Het-trikun e Albert Bunjakut e ka përshëndetur edhe selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld. Trajneri gjerman i ka dërguar një sms (mesazh) sulmuesit kosovar, për ta uruar atë për paraqitjen e shkëlqyeshme në Hannover, ku Nurnberg rrëmbeu tri pikë mjaft të rëndësishme, në luftën e saj për mbetje në Bundesligën gjermane.
“Hitzfeld më kishte dërguar sms për Krishtlindje dhe për Vitin e Ri, por edhe pas ndeshjes me Hannover. Ai më ka uruar për ndeshjen që kam bërë dhe për fitoren e ekipit. Selektori më ka thënë se duhet të vazhdoj kështu”, tregon Bunjaku, në një intervistë dhënë tabloidit zviceran, Blick.
Bunjaku shënoi të shtunën pas një kohe të gjatë. Ai ishte i preokupuar për mungesën e golit për gjashtë ndeshje, por gjasat e tij tashmë janë rritur, për të qenë pjesë e Zvicrës në Botërorin 2010. “Si sulmues, isha i brengosur sepse mungonin golat. Vetëm trajneri im, Dieter Hecking më thoshte gjithmonë se nuk duhet të zhgënjehesha, sepse golat do të vinin”, vazhdoi sulmuesi 26 vjeç.
Bunjaku shtoi se presionin më të madh kohëve të fundit e kishte nga vetvetja, pasi që dëshironte ta demonstronte se nuk ishte një blerje e fatit dhe dëshironte ta konfirmonte momentin e tij të mirë të sezonit.
Ndërkohë, Bunjaku nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq. Gjilanasi dëshiron të vazhdojë me ritëm të njëjtë, në mënyrë që ta ndihmojë skuadrën e tij që të mbetet anëtare e elitës së futbollit gjerman edhe vitin tjetër. Bunjaku ka shënuar 9 nga 16 golat e Nurnberg këtë sezon.
“Natyrisht që jam i nderuar. Por, shpresoj që këta të mos jenë golat e mi të fundit. Unë dëshiroj ta shfaqi vlerën time dhe të mund ta ndihmoj skuadrën me golat e shënuar. Do të vazhdoj kështu”, tha ish sulmuesi i Erfurt. “Ne kemi sulmues të mirë në ekip. Trajneri llogarit në neve, dhe ne ia shpaguajmë besimin e dhënë”, vazhdoi ai.
Futbollisti i javës
Paraqitjen e mirë të Bunjakut kundër Hannover e ka shpërblyer edhe magazina sportive gjermane, Kicker, e cila e ka shpallur si futbollistin më të mirë të javës.