04 shkurt 2010

Petruçi: Blasfemia në futboll duhet ndëshkuar

Presidenti i Komitetit Olimpik të Italisë (CONI), Xhiani Petruçi, ka ngritur zërin në lidhje me një tjetër problem, për të cilin, ndryshe nga racizmi, flitet pak, por që egziston në botën e futbollit: blasfemitë. Numri një i futbollit italian ka kërkuar menjëherë ndryshime në lidhje me këtë argument: “Abetes i kam kërkuar të ndërhyjë menjëherë për të bllokuar blasfemitë në fushë… Nuk mund të prishet kështu një spektakël kaq i jashtëzakonshëm, si ai që dhuron një ndeshje futbolli.
Feja nuk hyn, është një akt civilizmi dhe etike. Sa të rinj ndjekin ndeshjet dhe janë dëshmitarë të këtij spektakli të shëmtuar, duke menduar kështu se blasfemia është diçka normale dhe askush nuk ndëshkohet?” ka shpjeguar Petruçi, duke i kërkuar në vazhdim Abates t’ia transmetojë këtë mesazh të gjithë presidentëve të klubeve të futbollit në Itali. Midis trajnerëve dhe lojtarëve që kanë komentuar apelin e Petruçit ka qenë edhe tekniku i Interit, Hoze Mourinjo, i cili ka thënë: “Nuk kam dëgjuar asnjë blasfemi”. I ndryshëm komenti i Nikola Legrotaljes: “Jam dakord me presidentin e CONI-t: në fushë lojtarët duhet të japin shembullin e mirë”, ka thënë mbrojtësi bardhezi.