04 shkurt 2010

Bufon: Të ringrihemi, nuk ka më justifikime

Numri një bardhezi provon të karikojë ekipin: Të fitojmë Ligën e Europës e të kualifikohemi në Champions

“Eshtë momenti më i vështirë i 10 viteve të mia tek Juventusi. Zakeroni nuk ka shkopin magjik, por me të mund të ringrihemi”. Këto kanë qenë deklaratat e Xhianluixhi Bufon, i cili ka folur për krizën që ka goditur bardhezinjtë. “Nuk e kam marrë në konsideratë hipotezën që Juventusi mund të mos futet në Champions sezonin e ardhshëm. Nëse grupi ka një formë mbi mesataren mund të arrijë pa problem në tre vendet e para në kampionat”.

LIGA E EUROPES - Portieri juventin ka fiksuar edhe dy objektivat kryesorë të sezonit. “Duhet të fitojmë Ligën e Europës dhe të kualifikohemi direkt në Champions. Diskutimet për titullin në kampionat, në këtë moment nuk do të kishin kuptim. Në vija të përgjithshme kampionati mund të konsiderohet i mbyllur, duke parë avantazhin që ka grumbulluar Interi”.

TE GJITHE ME ZAKUN - Bufon beson tek Zakeroni: “Duhet të jemi gati dhe të zgjuar për të kuptuar atë që kërkon tekniku: e dimë si t’i vëmë në praktikë instruksionet e tij. Analiza që ai ka bërë pas ndeshjes me Lacion ka qenë shumë e kthjellët, më ka lënë përshtypje pozitive. Po mban një qëndrim shumë të qetë për të zgjidhur një situatë të vështirë, pa dashur të shpikë asgjë. Të gjithë lojtarët e ndjekin, me punën e tij mund të ringrihemi”.

KAPITULLI FERRARA - Numri një i bardhezinjve nuk mund të mos fliste për Çiro Ferrarën. “Për fat të keq është më e lehtë që një klub të largojë një njeri sesa 25. Më ka ardhur shumë keq sepse gjithçka kishte filluar në mënyrën më të mirë, më pas nuk ka ndodhur ajo që të gjithë prisnin dhe i gjithë faji ka rënë mbi një trajner dhe një mik. Jam i bindur se në një kohë shumë të shkurtër Ferrara do të marrë fitoret e tij. Tani ne nuk kemi më asnjë justifikim, përgjegjësitë janë shtuar: largimi i një tekniku është një sinjal alarmi edhe për lojtarët”.

BOTERORI - Në fund, Bufon ka folur edhe për kombëtaren e Italisë. Portieri bardhezi ëndërron për një përsëritje të suksesit të arritur katër vite më parë në finalen e Berlinit, ndoshta me rikthimin e Alesandro Nestës dhe Françesko Totit. “Unë, ashtu si gjithë lojtarët e tjerë të Italisë, dua të shkoj në Afrikën e Jugut dhe të kthehem prej andej me Kupën e Botës. Eshtë detyra e trajnerit të vendosë për atë që mund ta përforcojë akoma më shumë skuadrën”, ka thënë Bufon.