10 shkurt 2010

Pas Botërorit, Lippi president i Juves?

Torino, 10 shkurt - Seleksionuesi i Përfaqësueses së Italisë, Marcello Lippi, pas Kampionatit Botëror "Afrika e Jugut 2010" do të rikthehet te skuadra e Juventusit. Kësaj herë jo si trajner, por si president i Juventusit, shkruan të martën gazeta italiane "Tuttosport".
Lippi 61-vjeçar shihet si zgjidhje e mirë për të gjitha problemet që kanë kapluar skuadrën nga Torino. Aktualisht president është Jean-Claude Blanc, por pas ardhjes se Lippit ai pritet të marrë postin e shefit ekzekutiv.
"Lippi në muajin tetor do të emërohet president i Juventusit, pronarët kanë marrë këtë vendim dhe ata janë konsultuar edhe me seleksionuesin italian", kanë thënë burime brenda Juventusit për gazetën italiane. "Lippi është i lidhur me Juventusin dhe për këtë arsye nuk ka mundur ta refuzojë një post të tillë për të shpëtuar skuadrën nga kriza që po kalon".
Pasi të konfirmohet Lippi si president i Juventusit, drejtori i përgjithshëm Reberto Bettega do të ngrihet në postin e nënkryetarit, ndërsa për drejtor sportiv po lakohen emrat e ekspertëve të transferimeve si Beppe Marotta, Giorgio Perinetti dhe Pantaleo Corvino.
I vetmi që do të shkarkohet nga struktura e tanishme e Juventusit, sipas "Tuttosport", do të jetë drejtori sportiv Alessio Secco.
Lippi më herët ka qenë trajner i Juventusit dhe me këtë skuadër ka arritur sukseset më të mëdha. Ai ka drejtuar "Zonjën e Vjetër" në vitet 1994-1999 dhe 2001-2004.