11 shkurt 2010

Roma, në kërkim të “simfonisë së 9-të”

Verdhekuqtë kanë vënë në shënjestër numrin nëntë. Roma, duke mundur Palermon, në fakt mund të arrinte fitoren e nëntë radhazi. Një rekord ky që do ta katapultonte Ranierin në olimpin e trajnerëve të kryeqytetasve, duke iu afruar shumë Spaletit, i cili ka arritur të marrë 11 fitore radhazi. Një Romë që është ringritur nga vendet e fundit të renditjes dhe që tani pozicionohet e dyta, fryt i punës së kujdesshme të trajnerit të ri, të mbrojtjes së blinduar, por mbi të gjitha edhe të goditjeve të dënimit ose të atyre nga këndi
. Në fakt, numrat janë të qartë: plot 20 golat, që kanë ardhur nga situata të tilla, të ndarë në 10 realizime nga goditjet nga këndi, 5 nga penalltitë, 3 nga goditjet e dënimit direkte dhe 2 nga goditjet e dënimit indirekte. Merita është natyrisht edhe e 11 lojtarëve që zbresin në fushën e lojës dhe e talenteve të tyre. Pizarro është një magjistar në goditjet e dënimit, ashtu si Rise dhe Toti, që godasin nga vendi si pak të tjerë në Itali. Në fund, nuk duhen harruar De Rosi, Huan, Mekses dhe Burdiso, mjeshtra të lojës ajrore.