09 shkurt 2010

Galiani: Nuk kemi pasur fat

Nuk është një moment i mirë për Milanin. Për kuqezinjtë ka ardhur një tjetër barazim pas atij të marrë në “San Siro” kundër Livornos, që jo vetëm i ka larguar përfundimisht ëndrrat për titullin në kampionat, por i ka kushtuar edhe vendin e dytë në renditje në avantazh të Romës.
Për më shumë, edhe situata e të dëmtuarve, me Nestën dhe Paton akoma të ndaluar, bën që Leonardo të mos jetë i qetë. “Për sa i takon Nestës dhe Patos do të duhet të vlerësojmë situatën në ditët në vazhdim, edhe pse nuk luajnë prej një kohe të gjatë. Nuk e di akoma se kur do t’i kem në dispozicion”.
Të dy, në fakt, janë në dyshim për ndeshjen e ardhshme kundër Udinezes. Pavarësisht barazimit, administratori i deleguar kuqezi, Adriano Galiani, i ka bërë komplimente skuadrës: “Kemi zhvilluar një lojë të mirë dhe sigurisht kemi merituar fitoren, por topi dukej se nuk donte të përfundonte në rrjetë. Këtë e tregojnë pesë rastet e pastra për gol dhe traversat që kemi goditur, mbi të gjitha ajo e goditur në fundin e takimit pas gjuajtjes me kokë të Ambrozinit. Nëse do të kishim konkretizuar një nga rastet që kemi krijuar tani, do të flisnim për një ndeshje tjetër.
Bonera dhe Mansini meritojnë një vlerësim të veçantë, tani duhet të përgatitemi mirë për takimin kundër Udinezes, që në këtë sezon na ka mundur dy herë”. Ka qenë i kënaqur me debutimin e tij edhe Amantino Mansini, i cili ka thënë se: “Jam i kënaqur, kishte shumë kohë që nuk luaja 90 minuta të plota, fatkeqësisht nuk kemi fituar. Jam i sigurt se me kalimin e kohës do të përmirësohem. Me Romën luaja në krahun e majtë, por mund të bëj mirë edhe në të djathtin”.