22 shkurt 2010

Del Piero: Nuk jemi shëruar akoma

Kapiteni e sheh Juven vetëm në përmirësim e sipër, ndërsa Zakeroni synon vendin e katërt

Tri fitore rradhazi Juventusi nuk i arrinte prej kohësh, por Alberto Zakeroni i mban këmbët në tokë. “Objektivi ynë është të arrijmë në vend të katërt në fund të sezonit, që na duhet edhe për moralin, tha trajneri bardhezi. - Shoh një reagim ndryshe kur pësojmë gol. Tani vuajmë dhe fitojmë të gjithë së bashku. Për sa i takon ndeshjes në Bolonjë, e ndjemë lodhjen që patëm në Amsterdam. Nëse do të ishim në formë më të mirë, do ta kishim mbyllur ndeshjen më parë”.

Është e pashmangshme që Zakeroni të flasë për gjyqtarët: “Dua të përgëzoj publikisht treshen e gjyqtarëve. Pas fitores, të dielën e shkuar ndaj Xhenoas, pati një trysni të pabesueshme, ndaj i përgëzoj”. Edhe një herë tjetër Aleks Del Piero ishte një nga protagonistët e Juventusit “të ri”, edhe pse nuk mungoi vuajtja: “Po, e dinim, pranon kapiteni juventin. - Edhe këtë herë vuajtëm.

Qëllimi ynë është të luajmë në nivele maksimale, të fitojmë pa vuajtje, por s’është e mundur. Kampionati italian është shumë përkushtues”. Del Piero ka shumë motive për të qenë i kënaqur: “Jam i lumtur për pasimet për gol, jam i lumtur për Kandrevën që përkushtohet gjithnjë, për fitoren tonë, për ndeshjen time pa dyshim. Është një fitore e bukur për ne, që na jep akoma më shumë moral.

A është kthyer Juvja? Çdo ndeshje, çdo fitore që arrijmë me këtë vendosmëri, na bën të hedhim një hap përpara drejt shërimit të plotë, por nuk është se do të vijë në momentin kur të mendojmë që jemi shëruar. Kjo është situata, nuk duhet të fshihemi, jemi në vështirësi mes thonjëzave, por po dalim. Në fund të vitit do të bëjmë llogaritë dhe të shohim si do të dalim”.