Partizani “pushton” sërish mjediset e klubit
Sipas administratorit Paro Laçi, pavarësisht fjalëve, të kuqtë do të mbeten në rrugën “Frosina Plaku”
Rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, në mjediset e klubit është zhvilluar një mbledhje e hapur e skuadrës së Partizanit. Në këtë mbledhje të pranishëm ishin administratori i përgjithshëm i shoqërisë aksionare, Paro Laçi, pjesëtarët e këshillit mbikqyrës të shoqërisë, drejtori sportiv Sulejman Starova, stafi teknik, zyrtarët e klubit së bashku me trajnerët e akademisë, futbollistët e ekipit të parë, ish-drejtori teknik, Bejkush Birçe, si dhe përfaqësues të medias.
Fjalën kryesore e ka mbajtur administratori Laçi, i cili ka bërë një ekspoze të situatës aktuale, por është marrë edhe me të shkuarën dhe të ardhmen e Partizanit. Ky takim më shumë ishte i karakaterit sensibilizues për futbollistët, pasi ata duhet të jenë të qetë dhe të mos ndikohen nga polemikat e fundit mes Laçit dhe Xhanit.
U deklarua se Partizani e ka të sigurt anën financaire dhe synimi kryesor është që në fund të sezonit ekipi të renditet në vendin e dytë dhe të kalojë direkt në kategorinë superiore. Gjatë kësaj mbledhjeje Laçi propozoi Bejkush Birçen president nderi të Partizanit, propozim të cilin e hodhi edhe për miratim, por në fund të pranishmit kërkuan që kjo gjë të mos bëhej me nxitim, megjithëse nuk kanë asnjë kundërshtim me figurën e Birçes.
Më interesantja që doli nga ky takim ishte konfirmimi i “pushtimit” të ri që Partizani u bën mjediseve të klubit. Sipas Laçit, nuk duhet përdorur fjala ish-klubi, pasi Partizani është në vendin e vet dhe askush nuk mund ta përzërë pa i siguruar një strehë të re moderne. “Partizani do të mbetet në rrugën “Frosina Plaku”, këtë duhet ta fiksojnë të gjithë. Ne nuk largohemi pa na garantuar një kompleks tjetër, i cili duhet të jetë i kompletuar edhe me një hotel luksoz për lojtarët. Këto janë ambientet tona, nëse shteti do të mundohet të na nxjerrë me forcë, le ta provojë, pasi në fund do të vërtetojmë se kush ka të drejtë.
Në këto ambiente të drejta ka vetëm Partizani, ne nuk po merremi me pronarët apo mënyrën se si ata e kanë privatizuar. Nëse kjo ndodh, edhe ne kemi të drejtë t’u drejtohemi gjykatave, ka edhe gjykata ndërkombëtare. Stafi teknik dhe lojtarët të vazhdojnë të qetë stërvitjen. Ndoshta mund të ketë edhe provokacione, por ne do të jemi këtu për t’i zgjidhur,”- u shpreh para të pranishmëve në mbledhje administratori i të kuqve, Paro Laçi.
Paro Laçi, administrator i përgjithshëm “Partizani” sh.a
“Që kur është themeluar Partizani, është vendosur që stema apo emblema janë pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Prandaj nuk mund të vendoset çmim për këtë emblemë, por ka një shoqëria aksionare që quhet “Partizani” sh.a, e cila ka të drejtë të marrë përsipër zhvillimin e futbollit nën stemën e themelimit. Sipas rregullave, në rast se shoqëria falimenton, ne si shoqëri nuk kemi të drejtë ta shesim emblemën, por ia kthejmë Ministrisë së Mbrojtjes. Duke qenë përfaqësues ligjor i Partizanit, ju garanatoj se, sipas marrveshjes, deri në përfundim të sezonit 2011 do të financoj për ekipin dhe juve si grup nuk do t’ju mungojë asgjë.
