10 shkurt 2010

Kuzhe: Shtohet numri i kosovarëve në kombëtaren e Shqipërisë

Kroati Josip Kuzhe është i bindur se futbollistët kosovarë janë pjesë e rëndësishme e Kombëtares shqiptare dhe se pa ta ekipi do të kishte telashe të mëdha në mbulimin e pozicioneve të caktuara.Kuzhe në një intervistë dhënë gazetës të martën, ka pohuar se është i lumtur që gati gjysma e ekipit vjen nga Kosova. Madje ai thotë se është në kërkim edhe të disa futbollistëve të tjerë kosovarë, që tashmë i ka shënjestruar dhe po përgatitet t'i ftojë."Kosovarët janë ndër futbollistët më të mirë në Kombëtare. Këtë e them pa pikë dyshimi. Kanë cilësi të madhe dhe ata janë të domosdoshëm, janë krah i fortë i ekipit. Gëzohem që janë këtu", ka thënë Kuzhe të martën.Kroati ka vlerësuar lart mesfushorin e Sunderlandit Lorik Cana, duke e quajtur "lojtar të klasit botëror", pastaj dyshen e Vorskla Poltavas, Armend Dallkun e Debatik Currin, për të cilët thotë se i vjen keq që nuk luajnë në një ligë më të fortë se ajo ukrainase. Ka vlerësuar edhe dy gardianët, përkatësisht Arian Beqajn dhe Samir Ujkanin. Interesant i duket edhe Besart Berisha.Trajneri Kuzhe thotë se çështja e kthimit të mbrojtësit Mërgim Mavaraj në ekipin kombëtar është punë e kryer. Ai shton se Mavraj do të jetë pjesë e ekipit për ndeshjen miqësore të datës 3 mars kundër Irlandës së Veriut"Më së shumti gëzohem për Mavrajn që do të jetë pjesë e Kombëtares dhe ai sipas të gjitha gjasave do të luajë në miqësoren me Irlandën e Veriut. Dokumentacioni i tij është duke u rregulluar", ka thënë Kuzhe. Mavraj ishte pajisur me pasaportë shqiptare para tri vitesh, por pasi nuk u ftua në ekipin e parë, ai hoqi dorë nga ajo dhe nisi të luajë në Shpresat (U21) të Gjermanisë. Tani, pasi Kuzhe ka marrë drejtimin e Kombëtares, ia ka dalë të bindë mbrojtësin e Bochumit të kthehet në Kombëtare. Mavraj është 23 vjeç dhe është standard te ekipi i Bundesligës 1. Në pozitën ku luan kosovari Mavraj, në atë të qendërmbrojtësit, Shqipëria ka më së shumti telashe.Rrugën e Mavrajt shumë shpejt pritet ta ndjekë edhe sulmuesi i Dundee Unitedit skovez, Andis Shala. Kuzhe thotë se i intereson ky futbollist dhe se pa problem do ta ketë nën urdhrat e veta. Kur thotë këtë, ai mendon në raportet e mira që ka me të atin e Andisit, Kujtim Shalën, të cilën e ka pasur futbollist të vetin kur stërviste Dinamon e Zagrebit në fund të viteve '80."Me intereson edhe djali i Kujtimit, Andisi. Nuk kam informata shumë për të, por më kanë thënë se është futbollist i mirë".Josip Kuzhe tashmë ka konfirmuar ardhjen në Prishtinë për ndeshjen miqësore të 17 shkurtit mes Përfaqësueses së Kosovës dhe Përzgjedhjes së Superligës së Shqipërisë, të cilën ai do ta drejtojë. Kjo ndeshje do të luhet për nder të dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe Kuzhe, vlerëson se është rast i mirë për të festuar së bashku. "Gjithsesi se do të vijmë në Prishtinë për të marrë një rezultat të mirë kundër ekipit të Kosovës, por më e rëndësishme se kjo është se do të festojmë së bashku, dy shtete që flasin gjuhën e njëjtë. Rëndësi të madhe ka për mua që do të luajmë para tifozëve kosovarë që janë ndër më të zjarrtit në ndeshjet e Shqipërisë", ka thënë Kuzhe. Për të kjo nuk do të jetë hera e parë që do të jetë në Prishtinë. Ai gëzohet që pas më shumë se 20 vitesh i jepet mundësia të vijë sërish."Jam shumë i lumtur që po vij në Prishtinë, herën e fundit kam qenë para 20 vjetëve si trajneri i Borcit të Banja Llukës, kam qenë edhe si lojtar më herët dhe them se jam tepër i emocionuar për këtë vizitë", ka shtuar ai. Në fund ja edhe disa mendime të Kuzhes për lojtarët kosovarë: “Cana praktikisht është kapiten edhe pse nganjëherë nuk mban shiritin e kapitenit. Ai është lider i vërtetë dhe sjellja e tij gjatë lojës e bën edhe më madhështor. E shfrytëzoj në qendër të mbrojtjes, sepse kam besim të madh në të dhe ky rol ka përgjegjësinë më të madhe. Është futbollist i klasifikimit botëror dhe për një kohë shumë të shkurtër nga Sunderlandi e shoh të luajë për Manchester Unitedin apo Arsenalin.Dallku e Curri janë shumë të rëndësishëm dhe të fortë në pozitat e tyre. Pa këta dy futbollistë Kombëtarja do të kishte telashe të mëdha. Si Dallku ashtu edhe Curri mund të kombinohen në mbrojtje në pozita të ndryshme. Më vjen keq që nuk luajnë në ndonjë ligë më atraktive sesa Ukraina.Beqajn nuk e njoh si person, nuk më ka rënë rasti. Por e di së është një portier shumë i mirë dhe rikthimi i tij në fushë të blertë më ka gëzuar tej mase.Ujkani është portier me perspektivë të madhe. Atij i duhet përvojë dhe duhet të rrisë vetëbesimin. Do të jetë ndër portierët më të mirë shqiptarë. Berisha në kohët e fundit nuk ka qenë shumë në kombinim, por është shumë lojtar interesant për mua dhe do ta kem parasysh”.