19 shkurt 2010

Karton i verdhë për Pelegrinin…!

Ksabi Alonso dhe Marselo mund të kenë marrë nga një karton të verdhë në takimin e humbur nga Reali i Madridit në transfertë kundër Lionit në Champions Ligë, por, sipas shtypit spanjoll, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me trajnerin Manuel Pelegrini. Pas paraqitjes zhgënjyese të bërë në tokën franceze, Pelegrini ka marrë paralajmërimin e tij të dytë (i pari ka ardhur pas humbjes 4-0 kundër Alkorkonit në Kupën e Mbretit), që shtypi spanjoll e ka cilësuar si një karton të verdhë, dhe që mund të bëhet i kuq në rast se Madridi do të eleminohej nga Champions Liga më 10 mars.
Florentino Perez, Horge Valdano, Emilio Butragenjo, Miguel Pardesa dhe Zinedine Zidan kanë qenë të gjithë dëshmitarë të një loje zhgënjyese nga ana e Realit mbrëmjen e së martës dhe natyrisht një lojë e tillë nuk bën pjesë në planet e drejtuesve të klubit, duke parë edhe milionat e shumtë, që janë shpenzuar gjatë verës së kaluar për të marrë lojtarët më të mirë të botës. Kështu, nëse madrilenët nuk do të vazhdojnë aventurën e tyre në Europë, ka shumë mundësi, që Pelegrini të largohet.