të njohur jo vetëm për numrin e shumtë në përkrahje të skuadrës së tyre, por edhe për performancën e veçantë dhe karakterin korrekt sportiv.

Hysa, gati për në transfertën e Korçës

Sulmuesi i Teutës, Vilfor Hysa, rikthehet në formacion. Pas një mungese pothuajse dymujore, sulmuesi Hysa ka filluar stërvitjen me grupin. Gjatë gjithë këtij muaji sulmuesi kishte kryer fizioterapi e më pas kishte kaluar në stërvitje individuale, ndërkohë që tashmë është bashkuar me grupin dhe, nëse gjithçka shkon mirë, Hysa mund të aktivizohet që në ndeshjen e Korçës. Ndërsa për trajnerin e ri, presidenti Hasanbelliu ka deklaruar se ai mund të vendoset edhe pas ndeshjes me Skënderbeun.

“Me Vllazninë të heqim njollën e derbit”

Trajneri Alban Tafaj pret uljen e dënimeve dhe pas Teutës kërkon “kokën” e shkodranëve
Drejtuesit dhe lojtarët e skuadrës së Tiranës, krahas vëmendjes që po i kushtojnë ndeshjes së radhës me Vllazninë, presin me padurim edhe vendimet e Komisionit të Apelit që do të mblidhet ditën e enjte për të shqyrtuar çështjen “Tirana”.
Pas ankimimit që kanë bërë drejtuesit e klubit, pas daljes së vendimeve nga komisioni i disiplinës, ku është dënuar për 1 vit Tafaj, 8 ndeshje kapiteni Devi Muka dhe 4 javë fusha, trajneri Alban Tafaj, pret një ulje të dënimeve ndaj skuadrës së tij.
Madje ai, përveç faljes që ka kërkuar publikisht për atë që ka ndodhur në derbin me blutë, tashmë dëshiron që të rregullojë imazhin e vet dhe të klubit. Në sfidën e javës që shkoi ekipin e drejtoi Nevil Dede, ndërkohë që Tafaj i dënuar e ka ndjekur sfidën nga tribuna. “Në radhë të parë, përgëzoj djemtë për fitoren që kanë arritur në Durrës, përballë një skuadre të fortë si Teuta. Edhe me Vllazninë këtë fundjavë ne do të futemi në fushën e lojës për të bërë lojën tonë dhe mbi të gjitha për të arritur një rezultat pozitiv, pra tri pikët e mundshme.
Pavarësisht se kemi përballë një ekip që, ashtu si ne, ka pasur probleme të shumta këtë sezon, do të synojmë të mos ndalemi. Madje fitorja me Vllazninë do të hiqte atë “njollën” që na ka ngelur nga derbi me Dinamon, e cila do të kujtohet gjatë edhe nga brezat e ardhshëm,”- pohoi fillimisht trajneri i bardhebluve, Alban Tafaj. Krahas klubit, trajneri Tafaj shumë shpejt do të kërkojë edhe vetë nëpërmjet një shkrese në adresë të Apelit për uljen e dënimeve që dha para një jave disiplinori. “Këto dy ditë do të kërkoj në komisionin e apelit uljen e dënimeve, duke filluar që nga fusha e deri te dënimi im.
Nuk na e kanë për borxh tifozët tanë që të vuajnë dhe të mos e ndjekin ekipin e tyre të zemrës. Shpresoj që komisioni i apelit të më mirëkuptojë dhe të marrë për bazë kërkesat e mia. Në fund të fundit, nuk më duket aspak e hijshme, pasi futbolli sot jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë luhet edhe për publikun, i cili në gjuhën e futbollit quhet edhe lojtari i 12-të,”- e mbylli deklaratën e tij trajneri i skuadrës së Tiranës, Alban Tafaj.

