13 shkurt 2010

U frikësohet italianëve

Cristiano Ronaldo e ka dhënë një intervistë për të përditshmen italiane La Gazzetta dello Sport, ku ka folur për Ligën e Kampionëve, Botërorin dhe për ambiciet e tij personale në karrierë.
Ylli portugez ka thënë se i ka frikë skuadrat italiane në garën më të rëndësishme evropiane, duke iu referuar dyshes milaneze, Inter e Milan. “Finalja e Champions në Madrid është një obsesion. Duhet të kemi kujdes nga ekipet italiane, Inter e Milan, që mund të jenë pengesë për Realin”, theksoi ish futbollisti i Manchester United.
Ai ka folur edhe për përballjen e shumëpritur anglo-italiane, ku nuk sheh favorit. “Manchester ka diçka më shumë sesa Milan vetëm në letër. Por, në fushë, Rossonerët janë mjaft të vështirë. Edhe për Chelsea-Inter mundësitë janë 50 me 50 për qind”, vazhdoi përfaqësuesi portugez.
I pyetur se a mund t’i thuhet jo një ekipi të madh siç është Real Madrid, 25 vjeçari ka rrëfyer se nuk ishte i gatshëm ta bënte një gjë të tillë, kur mori ofertën për t’iu bashkuar klubit madrilen.
Ronaldo shton se, përpos Ligës së Kampionëve, objektiv i tij i radhës është Botërori, të cilin synon ta fitojë me Portugalinë për herë të parë në karrierë të tij.
Ronaldo, i cili verën që shkoi u bë blerja më e shtrenjtë në histori të futbollit, nuk ka lënë pa e përmendur shokun e tij të skuadrës, Leite Kaka. “Ai tashmë i ka kaluar problemet fizike dhe ndihet më mirë. Kemi filluar t’i shohim shkathtësitë dhe kualitetin e madh që ai ka”, tha në fund Ronaldo.