22 shkurt 2010

Prandeli i kënaqur me fitoren dhe Xhilardinon

Fiorentina ka mundur dje Livornon në fund të një ndeshjeje të vështirë dhe rigjen fitoren, e cila i mungonte që prej 10 janarit. Një ndeshje ajo në “Franki” që i pa vjollcët të pësojnë gol të parët me anë të Rivasit, për të përmbysur më pas gjithçka dhe fituar falë golave të Vargasit dhe Xhilardinos. Çezare Prandeli ka folur edhe për rikthimin te goli të “bomberit” vjollcë pas thuajse 900 minutash: “Nuk është një rastësi që Fiorentina u kthye të fitojë në ditën që Xhilardino shënoi, - tha trajneri i Fiorentinës.
- Manovra jonë bazohet shumë te goli i Albertos. Sot (dje) vuajtëm shumë, edhe pse jemi akoma në emergjencë. Për këtë duhet të falënderoj publikun tonë që e kuptoi se çfarë momenti po përjetonim”. Mes lojtarëve më të mirë në fushë për Fiorentinën ishte edhe malaziasi Adem Ljajiç: “Ka një talent të madh dhe një teknikë të madhe po ashtu, por të mos e vëmë në trysni, edhe pse mendoj që do të ketë një të ardhme të madhe. E kemi mbrojtjen keq? Është në vështirësi kur nuk ndihmohet”, - e mbyll Prandeli.