11 shkurt 2010

Sezoni i Juventusit vlen 70 milionë euro

Kualifikimi në veprimtarinë prestigjioze europiane është objektivi kryesor i bardhezinjve

Shpëtimi është në veri, siç tregon edhe akrepi i busullës. Nëse dikush ka humbur rrugën në shtëpinë e Juventusit, ka menduar Alesandro del Piero, për t’i kujtuar drejtimin e duhur, “duhet të arrijmë në zonën Champions, gara është e hapur por nuk mund të gabojmë më”. Të tjerë para kapitenit kujtojnë se e ardhmja e Juves, rikthimi midis të mëdhenjve të futbollit ose përballja me enigmën e ringritjes, për herë të dytë pas rënies në Serinë B, kalon nga kualifikimi në Champions Ligë.

Më shumë se një dëshirë, është detyrim për një klub që ka shpenzime të mëdha, më shumë se 50 milionë euro për rrogat e lojtarëve. “Nëse nuk e arrijmë këtë objektiv, do të ishte njësoj si një rënie në Serinë B”. Kjo frazë e Felipe Melo e bën gjithçka më të qartë. Tek Juventusi, në zyrat e financës së klubit, përgjegjësit e kontabilitetit dhe të marketingut shpresojnë që kjo të mos të ndodhë, por që tani mund të prekin me dorë efektet e krizës.

Të ardhura më të pakta nga stadiumi, vështirësi në rinovimin e kontratave me sponsorët, ngrirja e nismave për shitjen e hapësirave të sadiumit të ri. Strategjitë për të evituar një kontraktim të merkatos kanë filluar të zbatohen prej kohësh, edhe pse, siç thonë drejtuesit e klubit, “dalja nga Championsi në turin e parë duhej të ishte evituar. Liga e Europës nuk zgjon një interes të madh dhe as Ajaksi si kundërshtar: për të rritur shitjen e biletave është bërë një ulje për ata që do të blejnë biletat për Juve-Xhenoa.

Rrreziku më i madh ka të bëjë me bilancin për sezonin e ardhshëm. Pa ndihmën e UEFA-s (të ardhurat nga Championsi dhe të drejtat televizive) dhe me një organikë lojtarësh që duhet ndryshuar, situata financiare e klubit s’mund të bazohet tek vetëfinancimi. Kështu, bardhezinjtë rrezikojnë të humbasin deri në 70 milion euro, midis të ardhurave nga kualifikimi në Champions, të drejtave telvizive, sponsorëve dhe zhvlerësimit të lojtarëve. Dallga e gjatë e këtij “cunami” mund të përmbysë edhe sezonin 2010-11: të ardhura të njëjta me sezonin 2007-08, sezoni i rikthimit në A, por dyfishi i shpenzimeve.

Në varësi të renditjes në kampionat janë në lojë kontrata të rëndësishme. Brenda marsit duhet mbyllur marrëveshja me sponsorin kryesor (New Holland, 33 milion euro në tre vite, që është drejt skadencës). Ndërkohë kanë “shpëtuar” të drejtat televizive për jashtë Italisë, që tashmë janë shitur për dy vitet e ardhshme, ndërsa pozicioni në kalsifikim i Juventusit në pesë vitet e fundit, do të merret si bazë për shpërndarjen e të ardhurave nga të drejtat televizive, që do të bëhet nga Lega. Viti i Serisë B dhe sezoni aktual rrezikojnë të ndikojnë ndjeshëm tek kjo shpërndarje.