“Bilibilat” kanë qenë përherë në shënjestrën e kritikave nga pothuajse të gjitha klubet gjatë këtij sezoni. Dy rastet e fundit u regjistruan në takimet Gramozi-Vllaznia dhe Flamurtari-Kastrioti.Rastet e dhunës në stadiumet shqiptare kanë fituar një status të veçantë, aq sa kur ato nuk ndodhin, mund të konsiderohet si çudi. Janë bërë kaq të zakonshme, sa pa to, ndeshjet e futbollit tonë do të dukeshin thjesht “kronikë e 90 minutave të paralajmëruara”.
Dy rastet më të fundit ekstreme ndodhën pikërisht në javën e 22-të të Superligës, në takimet Gramozi-Vllaznia (u godit anësori Denis Agaraj dhe futbollisti i Vllaznisë, Liridon Leci) dhe Flamurtari-Kastrioti, kur pas një penalltie të akorduar në minutën e 89-të të takimit nga gjyqtari Sokol Jareci në favor të vlonjatëve, ekipi krutan u tërhoq nga fusha.
Po ashtu, dy futbollistë, Halim Begaj i Flamurtarit dhe Gentian Gjondeda i Kastriotit, u konfrontuan fizikisht midis tyre. Të paktën dy klube (Gramozi dhe Kastrioti) kanë paralajmëruar bojokotim të kampionatit nëse nuk merren masa ndaj gjyqtarëve. Këtyre mund t’u shtohet edhe Tirana, që ka qenë e pakënaqur nga vendimet e “xhaketave të zeza” gjatë gjithë kampionatit.