13 shkurt 2010

Pret verën

Gjatë afatit kalimtar të janarit, Bashkim Kadri ishte afër transferimit tek Borussia Dortmund. Mirëpo, 18 vjeçari shpreson që gjatë verës të mund t’i bashkohet klubit gjerman. Borussia Dortmund dhe klubi i tij aktual, Boldklubben af 1893 (B93), nuk kishin arritur marrëveshje financiare për Kadri, kështu që gjithçka kishte dështuar.
Për shërbimet e Kadri ishte interesuar edhe gjiganti danez, Odense, që ishte e gatshme ta përqafonte futbollistin shqiptar nga Maqedonia, që nga vera që po vjen. Mirëpo, B93 kishte vendosur që talentin shqiptar ta mbante në ekip.
”Është e qartë se ishte mëkat që nuk kishte ndodhur diçka me Dortmund, sepse dëshiroja të shkoja atje. Mirëpo, ishte klubi ai që nuk mund ta pranonte ofertën, nuk kam ç’të bëj. Tash vetëm do të vazhdoj të luftoj dhe të luaj mirë, në mënyrë që të shkoj përpara gjatë kësaj vere”, tha Kadri për uebfaqen daneze, tipsbladet.dk.
Kadri do të mundohet t’i shfrytëzojë pesë golat e shënuara në vjeshtë, ndërsa planifikon që me ekipin e tij B93 të arrijë më shumë se pozitën e gjashtë aktuale. Edhe pse ka hequr dorë përkohësisht, duket se Dortmund nuk është dorëzuar përfundimisht për futbollistin shqiptar.
“Objektiv imi është që të luaj mirë dhe të shënoj ndonjë gol për ekipin tim B93. nuk mund ta di se çka më pret në të ardhmen, por edhe një klub si Odense është natyrisht interesant për mua, absolutisht. Shpresojmë se diçka do të ndodhë dhe mendoj se do ta kem një rast të dytë për të ecur përpara”, shtoi sulmuesi Kadri, i cili është pjesë e përfaqësueses U19 të Danimarkës.