Dua që këto probleme të ditëve të fundit të mos ndikojnë te ju dhe primare për Partizanin duhet të jetë takimi me Besëlidhjen. Duhet të jemi më të mobilizuar se kurrë, ndërsa nuk ekziston një problem “Albert Xhani”, pasi atë e kam partner dhe do të jetë në krahun tonë. Kësaj pune i kam hyrë me zemër dhe jam i bindur se të gjithë bashkë do të korrim suksese dhe këtë sezon ne pretendojmë vendin e dytë e jo të katër siç thuhet. Mundësitë matematikore janë për vendin e dytë. Do të jem i kënaqur kur të fitoj tri kampionate radhazi e jo kur të bie tri herë në kategorinë e parë.”
Birçe, president nderi. “Si përfaqësues ligjor i shoqërisë aksionare, kam të drejtën e propozimit, gjë të cilën e kam ushtruar kur kam propozuar Albert Xhanin president të Partizanit, ndërsa sot dua të bëj edhe një propozim tjetër, që ka lidhje me Bejkush Birçen si president nderi të ekipit.”
Terrenet, vetëm të Partizanit. “Këtu është bërë një aferë e pistë me terrenet e klubit, ku po të dua edhe unë mund të përfshihem dhe të përfitoj.
Por kjo gjë nuk do të ndodhë, pasi unë kam ardhur për ta ngritur Partizanin dhe po ju them se këtu nuk do të stërvitet askush tjetër, përveç nesh, pasi ky është klubi “Partizani”. Kështu, kush nuk është pjesë e Partizanit nuk ka vend në këtë klub dhe me këtë marrveshje po merrem dhe pa dyshim kjo lëvizje ka krijuar edhe zhurmën e ditëve të fundit, pasi preken interesat e atyre që donin ta largonin Partizanin, pjesë e të cilës është edhe vetë Albert Xhani.
Nëse do të ketë përfitime nga kompleksi ku ne ndodhemi, ato nuk do t’i përfitojë Albert Xhani, apo Paro Laçi, por ata duhet t’i përfitojë Partizani. Nuk kemi asgjë me pronarët, i respektojmë ata dhe do të respektojmë marrëveshjet që ata kanë bërë për të fituar pronat e tyre. Por një gjë duhet të jetë e qartë, se nga marrëveshjet duhet të dalë i fituar Partizani e jo personat privatë. Partizani është pronë e shqiptarëve dhe jo prona ime, pavarësisht se po financoj.”
Bejkush Birçe, i propozuar si president nderi: “Faleminderit për respektin dhe të gjithë duhet të punojmë për rikthimin e dinjitetit të Partizanit, gjë e cila arrihet së pari duke ngritur muzeun e klubit, pasi këtu nuk ekziston një fotografi, një flamur apo kupat që kanë fituar breza të shumtë të Partizanit. Tokat janë pronë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të askujt tjetër. Ata që kanë hyrë këtu, kanë ardhur kontrabandë. Për mua këtu nuk ka vend për privatizim apo kthim pronash, pasi kjo është pronë e shtetit dhe nuk ka pse të mos i takojë Partizanit.”
Sulejman Starova, drejtor sportiv: “Ka ndodhur një gjë e rëndë, që pronarët kanë hyrë për të na marrë klubin. Ky është shqetësimi që kemi ne. Qëllimi që dëgjohen këto gjëra është që ekipi të sensibilizohet për situatën dhe ata të mos ndikohen, por të punojmë sa më shumë që ta ngremë sa më lart Partizanin. Jemi duke ecur mirë dhe me shpresë vendi i dytë kapet, pasi edhe matematika ta lejon një gjë të tillë. Kështu që ekipi të vazhdojë stërvitjen dhe të përgatitemi që edhe në Lezhë të marrim tri pikët.”