Largimi nga titulli, ja sa kanë ndikuar mungesat

Tirana është ndëshkuar shumë me kartonë këtë sezon, pa harruar edhe mungesat e shumta nga dënimet dhe dëmtimet, javë pas jave. Kur jemi në vigjilje të javës së 20 të superligës, bardheblutë kanë marrë jo pak, por 49 kartonë në total, prej të cilëve 42 të verdhë dhe 7 të kuq. Shifra mund të bëhet më e madhe po të përfshihen edhe katër takimet në dy turet e Kupës së Shqipërisë, ku edhe aty bardheblutë kanë lënë “gjurmë” në këtë aspekt.
Ish-trajneri kroat, Ilija Lonçareviç, shpeshherë u bënte thirrje lojtarëve që të ruheshin nga dëmtimet, por më shumë nga kartonët. Kulmi arriti në ndeshjen me Besën në “Qemal Stafa”, në fazën e parë, kur formacionit bazë i mungonin jo pak, por 5 titullarë. E vetmja ndeshje ku Tirana ka luajtur me formacion të plotë, ka qenë derbi me Dinamon.
Situata përsëri ka filluar të rëndohet ndjeshëm. Në ndeshjen në Durrës, munguan trajneri Tafaj, Muka, Nallbani dhe Bici. Por edhe këtë javë, me Vllazninë, numri i mungesave pritet të jetë akoma më i madh. Krahas Mukës dhe Tafajt, që presin përgjigjen e Apelit, në dispozicion të stafit nuk do të jenë tre titullarë: Lila i ndëshkuar me të kuqe në Durrës dhe Devolli e Pashaj me nga 3 të verdha.

Skema me Vllazninë, si me durrsakët

Ashtu si një javë më parë në Durrës, kur ekipi i Tiranës luajti me skemën 4-4-2, ka gjasa që kështu të luajë edhe ndaj Vllaznisë. Nga ajo që është parë deri më tani, në portë do të luajë Nallbani, në mbrojtje Sina djathtas e Abraham majtas, kurse në qendër Osmani me Bicin. Në mesfushë, nga krahët do të luajnë Muzaka dhe Ahmataj, në qendër S.Lilaj, në vend të Devollit, dhe pak më i avancuar Sefa. Në sulm dyshja Plaku-Abilaliaj. Por Tafaj ende nuk e ka fiksuar 11-shen që do të hedhë në fushë, çdo gjë mbetet për t’u parë në ditët në vijim.

