Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka filluar t’i bëjë të gjitha përgatitjet për ndeshjen revyale që përfaqësuesja e Kosovës në futboll, do ta zhvillojë kundër seleksionimit të Superligës së Shqipërisë, me 17 shkurt, për nder të ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se ende nuk ka marrë konfirmim nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) për zhvillimin e kësaj ndeshjeje, edhe pse FSHF e kishte aprovuar një gjë të tillë ditë më parë, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të saj.
“Përpos faktit që nderohet dita e Pavarësisë, me këtë eveniment sportiv, në koordinim me FSHF-në kemi vendosur që të gjitha të ardhurat nga kjo ndeshje, t’u dedikohen familjeve të prekura nga përmbytjet e fundit në Shkodër”, theksoi Salihu në një konferencë për shtyp, të mbajtur të hënën.
Ndërsa, selektori Albert Bunjaku, foli më konkretisht rreth ekipit dhe rëndësisë që ka kjo ndeshje. Ai u shpreh se nga kjo ndeshje do të mund të informohet më mirë për futbollistët që mund të llogarit në të ardhmen.
“Kjo është një ditë historike. Një ndeshje të tillë e kishim në planprogramin tonë, është një takim i karakterit të rëndësishëm. Është një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi bëhet edukimi më i madh i futbollistëve. Jemi në rrugë të mirë të procesit që e kemi filluar. Ky është një moment i mirë për t’i parë lojtarët vendorë, të cilët mund të jenë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në të ardhmen”, deklaroi Bunjaku.
Ai vijoi se kjo ndeshje është e mirëseardhur, pas dy fazave të tubimit që bëri me futbollistët vendorë. Selektori kosovar bëri të ditur se futbollistët e ftuar kryesisht do të jenë nga Superliga e Kosovës, por përparësi do të kenë lojtarët që luajnë në rajon, Shqipëri, Maqedoni etj.
Sipas Bunjakut, kjo nuk do të thotë që në këtë manifestim nuk do të jenë të pranishëm futbollistë kosovarë që luajnë në Evropë, pasi mendon ta bëjë një kombinim. Ai përmendi se ka pasur kontakte dhe në 4-5 ditët e ardhshme do të dijë më shumë nëse do të vjen ndonjë futbollist që luan jashtë, edhe pse është i vetëdijshëm dhe i kupton ata, pasi që kanë obligime me klubet e tyre.
Bunjaku shpreson që t’i mundësohen sa më shpesh ndeshje të tilla, pasi që i shërbejnë për ta krijuar ekipin i cili do ta përfaqësojë Kosovën në të ardhmen.