09 shkurt 2010

Pa Paton s’ka gola, Milani nuk di të shënojë

Kuqezinjtë e Leonardos, me një gol të vetëm në katër takimet e fundit, e ndiejnë mungesën e brazilianit
Ecuria e Milanit në fazën e dytë: pasi ka mundur Sienën, ka humbur në derbi duke grumbulluar vetëm 6 pikë në 5 ndeshjet pasardhëse, ku paraqitja e kuqezinjve ka qenë shumë zhgënjyese në sulm, aksioneve të golit dhe shpejtësisë në finalizim.
Kjo është situata e tanishme edhe pas humbjes së dytë me zikaltrit, që tashmë janë 10 pikë larg, një distancë kjo që është krijuar si pasojë e barazimeve të marra kundër Livornos dhe të dielën kundër Bolonjës, ku Milani, pas një kontrolli rekord të topit, ka bërë gjuajtjen e parë në portë në minutën e 57-të me Borrielon.
Kuqezinjtë, që realizuan një gol me një mesfushor, Ambrozinin, në 360 minuta lojë, duket se tashmë nuk mund të vazhdojnë të luajnë me një sulmues të vetëm kundër skuadrave që mbyllen në mbrojtje si ato të Kozmit dhe Kolombas, mbi të gjitha, nëse, ashtu siç ka ndodhur në “Dal’Ara”, nuk janë në maksimumin e formës Sedorf, Ronaldinjo dhe debutuesi Mansini, lojtar që sigurisht nuk mund të zëvendësojë Paton, përsa i takon rrezikshmërisë në zonën e kunërshtarit.
Tani Milani, pasi ka humbur shpresën për të kapur vendin e parë, i arritur dhe i kaluar nga Roma, edhe pse me një ndeshje më pak, duhet të gjejë stimujt për të ruajtur deri në fundin e kampionatit pozicionin midis tri skuadrave të para për kualifikimin direkt në Champions.
Pikërisht, në pritje të rifillimit të këtij kompeticioni, Leonardo do të përpiqet të rekuperojë Nestën, edhe pse paraqitja e Bonerës kundër Bolonjës ishte shumë pozitive. Pa brazilianin në ndeshjet e fundit, më shumë se me skemën 4-2 fantazi ka pasur një skemë 4-2- anemi. Takimi me Mnaçester Junajtid në Champions po afrohet dhe gjendja nuk duket nga më të mirat.
Lojtarët e Leonardos mund të justifikohen me dy shtyllat e goditura nga Ronaldinjo dhe Ambrozini kundër Bolonjës, por është e vërtetë edhe se i kanë dhuruar një orë lojë skuadrës së organizuar mirë nga Kolomba. Mbas shtatë ditësh do të zbarkojë në “San Siro”, për takimin e parë të 1/8 të Championsit, Mançester Junajtid i Sër Aleks Fergusonit, një skuadër që është rikthyer në nivelet e mëparshme.
Në muajin e fundit, “Djajtë e Kuq” kanë fundosur në Premier Ligë Bërnlein, Hullin, Arsenalin dhe Portsmuthin, duke shënuar 15 gola dhe duke pësuar vetëm një, pa përmendur arritjen e finales në Kupën e Ligës. Ndërsa makina e Leos duket se ka ngecur pas humbjes zhgënjyese në derbi.
Ndikojnë mungesat e Nestës (jashtë që nga 17 janari) dhe Patos (jashtë që nga 13 dhjetori). Në veçanti është shqetësuese gjendja e “Patokut”, dhe nuk është një rastësi që tekniku kuqezi ka bërë këtë deklaratë: “Flitej për një rekuperim të shpejtë, - ka thënë pak i acaruar Leo. - Ndërsa nuk është kështu…”.