Peleshi: Ja pse Skënderbeu ndodhet në fund

Mbrëmë është zhvilluar në mënyrë urgjente asambleja e shoqatës “Skënderbeu” për futbollin
Një asamble urgjente dhe në fakt e paplanifikuar është zhvilluar dje, në orën 20:00 të mbrëmjes. Të gjithë donatorët e skuadrës dhe presidenti Peleshi, dje kanë qenë të pranishëm në këtë asamble, ku para fillimit të saj ka qenë vetë presidenti Niko Peleshi që ka dhënë këtë intervistë për gazetën “Sporti shqiptar”, teksa tregon arsyet e fundosjes së ekipit korçar:
Zoti president, si do ta cilësonit gjendjen e skuadrës në këtë moment, ku ekipi është në vendin e fundit?
Nuk jemi mirë në renditje dhe këtë e pranojmë. Një situatë kjo që nuk ka ardhur për shkaqe të brendshme, por për shkak të një goditjeje që ka ardhur kohët e fundit dhe ka të bëjë me largimin e gjashtë lojtarëve kryesorë të këtij ekipi, ndihmuar edhe nga federata e futbollit, kjo për një nga klubet më të organizuara dhe korrekte në marrëdhënie financiare me lojtarët, por edhe në raport me federatën. Jemi aq korrektë, sa duket se kjo rregullsi merret si dobësi nga federata, që arrin deri atje sa të na rrëzojë nga kategoria, siç ka ndodhur edhe në sezonin 2005 2006. Këtë gjë po kërkon të bëjë dhe këtë sezon.
Sot (dje) në orët e vona është zhvilluar edhe asambleja e klubit. Përse?
E gjithë kjo ka ardhur nga gjendja në të cilën po kalon skuadra korçare. Kjo asamble duhet thënë se ka në përbërje nga figurat më të njohura, jo vetëm të sportit të këtij qyteti, por edhe të biznesit dhe fushave të tjera, të cilët meritojnë të marrin më shumë se çfarë ju kemi dhënë deri tani.
Situata në klubet e tjera nuk më rezulton të jetë kaq e organizuar sa në klubin korçar. Duke qenë se klubi ynë nuk bën pjesë në “sistem”, duhet thënë se jemi goditur disa herë. Me këtë nuk dua të marr përsipër të bëj “viktimën”, por të atij që denoncon dhe apelon për të reaguar sadopak edhe për të mbrojtur klubin tonë.
Më konkretisht, kjo asamble përse u bë?
Thirrja e asamblese vjen edhe për të riparë strategjinë tonë në raport me klubin. Të gjithë së bashku jemi për të afruar sa më shumë kontribues për ekipin, madje jo vetëm nga qyteti i Korçës, por akoma më gjerë, të cilët mund ta kenë të përqendruar biznesin e tyre në kryeqytet. Mund të sjellin me vete jo vetëm kontributin financiar, por edhe përvojën e tyre. Ftesa është bërë për të gjithë edhe për të krijuar një lobing, të cilët së bashku të ushtrojnë presionin e duhur mbi këdo që tenton të marrë nëpër këmbë interesat e këtij qyteti, përfshi këtu edhe Federatën e Futbollit.
Për cilët biznesmenë është bërë edhe kjo ftesë?
Nuk përbën më sekret. Unë kam pasur disa biseda me biznesmenë shumë të njohur, dy prej të cilëve janë korçarë me aktivitet të njohur. Ata janë, Zamir Mane (QTU) dhe Agim Zeqo (Red Bull), por edhe një tjetër biznesmen të njohur, si Irfan Hysenbelliu (Birra Korça) dhe një firmë shumë të njohur austriake që ka aktivitet në qarkun tonë. Ardhja e këtyre biznesmeneve është e mirëpritur edhe nga asambleja. Në bisedimet e bëra me ta janë treguar dashamirës për të qenë pjesë e skuadrës korçare. Mendoj se kjo është zgjidhja më e mirë për ekipin e Skënderbeut.
Mos ka hyrë gjë edhe politika në mes të Skënderbeut?
Nuk do të më vinte mirë që të ketë të interesuar për ta përdorur skuadrën e Skënderbeut në këto momente për interesa politike, pasi nuk ka lidhje me futbollin. Nëse ka të interesuar për ta bërë këtë, nuk duhet të harrojë se ka për të pasur një kosto qytetare në radhë të parë.

Firmosin dy serbët, priten dy egjiptianët

Krejt papritur, madje në momentin që nuk kishin rënë dakord të luanin për Skënderbeun, për shkak të kushteve të larta financiare që kërkonin, të dy lojtarët serbë kanë ndërruar mendje. Stojanoviç dhe Nestoroviç dje në mesditë kanë rënë dakord me kushtet e ndryshuara dhe kanë firmosur edhe kontratat e reja. Të dy lojtarët, pas firmave, kanë dalë menjëherë në stërvitje. Tashmë priten dy egjiptianët, të cilët po vonojnë.

Shuaipi: Kastrioti mund të ngjitet më lart

Drejtori teknik i Kastriotit, Sami Shuaipi, është optimist për ndeshjen e radhës me kavajasit
Drejtori teknik i skuadrës krutane, Sami Shuaipi, mendon se Kastrioti i ka nisur mjaft mirë ndeshjet e këtij viti. Mjafton të kujtosh që skuadra ku drejton ai së bashku me stafin drejtues ka mundur të fiksojë dy fitore, madje ndaj skuadrave rivale për mbijetesë. Në intervistën e tij, Shuaipi është i kënaqur me renditjen aktuale, por thotë se Kastrioti i ka mundësitë për ngjitur edhe më lart.
- Jeni i kënaqur, besojmë, me këto dy fitore?
Skuadra jonë i ka pasur të gjitha mundësitë të ishte më mirë në renditje. Ne kemi humbur pikë jo vetëm në transfertë, por edhe brenda. Kjo ka ardhur si pasojë e gabimeve që kemi bërë, por edhe për shkak të njëanshmërisë në gjykime. Tashmë gjëra të tilla duhen konsideruar të mbyllura. Në dy ndeshjet e para të këtij viti kemi marrë maksimumin dhe, kuptohet, jemi të kënaqur.
- Ardhjet e fundit e shtuan forcën e skuadrës tuaj?
- Afrimet për këtë punë u bënë. Dy ndeshje, dy fitore është një bilanc mjaft pozitiv, çka tregon rëndësinë e blerjeve. Por rëndësia e këtyre fitoreve është se ato u arritën ndaj skuadrave rivale për mbijetesë, gjë që, për mendimin tim, është një faktor plus për ne. Skuadra është duke u konsiliduar. Ndonëse janë zhvilluar dy ndeshje, por duke krahasuar ndeshjen e zhvilluar në Korcë, ajo e zhvilluar ndaj Gramozit sikur pati më frymëmarrje, ishte më e qartë dhe më konkrete në ndërtimin e aksioneve. Me këtë kontigjent kam mendimin se skuadra do ta thotë më mirë fjalën e saj.
- Të dielën do të përballeni me Besën. Ndryshon shumë kjo sfidë me të tjerat?
- Nuk kemi përse ta fshehim që në Kavajë shkojmë për një rezultat pozitiv. Skuadra jonë e ka treguar me kohë se është në gjendje të arrijë rezultate pozitive edhe jashtë dhe më kundërshtarë të fortë. Pse të mos synojmë edhe ndaj Besës?

