02 shkurt 2010
Kosova, "e hendikepuar" për Ditën e Pavarësisë
Prishtinë, 2 shkurt - Seleksionuesi i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, nuk do të mund të llogarisë në shumë lojtarë që do të kishte dëshirë t'i përfshinte në ekip për ndeshjen e 17 shkurtit.Përfaqësuesja e Kosovës do të zhvillojë një miqësore me Përzgjedhjen e Superligës së Shqipërisë në Prishtinë, për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe Bunjaki thotë se do të mbështetet në lojtarët kosovarë që luajnë në ligat rajonale."Për shkak se shumë kampionate janë duke u zhvilluar nuk do të kemi mundësi të përfshijmë lojtarë të shumtë nga jashtë, por do të tentojmë që t'i ftojmë disa futbollistë kosovarë që luajnë në rajon, si në Shqipëri e Maqedoni, por kjo varet pak a shumë edhe nga klubet ku ata luajnë", ka thënë Bunjaki të hënën, në një konferencë për media.Miqësorja me Përzgjedhjen e Superligës shqiptare nuk është konfirmuar ende nga Federata Shqiptare e Futbollit, por drejtuesit e këtij institucioni kanë shtyrë një rreth të Kupës për hir të kësaj ndeshjeje. Dhe, takimi pritet të zhvillohet, pasi përgatitjet kanë nisur edhe në Shqipëri.Kosova ka hasur në vështirësi të vazhdueshme për aranazhimin e ndeshjeve miqësore për shkak të statusit që ka tash për tash FFK-ja. Disa ndeshje madje ishin anuluar pasi ishin konfirmuar datat dhe kundërshtarët, gjithnjë pas presioneve nga Serbia, UEFA dhe FIFA. Një nga kërkesat që FFK-ja ia kishte shtruar FIFA-s në takimet e fundvitit ishte edhe ajo për lejimin e miqësoreve në nivel të përfaqësueseve, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje."Organizimi i këtyre ndeshjeve është i vështirë, por kjo gjithsesi nuk varet nga ne, sepse nuk është datë në kalendarin e UEFA-s dhe FIFA-s, por kjo e 17 shkurtit, që është ditë historike për ne, do të jetë një test i mirë për të gjithë ata që konkurrojnë për një vend në përfaqësuese", ka shtuar seleksionuesi Bunjaki. Ai ende është në pritje të debutimit si trajner i Kosovës prejse u emërua në verën e vitit të kaluar. Në kampionatin shqiptar dhe atë maqedonas aktivizohen disa lojtarë kosovarë, që së bashku do të mund të formonin gati një 11-dhjetëshe. Në Shqipëri luajnë: Ilir Nallbani, Alban Dragusha, Liridon Kukaj, Liridon Leci, Shpëtim Babaj e Driton Krasniqi, kurse në Maqedoni aktivizohen Faruk Statovci, Fisnik Gashi e Genc Hyseni. Ndeshjen e fundit Kosova e zhvilloi në verën e kaluar kundër ekipit suedez, Kalmar. Ndeshja u pati zhvilluar në Suedi dhe Kosova pati pësuar me rezultatin 2:1.