11 shkurt 2010

Reja merr Lacion dhe rikthen Ledezmën

Edi Reja është trajneri i ri i Lacios. Kështu, u njoftua dje zyrtarisht edhe largimi i Balardinit. Në ditët në vazhdim, Reja do të takohet me Lotiton për të nënshkruar kontratën që do të lidhë me kryeqytetasit për një vit e gjysmë. Përsa i takon pagesës, oferta për të është prej 300 mijë eurosh deri në qershor dhe 700 mijë për sezonin e ri. Trajneri i ri, që i ka dhënë lamtumirën kroatëve të Hajdukut, drejtoi menjëherë dje seancën e parë të stërvitjes, ku u rishfaq edhe “rebeli” Ledezma, lojtari që Reja kërkoi ta rikthejë në skuadër pas pezullimit, duke ia vënë si kush presidentit Lotito. “Lojtarët e Lacios i njoh mirë: janë të aftë dhe cilësorë. Jam i kënaqur për detyrën që më është ofruar”, ka thënë ish-tekniku i Napolit.