13 shkurt 2010

20 mijë bileta për Kosovë – Shqipëri

Për ndeshjen miqësore ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe përzgjedhjes së Superligës së Shqipërisë, e cila do të zhvillohet më 17 shkur, për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, do të hidhen në treg 20 mijë bileta.

Këtë e ka konfirmuar Visar Miftari, drejtor i ‘Albanian Group’ për Kosovë, kompani kjo e cila e organizon këtë eveniment në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Sipas Miftarit, biletat do të hidhen në treg dy ditë para ndeshjes, derisa ato do të shiten në të gjitha rajonet e Kosovës dhe një biletë do të kushtojë 2 euro. Miftari tha se të gjitha përfitimet nga kjo ndeshje do t’u dedikohen familjeve të prekura nga përmbytjet në veri të Shqipërisë.

Ndërkohë, Miftari e shpalosi edhe agjendën rreth këtij takimi. Ai tregoi se ekipi shqiptar do të aterojë në Aeroportin e Prishtinës më 17 shkurt në orën 9:40. Përveç ekipit shqiptar, pjesë e delegacionit do të jenë rreth 60 persona të udhëhequr nga kreu i FSHF-së, Armand Duka. Pjesë e këtij delegacioni pritet të jenë edhe shumë presidentë të klubeve të Shqipërisë.

Një pjesë e delegacionit shqiptar, e shoqëruar nga drejtuesit e FFK-së, pritet të bëjë homazhe pranë varreve të familjes Jashari në Prekaz, kurse të një njëjtën gjë do ta bëjnë edhe pranë varrit të ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ndeshja do të fillojë në orën 14:00, derisa pas një kokteji të përbashkët do të mbahet një konferencë për media. Kurse në orë 19:00 delegacioni mysafir do të niset nga Prishtina drejt Tiranës.