Presidenti Xhani i mbetet deklaratës për median
Presidenti Albert Xhani nuk ka qenë i pranishëm në mbledhje, pasi është jashtë vendit. Gjithsesi, Xhani është informuar për sa ka ndodhur dje në mbledhje. I kontaktuar rreth asaj që u tha dje, presidenti Xhani nuk ka dashur të komentojë asgjë, pasi, sipas tij, çfarë ka pasur për të thënë i ka bërë të ditur në deklaratën për shtyp të datës 20 shkurt.
Muka: Dy golat e Besës s’kanë vlerë në Tiranë
Trajneri i bardhebluve, Devi Muka, pas fitores në kampionat, sot kërkon përmbysjen në Kupë
Trajneri i Tiranës, Devi Muka, në prag të sfidës së kthimit të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, në një prononcim para mediave, beson te përmbysja. Pavarësisht pozitave në të cilat ndodhet skuadra e tij, ai vazhdon të ketë besim te ky grup që e quan më të mirin jo vetëm se Besa, por edhe se çdo ekip tjetër i superligës. “Labi” i Tiranës, me karakterin e tij asnjëherë nuk di të dorëzohet edhe në situatat më të vështira dhe ka treguar se ia ka dalë mbanë në fushën e lojës.
Të njëjtën gjë do të kërkojë të bëjë edhe sot, por në një detyrë akoma më të vështirë ashtu si e pranon edhe vetë Muka, atë të trajnerit, që do t’i duhet të thyejë Besën. “Jam shumë i sigurt se ne jemi një ekip shumë herë më i mirë se Besa. Kavajasit s’kanë diferencë me ne dhe në ndeshjen e parë në stadiumin e tyre ne “mundëm” veten me 2 gola aksidentalë. Kam shumë besim se ky grup mund ta përmbysë rezultatin dhe të kualifikohemi.
E parashikoj një ndeshje të fortë. Edhe pse duket sikur me rezultatin 2-0 Besa është më e favorizuar, nuk mendoj kështu. Fusha do ta tregojë, edhe pse do të luajmë në një terren të rënduar. Këtë kampionat disa mund ta quajnë të dështuar, por unë nuk jam aspak i këtij mendimi. Për nga mënyra se si rrodhën ngjarjet, kemi pasur edhe fatin e keq. Sidomos pas sfidës me Dinamon, jo për humbjen, por për dënimet që pësuam, ekipi ynë ra shumë nga ana psikologjike,” - pohoi fillimisht trajneri i Tiranës, Devi Muka.
“Pas Laçit jemi më të fortë”: Sipas Mukës, tri pikët me Laçin kanë ardhur në momentin e duhur për Tiranën. Tashmë bardheblutë janë akoma më të fortë: “Mendoj se me fitoren e arritur ndaj Laçit skuadra jonë ka marrë tjetër pamje dhe jemi më të fortë. Është kthyer besimi dhe jemi çliruar nga ana psikologjike, edhe pse duhet pranuar se kemi ende shumë punë për të bërë për të qenë aty ku duhet.”
“Përparësi do të ketë sulmi”: “Mendoj që të luajmë të mbledhur prapa dhe të përdorim kundërsulmin me shumë forca përpara. Tirana jo vetëm këtë vit, por edhe në të kaluarën, ka luajtur me 4 sulmues dhe gjithnjë i ka dhënë përparësi ofensivës, edhe pse 2 luajnë të deklaruar, të tjerët “të fshehur”, si Sefa apo Muzaka, që e kanë bërë shumë mirë një detyrë të tillë. Nuk na mbetet gjë tjetër, s’kemi çfarë të humbasim, veçse duhet të japim maksimumin,”- thekson Devi Muka.
“E ardhmja? Jam emocional, s’e bëj dot trajnerin”: “Detyra e trajnerit? Nuk paska gjë më të keqe që mund t’i ndodhë një futbollisti (qesh). Kam dëgjuar edhe trajnerët më parë kur luaja vetë që është detyrë e vështirë, po e besoj në këto momente. Më shumë ndien emocione në pankinë sesa në fushë. Dua t’i rikthehem fushës dhe në momentin që do jem gati, nuk do të bëj më rolin e trajnerit. Për sa i përket të ardhmes, unë jam tip emocional dhe e ndiej shumë ndeshjen, kështu që mendoj se nuk bën për mua puna e trajnerit. Qejf kam, e dashuroj futbollin, e dua Tiranën dhe kam shumë dëshirë të jem pjesë e këtij klubi në të ardhmen, por si trajner jo,” - përfundon deklaratën e tij, lideri i 24 herë kampionëve, Devi Muka.
