Olimpiakosi dhe Bordoja do të përballen sot në mbrëmje në stadiumin “Karaiskaqis”, në një sfidë ku të dy ekipet do kërkojnë të hedhin një hap drejt fazës tjetër.
Edhe pse shumë vetë mund ta kenë harruar, skuadra franceze ka gjashtë ndeshje rresht pa humbje në kompeticionet europiane dhe është favorite për të qenë një nga tetë ekipet më të mira të Europës. Gjithashtu, kampionët e Francës ishin ekipi që grumbulloi më tepër pikë në fazën e grupeve, plot 16.
Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri francez, Loran Blank, u shpreh se shorti ishte bujar me ekipin e tij, pasi mund të kishin “peshkuar” ndonjë kundërshtar më të vështirë. “Por duhet të jemi shumë të kujdesshëm kundër Olimpiakosit. Nuk duhet të harrojmë se ata janë një skuadër që luan gjithmonë në Ligën e Kampionëve, pra kanë përvojë”, theksoi Blank.
Olimpiakos – Bordo, formacionet e mundshme:
Olimpiakos (4-2-3-1): Nikopolidis; Torosidis, Papadopulos, Melberg, R.Bravo; Stoltidis, Mareska; Lualua, Lulu, Datolo; Derbishajër. Trajner: Bandoviç
Bordo (4-2-3-1): Karaso; Calme, Ciani, Planus, Tremulinas; Sane, Menegaco; Gurkuf, Vendël, Plasil; Shamak Trajner: Blank