19 shkurt 2010

Robinjo: Dua të qëndroj te Santosi

Robinjo ka thënë se ai preferon të qëndrojë tek Santosi sesa të kthehet tek Mançester Siti. Pasi kalimi i tij nga Reali tek anglezët në 2208-ën nuk ka qenë i suksesshëm, lojtari brazilian është kthyer në vendin e tij i dhënë borxh. Ai shpreson se aktivizimi me Santosin do ta ndihmojë për të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të Kupës së Botës.
Siti ka këmbëngulur gjithmonë se ata presin që 26-vjeçari të rikthehet në Angli në fundin e sezonit, të bindur se mund ta bëjnë lojtarin të kthehet në formën më të mirë. Megjithatë, Robinjo ka bërë të ditur se ai preferon të sigurojë një qëndrim të përhershëm tek Santosi, pasi është zhgënjyer nga jeta në Europë. “Santos është shtëpia ime, unë ndihem shumë mirë këtu. Më pëlqen shumë të luaj për Santosin.
Ndodhem në vendin tim dhe afër familjes time. Dua të qëndroj këtu sa më gjatë të jetë e mundur. Nëse do të ishte në dorën time unë do të qëndroja këtu deri në fundin e karrierës, por kam një kontratë me Mançester Sitin dhe nuk duhet të harroj se klubi anglez ka mbajtur një qëndrim shumë të mirë kundrejt meje. Siti më ka bërë një pritje të bukur dhe ka treguar se beson tek unë. Gjithçka ka qenë ndryshe nga viti i fundit që kam kaluar në Madrid.
Ata donin të blinin një lojtar tjetër, donin Kristiano Ronaldon. Më trajtuan sikur të isha pa vlerë. Jam lënduar shumë nga kjo. Më pas firma e Ronaldos nuk erdhi dhe situata ndryshoi. Por unë nuk doja të vazhdoja atje, doja të largohesha nga Madridi, ndoshta po të kisha shkuar tek një klub tjetër do të kishte qenë më mirë për mua. Unë dua të jem lojtari më i mirë i Kupës së Botës”, ka thënë Robinjo.