Bardheblutë përgatiten edhe për penalltitë
Të gjithë në kampin bardheblu janë mjaft optimistë në prag të sfidës që do të zhvillohet sot me Besën. Kryeqytetasit do të kërkojnë që të ndreqin imazhin, madje deri në fund të përballjes do të synojnë kualifikimin, çka do të ishte me të vërtetë një sukses i madh për ta. Por, në seancën stërvitore që është zhvilluar dje pasdreke në “Skënder Halili”, dy drejtuesit e Tiranës, Devi Muka dhe Luan Sengla, i kanë marrë masat edhe në rast se sfida shkon me shtesa apo penallti, edhe pse rezultati i ndeshjes së parë në Kavajë duket se favorizon më shumë verdhezinjtë.
Stafi teknik ka punuar veçmas me të gjithë titullarët për më shumë se 15 minuta, madje si Muka ashtu edhe Sengla janë parë që t’i këshillojnë gjatë lojtarët e tyre. Ata i kanë bërë me dije që të tregohen gjakftohtë në rast se ndeshja shkon me 11-m. Dihet që në radhët e bardhebluve janë disa lojtarë që nuk gabojnë në gjuajtjen e penalltive, si Muzaka, Lila, Plaku, Devolli apo dhe kapiteni Muka, edhe pse ky i fundit do të mungojë sot.
Gjithsesi, çdo gjë mbetet për t’u parë nëse bardheblutë do të jenë në gjendje që ta zgjidhin sfidën e sotme, qoftë edhe me 11-m, edhe pse optimizmi në radhët e tyre është në shkallën maksimale. Përveç Mukës, të cilit sot i mbaron afati i pezullimit, dhe Dabullës, që ende nuk është riaftësuar plotësisht, të gjithë bardheblutë e tjerë janë gati për betejën që vlen më shumë se një ndeshje për ta.
Formacioni i mundshëm: Nallbani, Sina, Lila, Pashaj, Abraham, Muzaka, Ahmataj, Devolli, Sefa, Plaku, Abilaliaj. Trajner: L.Sengla
Duro: Kualifikimi vendoset vetëm sot
Verdhezinjtë do të luajnë sot sikur të ishte ndeshja e parë dhe jo sikur kanë fituar 2-0 në Kavajë
Shumë nga specialistët verdhezinj, por edhe tifozët kavajas, e quajnë kualifikimin e Besës punë të mbaruar. Pas fitores së pastër në takimin e parë në Kavajë 2-0 dhe nisur nga gjendja që po kalon Tirana, të gjithë besojnë se bardheblutë nuk do të mund t’i shënojnë Besës tri gola, edhe pse një fitore minimale e Tiranës, apo një barazim do të ishte edhe i pranueshëm.
Po nuk mendon kështu numri një i pankinës verdhezi, Shpëtim Duro. Sipas trajnerit tiranas të Besës, do të ishte “vetëvrasje” nëse futbollistët verdhezinj do të hynin në fushë me këtë ide. “Para sfidës së parë në Kavajë ishte Tirana ajo që erdhi të arrinte një rezultat pozitiv ndaj nesh. Tashmë dihet çfarë ndodhi dhe ne merituam fitoren e pastër.
Me këtë dua të them se edhe Tirana sot do të pretendojë të njëjtën gjë,” shprehet me të drejtë trajneri Shpëtim Duro. Verdhezinjtë vijnë në këtë sfidë pas atij barazimi të papritur ndaj Teutës, ku në vend të golave, shënjuan shtyllat. Ndërsa vendasit, pas fitores minimale me Laçin, e shohin takimin e sotëm si ngushëllimin e sezonit.
