04 shkurt 2010

Juventus, nis operacioni për vendin e 3-të

Trajneri Zakeroni do të duhet të fitojë përballjet direkte për të siguruar Championsin

Pavarësisht se barazimi me Lacion nuk ka rikthyer besimin në shtëpinë e bardhezinjve, objektivi i deklaruar nga Zakeroni dhe nga skuadra mbetet kualifikimi në Champions, mundësisht në vendin e 3-të, për të evituar fazën paraeliminatore.

E ardhmja e bardhezinjve është e lidhur me pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm të Champions Ligës, rreth së cilës lëvizin 40 milion euro. Pas golit (të kotë) kundër Romës, kapiteni Del Piero ka paralajmëruar ekipin, por rruga për Juventusin duket se do të jetë shumë e vështirë. Në garë për një vend në Europë janë shumë skuadra: Milani, Roma, Napoli, Palermo dhe një rikthim të mundshëm të Fiorentinës, që do të jetë e gatshme për të luftuar deri në fund. Kalendari për bardhezinjtë nuk është shumë favorizues, përkundrazi: pasi është “arkivuar” përballja me Romën, Zakeronit i mbetet vetëm sfida me sicilianët në shtëpi, ndërsa me Milanin (ndeshja e fundit e kampionatit), Napolin dhe Fiorentinën, (por edhe Interi) do të luajë në transfertë.

Atëherë çfarë duhet bërë për t’u përgatitur sa më mirë në këto takime thelbësore? Nëse Zakeroni rekuperon një pjesë të mirë të lojtarëve të dëmtuar, duke ndërprerë kështu serinë e 42-të të të dëmtuarve, nga fillimi i sezonit do të mund ta ndërtojë skuadrën ashtu siç dëshiron. Situata në infermieri është akoma kritike: 40 ditë larg fushave Poulsen, rreth 20 ditë Kamorranezi, Iakuinta, Salihamixhiç, Markizio dhe Trezege. E ardhmja e afërt e Juves kalon edhe nga këta lojtarë.

Përsa i takon modulit, skema 4-3-3 ka qenë gjithmonë e preferuara e Zakeronit, ajo e ka bërë atë të famshëm. Edhe tek Juventusi ka ardhur momenti, pas ndeshjes së parë pa asnjë ndryshim taktik, trajneri nga Çezenatiko duket i bindur të ndryshojë. Kështu, para Bufonit do të luajë treshja Legrotalje-Kanavaro-Kielini, me Kaseres dhe De Çelje mesfushorë krahu. “Katër mesfushorë dhe skuadra në sulm”, ka thënë Zakeroni.