Portieri Lika, “peng” i dy transfertave

I ka ardhur një ofertë shumë e mirë portierit Ilion Lika nga Azerbajxhani dhe në fakt menjëherë ka bërë çantën gati për t’u nisur drejt atij vendi, por në momentin që ka kërkuar transferimin nga Kastrioti për tek ekipi azerbajxhanas (lufton për titullin kampion dhe vendin e ka pasur të sigurtë), rregullorja e UEFA-s e ka penguar ish-portierin e kombëtares sonë. Sipas kësaj rregulloreje, një lojtar nuk mund të bëjë më shumë se dy transferime në sezon. Dhe Ilioni në fakt dy i kreu brenda pak ditësh, ku fillimisht firmosi për Vllazninë, pastaj me Kastriotin. Një fat i keq ky për portierin Lika, i cili është i detyruar ta mbyllë këtë sezon në Krujë.

Laska: Lojtari i 12 të i Laçit ishte Nica

Qëndron me këmbët në tokë, edhe pse vjen pas një fitoreje me shumë vlera në mitikun “Loro Boriçi”. Pavarësisht se është kontestuar nga drejtuesit kuqeblu, presidenti i skuadrës kurbinase, Pashk Laska, shikon “brenda familjes”. Duke ia dedikuar asaj suksesin e këtij kampionati, jo vetëm në Shkodër, por edhe në fusha të tjera. Natyrisht, kur merret nëpër gojë nderi i skuadrës që financon, Laska nuk mendohet dy herë, por bën “avokatin” më të mirë të saj.
Pretendimeve të trajnerit të Vllaznisë, Edi Martini, se skuadra shkodrane luajti ndaj 12 lojtarëve me Laçin, duke përfshirë këtu edhe gjyqtarin Artan Taullau, u përgjigjet me qetësi dhe jo pa ironi. Teksa nënvizon: “Vllaznia, sipas trajnerit të saj, paska luajtur kundër 12 lojtarëve. Pra, jo vetëm ndaj 11 lojtarëve të Laçit, por edhe ndaj gjyqtarit Taullau. Kësaj i thonë të kërkosh qimen në syrin e tjetrit dhe të mos dallosh traun në syrin tënd.
Megjithatë, e kam një përgjigje për drejtuesit e Vllaznisë. Lojtari i 12 të i Laçit ishte Stavri Nica, që diti ta udhëheqë skuadrën tonë drejt përmbysjes spektakolare të rezultatit, me maturi dhe profesionalizëm të lartë. Dua të përgëzoj lojtarët e mi, trajnerin Nica, që urtë e butë, pa u fryrë nëpër media, po korrin suksese të merituara.
Besoj se të gjithë e panë pjesën e dytë të ndeshjes, kur lojtarët e Laçit nuk dinin të ndaleshin në fushë, falë përgatitjes së lartë fizike, por edhe shpirtit të garës që i karakterizon. Nëse lojtarëve shkodranë u ranë “bateritë” në pjesën e dytë, nuk besoj se ky është faji i gjyqtarit, por i atyre që i stërvit. Ja, pra, pse e konsideroj trajnerin Stavri Nica lojtarin e 12 të të Laçit.”