Te kjo ambicie e tyre, por edhe te mungesat e shumta që do të ketë Duro sot, lind edhe kurioziteti se kush do të ecë më tutje. Eshtë trajneri Duro që e bën të qartë dhe beson se Besa e tij do të kualifikohet, por me kushtin e vetëm: të luajë e vlerësojë takimin sikur të ishte ndeshja e parë dhe ta harrojë rezultatin në Kavajë. “U kam kërkuar djemve të hyjnë në fushë me bindjen se luhet sfida e parë dhe nga kjo varet kualifikimi e jo të hyjnë me idenë se kanë fituar në Kavajë.
Tirana nuk ka shans tjetër për trofe dhe do të japë gjithë arsenalin e saj për t’u kualifikuar. Ndeshjet e kupës kanë treguar se ndodh që një rezultat të përmbyset, qoftë edhe ai 2-0, kur kundërshtari nuk jep atë që ka. Ndaj jam i bindur dhe këtë ia kam thënë edhe ekipit se vërtet Besa është një hap përpara, por gjithçka vendoset sot,” - thekson trajneri Duro.
Sfidën e sotme e sheh të fortë edhe presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, i cili thotë: “Unë kam besim tek ekipi dhe Besa ime do të kualifikohet. Kjo do të ndodhë vetëm nëse ekipi luan me kujdes, korrektësi taktike dhe jep maksimumin. Kemi luajtur shumë takime këtë muaj dhe ndoshta gjendja fizike nuk është në maksimumin tonë, por unë besoj te përvoja e futbollistëve të mi.”
Kavajasit, shpërblim nëse kalojnë turin
Kjo atmosferë sigurisht favorizon verdhezinjtë të cilët kanë përkrahen dhe besimin e Bizhdilit pa harruar se ky besim do të shoqërohet me një grusht parash jo të vogla në rast kualifikimi, por nuk dihet akoma se është premioja që do të japë “bosi” kavajas. në fakt këtë Bizhdili ua ka deklaruar të tijve që para ndeshjes së parë në Kavajë. Kujtojmë që presidenti është ndër më korrektët sa u takon shpërblimeve.
Formacioni i mundshëm i Besës:
Shehi, Fagu, Poçi, Vrapi, Arapi, Mancaku, Mihani, Shkëmbi, Cikalleshi, Sinani, Xhafaj, Trajner: Sh.Duro
Bakaj: Nuk gabojmë dy herë në Peqin
Sipas sulmuesit Elis Bakaj, Dinamo do të dijë ta tregojë kësaj here veten në Peqin
Dinamo është gati për betejën e mbetur, atë me Peqinin. Sot, në fushën sportive të këtij qyteti blutë do të përballen me Shkumbinin në ndeshjen e parë të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Jo vetëm që kupa është objektivi i mbetur i bluve, pas arratisjes me +14 në kampionat, por humbja e Peqinit gjatë fazës së parë në kampionat 4-0, është tepër e vështirë për t’u përballuar nga dinamovitët, të cilët do të jenë të motivuar në këtë sfidë.
Borë, shi, breshër apo furtunë, blutë janë të betuar për një rezultat pozitiv. Për të forcuar më shumë këtë ide, dje për “Sportin shqiptar” është prononcuar lojtari i momentit në Shqipëri, Elis Bakaj. Golashënuesi më i mirë i kampionatit të 71-të kombëtar mendon se ky takim do të jetë tepër i rivalizuar, por Dinamo do të japë më të mirën për të dalë kokëlartë në fundin e sfidës. “Na pret një ndeshje e vështirë me Shkumbinin për shumë arsye, por do t’ia dalim. Ne vërtet jemi mundur në fazën e parë 4-0 në atë fushë, por nuk besoj se Dinamo gabon dy herë radhazi në Peqin. Në ndeshjen e parë ishte një terren i rënduar, jashtë çdo kushti për të luajtur futboll, por ne nuk kemi qëndruar të fokusuar në këtë sfidë, madje tashmë jemi të vendosur për të dalë fitues.
