02 shkurt 2010

Përparim Hetemaj firmos me Brescian

Mesfushori kosovar, Përparim Hetemaj, karrierën do ta vazhdojë në Itali, te skuadra e Brescias që garon në Serie B. Lajmi është bërë i ditur të hënën nga ueb-faqja zyrtare e skuadrës italiane, e cila edhe ka prezantuar Hetemajn. Ai te Brescia është transferuar nga skuadra holandeze, Twente, me të cilën skuadër ka shkëputur kontratën. Me Brescian ka firmosur deri në fund të këtij edicioni me mundësi vazhdimi. Menjëherë, të hënën ai është prezantuar te skuadra italiane dhe ka marrë fanellën me numrin 40.Transferimin e Përparimit te Brescia e ka konfirmuar edhe vëllai Mehmeti, që është pjesë e ekipit Albinoleffe që po ashtu garon në Serie B. "Përparimi e ka shkëputur kontratën me Twenten dhe ka firmosur deri në muajin qershor me Brescian. Nëse tregohet i mirë në qershor ai do të firmosë edhe për tri vite tjera me Brescian, pasi kështu e kanë marrëveshjen", ka thënë Mehmet Hetemaj. "Përparimi është larguar nga Twente pasi nuk ka gjetur hapësirë dhe kjo e ka munduar shumë. Ai ka pasur edhe oferta të tjera nga disa ekipe në Serie B, por ajo e Brescias ishte më e mira për të". Hetemaj në verën e vitit të kaluar ishte transferuar në Twente nga AEK-u, por në ekipin holandez nuk ia doli në debutonte në kampionat. Regjistroi vetëm një ndeshje për Kupë. Te Brescia, që është e gjashta në Serie B me 35 pikë, pret të ketë më shumë hapësirë për lojë.Pos vëllezërve Hetemaj në Serie B luan edhe mesfushori tjetër kosovar, Migjen Basha, që bart fanellën e Frosinones.Përparim Hetemaj është edhe reprezentues i Finlandës.