19 shkurt 2010

Hapja e merkatos, “komardare” për Portsmuthin

Drejtuesit e Portsmuthit, një klub me probleme financiare, kanë konfirmuar se i kanë kërkuar përgjegjësve të Premier Ligës që t’i shesin lojtarët e tyre jashtë merkatos zyrtare. Kjo kërkesë e klubit anglez do të shqyrtohet nga Federata Angleze dhe FIFA dhe gjithashtu edhe nga Premier Liga. Portsmuthi kërkon të shesë disa nga lojtarët e ekipit në mënyrë që të paguajë borxhet dhe ka kërkuar miratimin e drejtusve të Premier Ligës për ta bërë një gjë tillë.
“Unë mund të konfirmoj se ne i kemi bërë një kërkesë Premier Ligës për të shitur lojtarët tanë jashtë merkatos. Jemi në pritje të një përgjigjeje”, ka thënë një zëdhënës i klubit anglez. Portsmuthi nuk ka bërë të ditur emrat e lojtarëve që do të shiten, por duket se ylli i Algjerisë Nadir Belzhad, mesfushori Kevin Princ-Boateng dhe mbrojtësi i ri Mark Uilson mund të jenë të shitshëm. Ndërkohë, drejtuesit e klubit anglez po bëjnë një garë kundër kohës për të fituar të drejtën për të shitur lojtarët. Ndërsa Premier Liga dhe Federata Angleze mund të bëjnë një përjashtim për Portsmuthin, ka pak mundësi që FIFA të pranojë.