Dinamo do ta tregojë veten edhe në fushën e Peqinit, edhe pse terreni mund të jetë i rënduar. Kësaj here kemi shumë motive për të treguar më të mirën tonë dhe jam i bindur se me forcën e gjithë skuadrës do ta fitojmë këtë sfidë. Borë, shi, breshër, furtunë, ne jemi të betuar për të luajtur një futboll burrëror dhe brenda çdo rregulli sportiv,”- pohon sulmuesi Elis Bakaj, i cili është një nga pikat më të forta të skuadrës së Dinamos. Në planin personal, futbollisti i kombëtares kuqezi dhe Dinamos do të rikthehet pas mungesës në ndeshjen e kampionatit, ku blutë janë mundur 3-0 në Fier. “Jam i lumtur që do të rikthehem në fushë pas një mungese njëjavore. Shpresoj të jap sërish kontributin tim për Dinamon edhe në sfidën e sotme.
Nuk ka rëndësi, shënoj, asistoj, apo diçka tjetër, rëndësi ka që Bakaj të japë më të mirën në fushën e blertë, më pas të tjerat vijnë vetvetiu. Gëzoj një formë të mirë sportive, pasi vetëm me një mungesë s’mund të humbas shkëlqimin tim. Nuk mund të them që Dinamo s’ia del dot pa mua, sepse kam munguar në disa sfida ku ekipi ka arritur të fitojë edhe pa shërbimin tim. Një nga pikat tona më të forta, e kam përsëritur edhe më parë, është pikërisht konkurrenca në skuadër dhe organika e pasur që stafi ynë teknik ka në dispozicion.
Nuk dua të flas më për të ardhmen time pa përfunduar kampionati, tani dua të jem i përqendruar këtu 100%, në fund së bashku me klubin do të mendoj për të ardhmen time. Unë e kam thënë edhe më parë që deri në sekondën e fundit që do të mbaj veshur këtë fanellë, do të jap maksimumin tim. Edhe nëse do të lëviz më vonë nga Dinamo, do t’i jem gjithnjë borxhli këtij klubi që më ka formuar shumë në karrierën time sportive, por këtu nuk veçoj as ekipin e Partizanit, ku jam rritur si futbollist,”- e mbyll prononcimin e tij nr.19 i bluve, Elis Bakaj.
Stërvitja, blutë gati për Shkumbinin
Dje paradite, skuadra e Dinamos ka zhvilluar stërvitjen e fundit përpara ndeshjes së Kupës së Shqipërisë ndaj Shkumbinit. Pak kuadrate, streçing dhe më pas blutë kanë përfunduar seancën, duke u larguar nga klubi për t’u ritakuar në orën 19:00, ku është bërë edhe nisja drejt Durrësit, në rezidencën e zakonshme të Dinamos, hoteli “Ylli i Detit”.
Dinamo me grup të plotë në kupë
Ndeshja e sotme përballë Shkumbinit në Peqin e gjen stafin teknik të bluve me një organikë të pasur, ku zgjedhjet në duart e trajnerit Muça do të jenë të shumta. Nuk ka as të pezulluar dhe as të dëmtuar në këtë sfidë, por sigurisht Dinamo, duke qenë e sigurt në hapin e saj në kampionat, sigurisht sot në fushë do të zbresë me formacionin e saj më të mirë.
7 vite pa fituar Kupën e Shqipërisë
Dinamo, që nga sezoni 2002-2003, s’ka arritur të fitojë Kupën e Shqipërisë. Blutë kanë fituar në finalen e këtij kompeticioni përballë Teutës së Durrësit më 2003-shin me rezultatin e ngushtë 1-0. Ndërkohë, në 10-vjeçarin e fundit blutë kanë diskutuar 3 finale, duke fituar vetëm një. Në vitin 2002 Dinamo me Tiranën është mundur 1-0 dhe më 2004 ka humbur me Partizanin po 1-0.
