11 shkurt 2010

Tre pretendentë për “Zonjën e vjetër”

Benitez, Alegri dhe Prandeli janë tre emrat për Juven e së ardhmes pas Zakeronit

Të sigurohet një vend në Champions Ligë dhe të planifikohet e ardhmja. Janë këta dy objektivat e vetëm që i kanë mbetur Juventusit në këtë sezon aspak pozitiv. Për të parin do të mendojë Zakeroni, i cili duhet të përballet me një rindërtim të lodhshëm pas stuhisë. Për të dytin i janë vënë punës Betga, Seko dhe Blank. Problemi i parë për t’u zgjidhur është ai i trajnerit: në garë për stolin bardhezi, janë Benitez, Alegri dhe Prandeli. Tre trajnerë për një stol, me pak fjalë. Secili me projektin e tij. Kalohet nga eksperti Benitez, për të cilin interesohet edhe Reali i Madridit, deri tek Prandeli, ëndrra e tifozëve dhe një nga pretendët për të marrë vendin e Lipit tek kombëtaria e Italisë. Midis tyre, i treti i tepërt është Alegri, trajneri i ri që prej dy sezonesh po paraqitet shumë mirë me Kaljarin.

Por secili nga këta mund të marrë edhe ndonjë lojtar me vete, sepse në mendjen e drejtuesve bardhezi është edhe organika që duhet rinovuar. Kështu, Rafa Benitez do të shkonte ose do të tentonte të shkonte në Torino me sulmuesin Kujt. Ndërsa Prandeli, që tifozët e Juventusit do ta donin bashkë me Korvinon, do të merrte nga Firence Vargasin, mbrojtës i krahut të majtë që “Zonjës” do t’i bënte shumë punë. Alegri, për arsye të qarta, nuk do të kishte lojtarë të nivelit të lartë për të marrë me vete, por nga Kaljari mund të vlerësojë mundësinë për t’u ndjekur nga ndonjë lojtar i ri dhe i talentuar: Nene, për shembull. Gjithsesi, vendimi do të merret në muajt e ardhshëm dhe do të ndikohet, natyrisht, edhe nga objektivat që do të arrihen në sezonin aktual.

Një vend në edicionin e ardhshëm të Championsit do të thotë prestigj dhe para që do të investohen në merkato. Një përjashtim nga Europa e të mëdhnjëve, në të kundërt, do ishte dështim. Një fjalë që në Torino nuk duan as ta dëgjojnë…