02 shkurt 2010

Për shkak të borës stërvitet në palestër

Skuadra e futbollit Ferizaj megjithëse ka mbetur pa katër futbollistë të përbërjes së parë nuk shqetësohet fare, por premton se edhe me futbollistë të rinj do të jetë befasi e stinorit pranveror në Raiffeisen Superligën e Kosovës. Kryetrajneri Arsim Abazi tha se futbollistët Përparim Livoreka e Florim Berisha me dëshirë janë kthyer në KF Lepencin e Kaçanikut, ndërsa Shyqeri Alili është shkuar në Gjermani dhe Agron Istrefi ka kaluar në radhët e Ballkanit të Therandës. “Mungesa e katër futbollistëve titullarë do të jetë hendikep i madh për Ferizajn, por shpresoj se do të gjejmë zëvendësime me disa futbollistë të rinj. Nga radhët e juniorëve kemi inkuadruar te seniorët tetë futbollistë, që besoj se disa prej tyre mund të luajnë me sukses në përbërjen e parë”, tha Abazi. Ferizaj tashmë e disa ditë ka nisur përgatitjet për stinorin pranveror, por të cilat zhvillohen brenda në palestrën e Sportit “Bill Klinton” në Ferizaj. “Bora që ka rënë këto ditë ka pamundësuar që përgatitjet t’i vazhdojmë në stadiumin e qytetit, por ndërkohe jemi duke i zhvilluar në palestër. Kushtet për punë janë mjaft të mira, duke iu falënderuar kryesisë së skuadrës”, theksoi Abazi. Ferizaj edicionin vjeshtor e ka përfunduar në vendin e shtatë me 25 pikë të tubuara, që për shumëkënd ka qenë edhe befasi. “Natyrisht në vazhdim të kampionatit synojmë mesin e tabelës, që mendoj se është pozitë reale. Me gjithë fondin e varfër të futbollistëve që kemi, besoj se do ta ruajmë mesin e tabelës dhe të befasojmë sikurse në vjeshtë me lojëra dhe rezultate të mira”, nënvizoi Abazi. Skuadra e Ferizajt përgatitjet nga 18 shkurti do t’i vazhdojë në Dojran të Maqedonisë. “Në Dojran do të qëndrojmë 12 ditë në përgatitjet e përbashkëta, që do të jenë një mundësi e mirë të përgatitem sa më mirë. Në Dojran do t’i zhvillojmë edhe katër ndeshje miqësore, të cilat do të shërbejnë edhe për gjetjen e përbërjes më të mirë për pjesën pranverore”, tha Abazi. Gjasat janë të pakta që të përforcohet Ferizaj. “Nuk e besoj se do të ndodhë ndonjë përforcim. Pavarësisht kësaj, mundësitë janë të hapura, por në bazë të rrethanave është shumë pak e besueshme që të sjellim ndonjë futbollist. Forcat tona do t’i bazojmë me këtë fond që kemi aktual të futbollistëve dhe konsideroj se do të arrijmë qëllimin të jemi në vendin që synojmë në fund të kampionatit”, përfundoi Abazi.