Formacioni - Kotorri, Putinçanin, Pisha, Malakarne, Del Monte (Ferraj), Vila, Diop, Allmuça, Soza, Sefa, Bakaj. Trajner: Sh.Muça.
Peqinasit kanë edhe tifozët favor të madh
Shkumbini kërkon të fitojë takimin e parë, për të bërë maksimumin pastaj për ndeshjen e kthimit
Mesfushori i Shkumbinit, Driton Krasniqi, është në dyshim për ndeshjen e sotme për kupë ndaj Dinamos. Gjendja e tij është drejt përmirësimit, teksa është stërvitur veçmas grupit dhe kosovari i bardhekaltërve do të jetë i gatshëm në stol për këtë ndeshje të rëndësishme.
“Që nga java e kaluar, kur u dëmtova lehtë në Prishtinë, në ndeshjen me Shqipërinë B, jam rikuperuar dhe mendoj se do të vendosë trajneri e stafi mjekësor nëse do ta nis ndeshjen nga minuta e parë apo nga stoli,” - thotë mbrojtësi energjik Krasniqi. I ardhur gjatë merkatos së dimrit nga KEK e Kosovës, Dritoni ndihet mirë në Peqin dhe rezultatet e fundit të ekipit e bëjnë optimist dhe, sipas tij, Shkumbini ka për të zënë një vend nderi në kampionat, si dhe do të jetë finalist i Kupës së Shqipërisë.
Gjithnjë sipas mbrojtësit kosovar, moszhvillimi i ndeshjes në Korçë me vendasit e Skënderbeut, do të bëjë që ndaj Dinamos të jenë më të freskët se kundërshtari dhe të kenë praktikisht më tepër mundësi për të marrë rezultatin pozitiv në ndeshjen e parë dhe në atë të kthimit në Tiranë të jenë më të qetë.
Duke folur për takimin e sotëm me blutë e Dinamos, që për kampionat në Peqin janë mundur thellësisht 4-0, ai vlerëson kundërshtarin, i cili pothuajse ka siguruar titullin e kampionit dhe do të bëjë të vetën edhe Kupën e Shqipërisë për të fituar të dy trofetë e sezonit futbollistik 2009-2010. “Dinamo është dhe mbetet ekipi më i mirë i kampionatit dhe sigurisht që do të kërkojë të ndreqë imazhin e vet pas asaj humbjeje të thellë në Peqin, por edhe atë të javës së kaluar në Fier.
Na takon ne që të dimë të reagojmë përballë këtij kundërshtari, duke luajtur me kujdes në mbrojtje për të mos pësuar gol, ndërsa duhet të përpiqemi që në fillim të lojës që të gjejmë rrugën e rrjetës. Do të bëjmë më të mirën në fushën tonë dhe kam besim të madh se do të fitojmë edhe për tifozërinë tonë të zjarrtë,” - ka përfunduar mbrojtësi i Shkumbinit, Driton Krasniqi.
Shkumbini, sot më i freskët se kundërshtari
Peqinasit, vërtet kanë udhëtuar drejt Korçës, por fatmirësisht nuk kanë luajtur asnjë minutë dhe kjo është një favor jo pak i vogël, duke parë kushtet e terrenit që ishin në Korçë, që nëse do të ishte luajtur, do të kishte qenë rraskapitëse për bardhekaltërit. Ndërsa Dinamo ka luajtur në fundjavë në Fier, një transfertë jo pak impenjative. Megjithatë, kampi peqinas nuk po “fle mbi dafina”, sepse e di fare mirë kush Dinamo.
Formacioni i mundshëm i Shkumbinit: - Bejte, Feruzoviç, Pashja, Mujdragiç, Krasniqi (A.Sekseni), Shenaj, I.sekseni, Gjyla, Çaushaj, Grboviç, Bakiu. Trajner: P.Daiu.